18 marsi është Dita Botërore e Riciklimit. Krijuar në 2018 nga Ranjit Baxi, themelues i Global Recycling Foundation, kjo ditë synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi riciklimin si një motor rritjeje ekonomike, duke e konsideruar si “burimin e shtatë” pas ujit, ajrit, qymyrgurit, naftës, gazit natyror dhe mineraleve.
Tema e vitit 2026, “Mos mendo për mbeturinat, mendo për mundësitë”, nxit bizneset të shohin mbeturinat si burime të vlefshme që mund të rikthehen në produkt të ri. Studimet e Accenture sugjerojnë se ripërkufizimi i mbeturinave mund të çlirojë deri në 4.5 trilion dollarë rritje globale ekonomike deri në 2030. Një shembull europian është industria e riciklimit të letrës, ku 75% e letrës riciklohet, dhe paketimet e letrës arrijnë 87%, duke zvogëluar përdorimin e lëndës së parë dhe ulur emetimet e karbonit.
Shqipëria dhe sfidat e riciklimit
Shqipëria prodhon çdo vit sasi të konsiderueshme mbetje, ndërsa potenciali për riciklim mbetet i pashfrtëzuar. Referuar shifrave të INSTAT, në vitin 2024 vendi menaxhoi 862.241 tonë mbetje urbane, ku çdo banor prodhon mesatarisht 360 kg mbetje në vit, shumica prej të cilave janë organike. Megjithatë, vetëm rreth 18–19 % e mbetjeve riciklohet realisht, duke lënë sipas rekomandimeve dhe gjetjeve të EEA një hendek të qartë mes kapacitetit të industrisë së riciklimit dhe përdorimit të saj efektiv.
Një zhvillim kyç për Shqipërinë është projektvendimi i nxjerrë për konsultim nga Ministria e Mjedisit disa ditë më parë “Për miratimin e kritereve, procedurave dhe afateve për zbatimin e grumbullimit të diferencuar të mbetjeve për të gjitha rrymat e mbetjeve”.
Ky projektvendim përcakton standarde të qarta për njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke synuar sigurimin e grumbullimit të diferencuar në burim, promovimin e ripërdorimit dhe riciklimit, si dhe mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik. Afatet e përcaktuara për rritjen e nivelit të riciklimit, si p.sh. 25% deri në 2030 dhe 65% deri në 2045, synojnë të reduktojnë mbetjet që përfundojnë në landfill dhe të nxisin një ekonomi qarkulluese më efikase.
Projektvendimi trajton gjithashtu kategori të veçanta mbetjesh, si pajisjet elektrike dhe elektronike apo bateritë, duke vendosur përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit dhe sisteme të posaçme grumbullimi dhe përpunimi, në përputhje me direktivat evropiane. Ky është një hap konkret që mund të transformojë mënyrën se si bizneset dhe qytetarët në Shqipëri menaxhojnë mbeturinat, duke krijuar mundësi të reja për startup-et inovative dhe për zhvillimin e një ekosistemi të qëndrueshëm dhe të bazuar në riciklim.Ekonomia qarkulluese mund të sjellë ulje kostosh, rritje reputacioni dhe hapësira për produkte inovative. / BusinessMag
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto