Kur drita blu e ekranit fillon të kthehet në një sinjal alarmi për shëndetin, është momenti për të reflektuar dhe për të ndërhyrë. Përdorimi i tepërt i telefonit nuk është më thjesht një zakon i pafajshëm. Ai lidhet gjithnjë e më shumë me pasoja fizike si dhimbje koke, lodhje të syve dhe probleme me duart apo kyçet. Por ndikimi më i madh dhe më shqetësues mbetet ai në shëndetin mendor. Konsumimi i vazhdueshëm i përmbajtjes, sidomos lajmeve negative apo “doomscrolling”, mund të përkeqësojë humorin, të rrisë ankthin dhe të ndikojë në vetëvlerësim.
Në një kohë kur telefoni është bërë mjeti kryesor për komunikim, informacion dhe argëtim, është e lehtë të mos e kuptosh kur po kalon kufirin. Por ka disa shenja të qarta që tregojnë se përdorimi i tij ka filluar të bëhet problematik.
6 shenjat që po kalon shumë kohë në telefon
1. Gjithçka rrotullohet rreth telefonit
E përdor për çdo aspekt të jetës: nga blerjet dhe komunikimi te lajmet dhe argëtimi, duke lënë gjithnjë e më pak hapësirë për aktivitete pa ekran.
2. Marrëdhënie automatike me telefonin
Reagon menjëherë ndaj çdo njoftimi, kontrollon vazhdimisht mesazhet dhe ndjen frikën se po humbet diçka kur nuk je online.
3. Vështirësi për t’u përqendruar
E ke të vështirë të fokusohesh pa ndërprerje dhe shpesh përdor telefonin paralelisht me aktivitete të tjera, si puna, mësimi apo edhe bisedat.
4. Tolerancë e ulët ndaj mërzisë
Momenti që mbetesh pa aktivitet, telefoni bëhet zgjedhja automatike. “Scroll”-i zëvendëson çdo moment bosh.
5. Simptoma fizike
Dhimbje koke, lodhje, probleme me gjumin, irritim të syve dhe dhimbje në dorë apo kyç janë sinjale të drejtpërdrejta të përdorimit të tepërt.
6. Konflikte me të tjerët
Marrëdhëniet personale mund të dëmtohen, pasi të afërmit ndihen të injoruar kur vëmendja jote është gjithmonë te telefoni.
Megjithatë, lajmi i mirë është se kjo situatë mund të ndryshohet. Nuk është e nevojshme të heqësh dorë plotësisht nga teknologjia, por të krijosh një marrëdhënie më të shëndetshme me të.
Lexo edhe: Hyn sot në fuqi Sistemi i Hyrje/Daljes në BE, çfarë duhet të dinë udhëtarët
3 hapat për të nisur një “detoks digjital”
1. Monitoro përdorimin tënd
Hapi i parë është ndërgjegjësimi. Shiko sa kohë kalon në telefon, cilat aplikacione përdor më shumë dhe sa shpesh e kontrollon gjatë ditës. Vetëm kjo analizë mund të të hapë sytë për zakonet e tua reale.
2. Krijo një plan konkret
Vendos objektiva të qarta dhe të matshme. Për shembull, kufizo përdorimin e një aplikacioni në 30 minuta në ditë ose cakto periudha pa telefon gjatë ditës. E rëndësishme është që plani të jetë realist dhe i zbatueshëm.
3. Zëvendëso zakonet
Reduktimi i kohës në telefon funksionon vetëm nëse e zëvendëson atë me diçka tjetër. Mund të jetë leximi, një shëtitje, sport, apo një hobi i ri. Edhe 30 minuta në ditë mund të bëjnë diferencë të madhe në mënyrën si ndihesh.
Duhet të kesh parasysh se ndryshimi nuk është gjithmonë i lehtë. Truri është mësuar me stimulimin konstant që ofron telefoni, ndaj në fillim mund të ndjesh mërzi, nervozizëm apo ankth. Por pikërisht këto momente janë ato që ndihmojnë në rikthimin e një balancë më të shëndetshme. Në fund, qëllimi nuk është të eliminosh teknologjinë nga jeta jote, por të mos lejojë ajo të të kontrollojë ty. Një përdorim më i vetëdijshëm i telefonit nuk përmirëson vetëm fokusin dhe mirëqenien, por edhe cilësinë e marrëdhënieve dhe jetës së përditshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto