Gjatë fundjavës, ndërsa sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit po zhvilloheshin, bursat e decentralizuara të kriptomonedhave që operojnë 24 orë në ditë u kthyen në vendin kryesor për zbulimin në kohë reale të çmimeve të naftës, arit dhe aseteve të tjera. Kur presidenti amerikan Donald Trump njoftoi valën fillestare të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në orën 08:30 CET të së shtunës, më 28 shkurt duke shënuar fillimin e operacionit “Epic Fury” të gjitha tregjet tradicionale financiare ishin të mbyllura. Shumica e tregjeve operojnë vetëm nga e hëna në të premte, çka do të thotë se zhvillimet e fundjavës, sado të rëndësishme, nuk mund të reflektohen në çmime deri sa tregtimi të rifillojë të hënën në mëngjes. Kjo krijon një reagim të përqendruar dhe shpesh të dhunshëm në hapjen e tregjeve.
Aksionet amerikane, kontratat e së ardhmes, platformat kryesore të këmbimit valutor, tregjet e mallrave dhe bursat aziatike e europiane ishin të gjitha të mbyllura të shtunën.
Disa bursa në Lindjen e Mesme, si ato në Arabinë Saudite dhe Katar, u hapën në ditën e dytë të konfliktit. Megjithatë, ato tërheqin më pak pjesëmarrës perëndimorë dhe për pasojë kanë likuiditet më të ulët.
Në të kaluarën, investitorët që përballeshin me një tronditje të madhe gjeopolitike të shtunën do të detyroheshin të prisnin deri të dielën në mbrëmje, kur rihapen kontratat futures në SHBA, për të filluar të reflektonin pritshmëritë për një të hënë kaotike në tregje.
Kripto nuk fle
Këtë herë, megjithatë, ekzistonte një alternativë reale: platformat kripto që funksionojnë 24 orë në ditë, 7 ditë në javë dhe 365 ditë në vit, janë të aksesueshme globalisht dhe finalizojnë transaksionet pothuajse menjëherë.
Një nga platformat më të përdorura ishte Hyperliquid, një bursë e decentralizuar për kontrata të përhershme, që ofron tregtim jo vetëm për kriptomonedha, por edhe për asete të botës reale si nafta bruto. Sipas të dhënave “on-chain”, volumi i tregtimit në platformë u rrit ndjeshëm, duke arritur deri në 200 milionë dollarë në vetëm 24 orë gjatë së shtunës.
Kontratat e lidhura me naftën në Hyperliquid, si OIL/USDH dhe USOIL/USDH, u rritën me më shumë se 5% pothuajse menjëherë pas njoftimit të sulmeve, duke dhënë një nga sinjalet e para të çmimeve në kohë reale përpara se tregjet tradicionale të rihapeshin. Edhe instrumente të tjera kripto tërhoqën vëmendje. Tokeni i mbështetur me ar fizik XAUT nga Tether regjistroi volum tregtimi mbi 300 milionë dollarë në 24 orë, një shifër e jashtëzakonshme për një fundjavë.
Lexo gjithashtu: Raporti: Deri në 227 milionë fëmijë mund të jenë obezë në vitin 2040
Ndërkohë, tregjet e parashikimeve si Kalshi dhe Polymarket raportuan gjithashtu volume shumë të larta. Kriptomonedhat kryesore si Bitcoin dhe Ethereum u shitën në masë, duke reflektuar ndjesinë negative të riskut në tregje. Për shumë vëzhgues, ishte hera e parë që tregjet kripto u bënë efektivisht “tregu kryesor” gjatë një fundjave krize globale. Në një memo të publikuar të martën, drejtori i investimeve në Bitwise Asset Management, Matt Hougan, e përshkroi situatën si “fundjava që ndryshoi financat”. Kritikët theksojnë se tregjet kripto mbeten më të vogla dhe më të paqëndrueshme se tregjet tradicionale dhe se rreziqet rregullatore dhe operacionale vazhdojnë të ekzistojnë.
Megjithatë, ngjarjet e fundjavës treguan se financa “on-chain” po kalon nga periferia drejt qendrës së tregjeve globale të kapitalit shumë më shpejt sesa parashikonin shumica e analistëve vetëm gjashtë muaj më parë.
Bursat tradicionale përshpejtojnë tregtimin 24/7
Suksesi i platformave kripto gjatë konfliktit me Iranin po rrit presionin mbi institucionet tradicionale financiare që të ofrojnë tregje të hapura vazhdimisht.
New York Stock Exchange po zhvillon një sistem alternativ tregtimi të bazuar në blockchain për aksione dhe fonde ETF të tokenizuara, që do të mundësonte tregtim të vërtetë 24/7 me shlyerje të menjëhershme.
Platforma, e shpallur në fillim të vitit 2026 dhe ende në pritje të miratimit rregullator, do të kombinojë motorin ekzistues të përputhjes së urdhrave të NYSE me rrjete private blockchain për proceset pas tregtimit.
Transaksionet mund të financohen dhe të shlyhen në kohë reale duke përdorur stablecoins, duke anashkaluar ciklin aktual T+1, sipas të cilit transferimi i aksioneve dhe pagesa përkatëse përfundojnë ditën tjetër të punës. Platforma e tokenizuar mund të nisë që në tremujorin e dytë të vitit 2026, ndërsa tregtimi 22-23 orë në ditë në NYSE synohet për fundin e vitit ose fillimin e 2027-ës. Edhe Nasdaq ka paraqitur propozime për të zgjeruar tregtimin e aksioneve amerikane në 23 orë në ditë, pesë ditë në javë, me një zbatim të mundshëm në gjysmën e dytë të vitit 2026.
Këto iniciativa janë një përgjigje direkte ndaj presionit konkurrues nga tregjet kripto që funksionojnë pa ndërprerje dhe ndaj rritjes së ngjarjeve globale që ndikojnë tregjet jashtë orarit tradicional. Fundjava e konfliktit me Iranin u shndërrua në një studim të gjallë të kësaj dinamike. Ndërkohë që fondet hedge dhe traderët profesionalë tashmë operojnë në platforma si Hyperliquid, bursat tradicionale e kuptojnë se mosofrimi i aksesit të ngjashëm mund t’i bëjë të humbasin përfundimisht flukset e tregtimit.
Ligji për tregun e kriptove mbetet i bllokuar
Megjithëse infrastruktura kripto demonstroi qëndrueshmërinë e saj gjatë fundjavës, përparimi në frontin legjislativ mbetet i ngadaltë.
Ligji ‘Digital Asset Market Clarity Act (CLARITY Act)’, i miratuar në Kongresin amerikan vitin e kaluar, është bllokuar në Senat për shkak të mosmarrëveshjeve mes sektorit bankar dhe industrisë kripto për trajtimin e të ardhurave nga stablecoin-et.
Bankat argumentojnë se stablecoin-et me interes mund të tërheqin depozitat nga sistemi bankar, ndërsa mbështetësit e kriptove thonë se këto shpërblime janë thelbësore për inovacionin dhe mbajtjen e klientëve. Presidenti Donald Trump ndërhyri publikisht të martën në platformën Truth Social, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të miratojnë sa më shpejt strukturën rregullatore për tregun kripto.
Pavarësisht ndërhyrjes së tij dhe takimeve mes industrive, një marrëveshje ende nuk është arritur. Ironia, sipas shumë analistëve, është e qartë: ndërsa tregjet kripto treguan vlerën e tyre gjatë një krize reale globale, ligji që synon t’i integrojë ato në sistemin financiar tradicional mbetet ende peng i betejave lobuese.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto