FMN ul parashikimet për Shqipërinë, rritet presioni mbi inflacionin - Business Magazine Albania

FMN ul parashikimet për Shqipërinë, rritet presioni mbi inflacionin

FMN

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rishikuar në ulje parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë, sipas raportit më të fundit të “Pasqyrës Ekonomike Globale”. FMN pret që ekonomia shqiptare të zgjerohet me 3.4%, nga 3.6% që ishte parashikimi në raportin e mëparshëm të dhjetorit. Edhe perspektiva për vitin 2027 është korrigjuar në rënie, nga 3.4% në 3.2%.

Pavarësisht këtij rishikimi, Shqipëria mbetet ndër ekonomitë me performancën më të mirë në rajon, duke u renditur e dyta pas Kosovës, e cila parashikohet të rritet me 3.6%.

Në rajon, Serbia regjistron uljen më të fortë të pritshmërive, me rritje të parashikuar në 2.8%, nga 3.6% më parë. Bosnjë-Hercegovina pritet të rritet me 2.2% (-0.5 pikë përqindje), Mali i Zi me 2.8% (-0.4 pp), ndërsa Maqedonia e Veriut me 3.2% (-0.1 pp).

FMN thekson se këto rishikime në ulje pasqyrojnë zhvillimet ndërkombëtare dhe pasiguritë e shtuara, veçanërisht si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, i cili ka ndikuar në tregjet globale të energjisë.

Në raportin e pranverës me titull “Ekonomia globale sërish në test”, institucioni paralajmëron se bota po përballet me një goditje të re gjeopolitike që po ndikon çmimet e lëndëve të para, inflacionin dhe kushtet financiare.

Lexo edhe: Samiti i Diasporës, mes fjalëve të mëdha dhe nevojës për rezultate konkrete!

Në nivel global, FMN parashikon rritje ekonomike prej 3.1% në vitin 2026 dhe 3.2% në vitin 2027. Kjo nënkupton një ngadalësim krahasuar me periudhën 2024–2025, kur rritja ishte rreth 3.4%, si dhe nën mesataren historike prej 3.7% të viteve 2000–2019. Krahasuar me përditësimin e janarit 2026, parashikimi për 2026 është ulur me 0.2 pikë përqindje, ndërsa ai për 2027 mbetet i pandryshuar.

Paralelisht, FMN ka rishikuar në rritje pritshmëritë për inflacionin në Shqipëri. Për vitin 2026, rritja e çmimeve pritet të arrijë në 3.7%, nga 3% më parë, duke kaluar objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3%.

Në rajon, inflacioni më i lartë pritet në Serbi me 7% dhe Kosovë me 5.8%.

Sipas FMN-së, barra më e madhe ekonomike do të bjerë mbi vendet e përfshira drejtpërdrejt në konflikt dhe mbi ekonomitë më të brishta, sidomos ato në zhvillim që varen nga importet e energjisë.

Megjithatë, FMN sheh edhe faktorë mbështetës, si investimet në inteligjencën artificiale dhe reformat strukturore, por thekson se ekonomia globale po hyn në një fazë më të pasigurt, ku zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe stabiliteti i tregjeve të energjisë mbeten përcaktuese.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0