Ky ndryshim në mënyrën se si i përdorim mediat sociale mund të na e bëjë ditën më të mirë - Business Magazine Albania

Ky ndryshim në mënyrën se si i përdorim mediat sociale mund të na e bëjë ditën më të mirë

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Ndoshta nuk ekziston një zgjidhje magjike për të përmirësuar humorin dhe mirëqenien tonë të përditshme, por një ndryshim i thjeshtë në mënyrën se si përdorim rrjetet sociale mund të bëjë një diferencë reale. Ky ndryshim është i shpejtë, i lehtë dhe sipas shumë ekspertëve, sjell rezultate të ndjeshme.

Gazetarja e mirëqenies në The Guardian, Madeleine Aggeler, vendosi të provojë një strategji të thjeshtë, të heshtë (bëj mute) disa përdorues në rrjetet sociale.Procesi ndryshon nga një platformë në tjetrën, funksioni mund të quhet mute, snooze ose restrict, por qëllimi është i njëjtë. Ai “pastron” gradualisht kronologjinë tonë nga postimet e njerëzve që, për çfarëdo arsye, na prishin humorin, pa qenë e nevojshme t’i heqim nga lista e miqve.

Aggeler tregon se ka zgjedhur të bëjë mute disa persona për arsye të ndryshme. Disa nuk dëshironte t’i hiqte nga lista e miqve, ndërsa të tjerëve u ka bërë edhe unfollow, edhe mute, për të shmangur që postimet e tyre të shfaqeshin përmes ripostimeve të të tjerëve. Mes tyre ishte edhe një person i famshëm që dikur ishte sjellë keq me të për një çështje pune, një tjetër që kishte ofenduar një mik të saj, si edhe një ish-partner. Sipas saj, postimet e këtyre njerëzve nxirrnin në pah anën më të keqe të vetes. Sa herë që i shihte në rrjete sociale, ndjente zemërim dhe frustrim. Madje, në momente nervozizmi, i shkonte ndër mend ideja absurde për të vendosur tabela nëpër qytet ku të tregonte sa të padurueshëm ishin.

Lexo edhe:MAG fillon një bashkëpunim të ri me ”Lube Cucine”, duke forcuar pozicionin si destinacion premium i dizajnit

Por pasi vendosi t’i “fshijë” pothuajse në të gjitha platformat, situata ndryshoi. Nëse dikush nuk i përmend në bisedë, ajo shpesh harron që këta persona ekzistojnë. “I kam fshirë nga kopshti i harlisur i mendjes sime”, shprehet ajo.

Edhe Bailey Parnell, themeluese dhe presidente e Qendrës për Mirëqenie Digjitale, konfirmon se kjo strategji mund të jetë shumë e dobishme. Sipas saj, kur heqim llogaritë që na shqetësojnë vazhdimisht, vendosim kufij që krijojnë një mjedis digjital më të shëndetshëm. “Në këtë mënyrë, njerëzit mbrojnë shëndetin e tyre mendor duke ruajtur njëkohësisht edhe rrjetet sociale apo profesionale”, shpjegon ajo.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo nuk është gjithmonë aq e thjeshtë sa duket. Në disa raste, postimet që na irritojnë mund të na tërheqin pikërisht sepse shkaktojnë emocione të forta. Terapistja, Monica Amorosi, shpjegon se pas një emocioni intensiv mund të ndodhë edhe një shpërthim dopamine. Nëse jeta është monotone dhe mungojnë stimujt, konsumimi i përmbajtjeve që na irritojnë mund të shndërrohet në një formë argëtimi ose shpërqendrimi.

Megjithatë, Amorosi paralajmëron se nuk duhet të shkojmë në ekstrem duke përjashtuar çdo mendim apo informacion që nuk na pëlqen. Kjo mund të na mbyllë në një “flluskë injorance”.

Në vend të kësaj, ajo sugjeron që rrjetet sociale të përdoren kryesisht si burim informacioni pozitiv, edukimi dhe lidhjeje me njerëz që ndajnë interesa të përbashkëta. Sipas kësaj logjike, është më mirë të hiqen ata persona që na irritojnë vazhdimisht pa na ofruar asgjë me vlerë, për shembull, një koleg që nuk bën gjë tjetër veçse mburret vazhdimisht për sukseset e tij.

Në këtë mënyrë, përveç qetësisë mendore, mund të fitojmë edhe pak kohë të vlefshme. Siç shprehet edhe vetë Aggeler, shpesh kur shmang postime të tilla kursen disa minuta që përndryshe do t’i kalonte duke bërë screenshot dhe duke u ankuar tek miqtë.

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0