Kuturu, startup-i shqiptar që synon të ndryshojë përvojën e nomadëve digjitalë! - Business Magazine Albania

Kuturu, startup-i shqiptar që synon të ndryshojë përvojën e nomadëve digjitalë!

Kuturu, startup-i shqiptar që synon të ndryshojë përvojën e nomadëve digjitalë!
Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Eni Muça- Puna në distancë ka ndryshuar mënyrën se si njerëzit udhëtojnë. Për një numër gjithnjë e më të madh profesionistësh, udhëtimi nuk është më thjesht pushim, por një mënyrë jetese që ndërthur punën me eksplorimin e vendeve të reja. Por ndërsa fenomeni i “digital nomads” është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, infrastruktura që i mbështet ata shpesh mbetet e njëjtë: apartamente të menduara për turistë, jo për njerëz që duhet të punojnë çdo ditë. Pikërisht në këtë boshllëk lindi ideja e Kuturu, një startup shqiptar që synon të ndërtojë një model tjetër për akomodimin e profesionistëve që punojnë në distancë.

Në një intervistë për Business Magazine, Alban Alibali, bashkëthemelues dhe CEO i Kuturu, shpjegon se ideja erdhi nga një vëzhgim shumë praktik gjatë punës së tij në industrinë e teknologjisë.

“Gjatë punës sime me kompani SaaS dhe platforma digjitale, vura re që shumica e platformave të akomodimit janë ndërtuar për turistë tranzitor. Ndërkohë profesionistët që punojnë në distancë kanë nevoja krejt të tjera. Ata duhet të punojnë deri në 40 orë në javë dhe nuk mund të bëjnë kompromis me internetin, hapësirën e punës apo qetësinë,” thotë ai.

Kuturu u krijua nga tre bashkëthemelues me profile të ndryshme që plotësojnë njëri-tjetrin. Përveç Alibalit, në ekip janë Aldo Cano, CTO me mbi një dekadë përvojë në zhvillimin e sistemeve digjitale dhe infrastrukturës software, si dhe Erlind Selba, Chief Creative Officer me eksperiencë në multimedia dhe ndërtimin e markave. Sipas Alibalit, ideja nuk u formua menjëherë si një produkt konkret. Fillimisht ishte thjesht një pyetje: pse njerëzit që punojnë në distancë duhet të përshtaten me struktura që nuk janë menduar për ta? “Pas më shumë se dy vitesh kërkim në komunitetet e nomadëve digjitalë, kuptuam që problemi ishte real dhe i përhapur. Nga aty filluam ta konceptojmë Kuturu si një lloj sistemi operativ për workation,” shpjegon ai.

Termi workation, një kombinim mes work dhe vacation, është bërë gjithnjë e më i zakonshëm në vitet e fundit. Por sipas ekipit të Kuturu, përvoja që ofrohet sot nga shumica e platformave është ende shumë sipërfaqësore. Në praktikë, kjo do të thotë që Kuturu nuk fokusohet vetëm te akomodimi, por edhe te infrastruktura që e bën të mundur punën. Një nga sfidat kryesore që startup-i ka identifikuar lidhet me besueshmërinë e infrastrukturës në destinacione si Shqipëria. Ndërprerjet e energjisë apo lidhjet e paqëndrueshme të internetit mund të jenë problem serioz për profesionistët që varen nga puna online. Për këtë arsye, ekipi ka konceptuar atë që e quan “Standardi Kuturu”, një paketë teknologjike që synon të garantojë stabilitet në pronat e përzgjedhura. “Do të instalojmë paraprakisht mesh routers, sisteme backup interneti dhe UPS për energjinë elektrike. Qëllimi është që klientët të kenë një nivel besueshmërie që shkon deri në 99.9% uptime,” thotë Alibali.

Lexo edhe:Growpreneur Bootcamp: Planifikimi financiar si çelës i suksesit të startup-eve

Në rast se lidhja bie nën një nivel të caktuar, platforma parashikon edhe zgjidhje alternative, si zhvendosje të menjëhershme në hapësira coworking partnere. Një tjetër element që Kuturu po zhvillon është koncepti i Arrival Survival Kits. Në vend që profesionistët të udhëtojnë me pajisje të rënda pune, platforma synon të ofrojë mundësinë e dërgimit të pajisjeve direkt në apartamentin ku ata do të qëndrojnë. “Shumë njerëz udhëtojnë me monitorë apo pajisje të tjera pune. Ne po testojmë një model ku klientët mund të marrin me qira monitorë 4K apo karrige ergonomike që u dorëzohen direkt në apartament,” shpjegon ai.

Në fazën e parë, Kuturu po ndërton një MVP që kombinon shërbimin fizik me teknologjinë. Sistemi fillestar po zhvillohet mbi një arkitekturë no-code që përdor platforma si Base44, Lovable, NoCoDB dhe n8n për automatizimin e proceseve logjistike. Komunikimi me klientët pritet të kalojë kryesisht përmes WhatsApp, duke e bërë ndërveprimin më të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë. Por përtej teknologjisë dhe logjistikës, një nga sfidat më interesante që startup-i duhet të përballojë është perceptimi për Shqipërinë. “Klientët nga Evropa Perëndimore apo SHBA shpesh kanë një dyshim fillestar për standardet e infrastrukturës në rajon. Për këtë arsye do të bëjmë auditime fizike të pronave dhe do të publikojmë raporte video që tregojnë realisht se çfarë ofrohet,” thotë Alibali.

Sipas tij, një avantazh që Shqipëria ka në këtë drejtim është potenciali për qëndrime afatgjata jashtë sezonit turistik. Ndryshe nga turistët klasikë, nomadët digjitalë shpesh qëndrojnë për muaj të tërë në një destinacion, gjë që mund të krijojë një formë tjetër ekonomie lokale.

Startup-i është ende në fazat e para, por tashmë ka filluar të marrë vëmendje në disa programe rajonale të rëndësishme. Kuturu është përzgjedhur në iniciativa si Growpreneur 2026, PODIM 2026 dhe EU-Startups Summit 2026, programe që shpesh shërbejnë si një trampolinë për startup-et që kërkojnë financime pre-seed. “Growpreneur po na ndihmon shumë në planifikimin e fazës MVP dhe në testimin e shërbimit me klientët e parë. Për ne është një moment i rëndësishëm sepse nga kjo fazë do të mësojmë shumë për mënyrën se si duhet të evoluojë produkti,” thotë ai.

Në dy vitet e para, fokusi i Kuturu do të jetë konsolidimi në tregun shqiptar, me destinacione si Tirana, Saranda, Vlora dhe Shkodra. Në një fazë të mëvonshme, startup-i synon të zgjerohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe përgjatë Adriatikut. Por sipas Alibalit, ambicia nuk është thjesht të krijohet një platformë tjetër rezervimesh. “Ne nuk duam të kujtohemi si një portal akomodimesh. Ideja jonë është që Kuturu të bëhet një busull për nomadët digjitalë,” thotë ai.

Dhe në fund, vizioni përmblidhet në një filozofi të thjeshtë që startup-i e ka vendosur edhe si moto: “Gjithmonë i përgatitur, asnjëherë vetëm.”

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0