Adoleshenca e jashtëzakonshme e Ari Thaçit - Business Magazine Albania

Adoleshenca e jashtëzakonshme e Ari Thaçit

Adoleshenca e jashtëzakonshme e Ari Thaçit

Kur mendon veten 16 vjeç, cilat fjalë të vijnë në mendje? Rini, shkollë, miq, argëtim… fjalë që krijojnë një imazh të njohur për shumë prej nesh gjatë adoleshencës. Por jo të gjithë e përjetojnë kështu këtë periudhë. Për Ari Thaçinë, fjalët “teknologji” dhe “AI” përshkruajnë më mirë këtë moshë, duke e bërë adoleshencën e tij një histori krejt ndryshe nga ajo e të tjerëve.

Por si nisi e gjithë kjo? Sa e vështirë ishte të mësonte për AI dhe ku lindi ideja pas “Agjenti.AI”? Të gjitha këto i shpjegon vetë Ari në intervistën e tij për Albanian Post.

“Interesi im për teknologjinë ka filluar që në moshë të vogël, kur gjithmonë më intrigonte mënyra se si funksiononin pajisjet dhe programet. Fillova të eksperimentoj me kompjuterë dhe të mësoj bazat e programimit përmes burimeve online si YouTube dhe platforma edukative si Codecademy dhe Coursera”.

Që në moshë të vogël, ai filloi të eksperimentonte me teknologjinë, duke vendosur bazat për punën e mëvonshme me inteligjencën artificiale.

“Pasioni im u thellua kur kuptova potencialin e saj për të zgjidhur probleme reale. Kam studiuar dhe eksperimentuar me AI përmes kurseve online si ato nga Stanford dhe Google AI, si dhe duke lexuar libra dhe artikuj mbi këtë fushë. Gjithashtu, praktika dhe ndërtimi i projekteve reale”.

Lexo edhe: Lexo15min, platforma shqiptare që përmbledh librat më të rëndësishëm në vetëm 15 minuta!

Ky kuriozitet dhe pasion për teknologjinë do ta çonte më vonë drejt një aventure unike me AI, që do të shënonte fillimin e Agjenti.AI.

“Ideja për këtë projekt lindi nga një nevojë që e vërejta te bizneset lokale: shumë prej tyre humbnin klientë për shkak të vonesave në përgjigje ose mungesës së stafit për të menaxhuar komunikimin. Duke qenë i apasionuar pas teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, mendova të krijoj një zgjidhje që jo vetëm i ndihmon bizneset të përgjigjen menjëherë, por edhe të rrisin shitjet dhe rezervimet”.

Agjenti.AI është një asistent virtual që nuk pushon kurrë, punon 24/7, duke iu përgjigjur automatikisht mesazheve të klientëve në Instagram, Facebook Messenger dhe WhatsApp.

Përveç komunikimit, ai mund të marrë porosi dhe të caktojë termine automatikisht. E pabesueshme, por e gjitha kjo është rezultat i imagjinatës dhe punës së një 16-vjeçari, megjithatë si çdo aventurë e madhe, edhe projekti i Arit ka sfidat e veta.

“Duke qenë i ri, sfida më e madhe ka qenë të fitoj besimin e bizneseve dhe të tregoj se një ide e tillë mund të funksionojë. Gjithashtu, ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe të personalizuar për çdo biznes kërkonte shumë punë dhe përkushtim. Por çdo sfidë ka qenë një mundësi për të mësuar dhe për të përmirësuar shërbimin”.

Historia e Arit tregon se adoleshenca nuk ka një formë të vetme dhe se pasioni dhe kurioziteti mund të shndërrohen në diçka të jashtëzakonshme, pavarësisht moshës. Ai nuk është thjesht një djalosh që eksperimenton me teknologjinë, është një shembull se si vizioni, vendosmëria dhe guximi për të provuar të panjohurën mund të krijojnë zgjidhje reale që ndryshojnë botën rreth nesh. Për personat si Ari, sfidat nuk janë pengesa, por një mundësi dhe në këtë rrugëtim, mosha mbetet vetëm një numër, ndërsa inovacioni dhe pasioni nuk njohin kufij.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0