Në marrëdhëniet ndërkombëtare ndodh ndonjëherë që një veprim i një qeverie, edhe pse qartësisht në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, të shihet si moralisht i justifikueshëm. Raste të tilla janë shumë të rralla, por historia ka treguar se ndonjëherë legjitimiteti moral mund të vihet përballë ligjshmërisë formale. Pyetja që lind sot është nëse lufta e përbashkët e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit mund të konsiderohet një rast i tillë.
Së pari duhet pranuar se nisja e kësaj lufte nga presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shkelur hapur ligjin ndërkombëtar. Edhe pse disa aleatë kanë tentuar ta relativizojnë këtë fakt, realiteti është se Irani nuk paraqiste një kërcënim të menjëhershëm për asnjërin prej këtyre vendeve, qoftë nga armët bërthamore, raketat konvencionale apo terrorizmi i sponsorizuar nga shteti, që të justifikonte një sulm ushtarak parandalues pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Me fjalë të tjera, SHBA dhe Izraeli vepruan jo sepse Irani ishte shumë i fortë, por sepse u konsiderua relativisht i dobët.
Ky veprim është vetëm një shembull i radhës në një seri zhvillimesh ku fuqitë e mëdha kanë shpërfillur ligjin ndërkombëtar. Shembuj të tillë përfshijnë pushtimin rus të Ukrainës, militarizimin e Detit të Kinës Jugore nga Kina apo veprime të tjera të diskutueshme të SHBA-së në arenën globale. Të gjitha këto sinjalizojnë një dobësim të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, një zhvillim shqetësues për pjesën tjetër të botës.
Megjithatë, disa mund të argumentojnë se pavarësisht aspektit ligjor, krimet e regjimit teokratik iranian mund ta bëjnë të justifikueshme rrëzimin e tij me forcë. Lista e akuzave ndaj udhëheqjes iraniane është e gjatë, si për shtypjen e brendshme ashtu edhe për veprimet jashtë vendit. Kulmi i tyre ishte shtypja e përgjakshme e protestave këtë vit, ku dhjetëra mijëra qytetarë që protestonin paqësisht u vranë ose u arrestuan, një situatë që disa e kanë krahasuar me tragjeditë e Ruandës apo të Ballkanit në vitet ’90.
Në këtë kontekst, festimet në disa qytete iraniane dhe në komunitetet e diasporës pas lajmit për vrasjen e liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë e ka parë këtë zhvillim si çlirim. Për disa qytetarë iranianë, kjo luftë është parë më shumë si një mundësi për ndryshim sesa si një kërcënim.
Historia ofron një precedent të njohur për këtë debat mes ligjshmërisë dhe legjitimitetit: ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999. Edhe ajo ndërhyrje nuk kishte miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por u konsiderua nga shumë vende si moralisht e justifikueshme, sepse synonte të ndalonte spastrimin etnik dhe masakrat ndaj shqiptarëve të Kosovës. Në atë rast, ndërhyrja u pa si një veprim i motivuar nga mbrojtja e civilëve dhe që në fund solli më shumë të mira sesa dëme.
Nëse lufta kundër Iranit do të justifikohej moralisht, ajo duhet të plotësojë kushte të ngjashme me ato të rastit të Kosovës. Por deri tani kjo duket e vështirë. Për sa i përket motivimit, është e vështirë të besohet se Trump apo Netanyahu janë udhëhequr nga një pasion për të drejtat e njeriut dhe demokracinë.
Netanyahu prej kohësh e sheh Iranin si një kërcënim strategjik për sigurinë e Izraelit. Duke pasur parasysh historinë e tij politike dhe qasjen ndaj çështjes palestineze, pretendimi se synon të ndihmojë popullin iranian të çlirohet nga tirania duket më shumë si kalkulim politik sesa si parim moral. Edhe motivet e Trump janë të paqarta: mund të jenë dëshira për të treguar fuqinë ushtarake të SHBA-së, për të qenë në qendër të vëmendjes, për të shmangur skandale të brendshme apo për arsye të tjera politike.
Lexo edhe: Trump dhe vendimi për luftë me Iranin, shkaqet gjeopolitike pas konfliktit
Edhe nëse motivet janë të diskutueshme, ajo që ka rëndësi është rezultati. SHBA dhe Izraeli duhet të tregojnë se kjo luftë do të sjellë më shumë të mira sesa dëme – diçka që deri tani nuk duket e qartë. Nuk ekziston një strategji e dukshme për përfundimin e luftës me përfitime reale për sigurinë rajonale apo për përmirësimin e të drejtave të njeriut në Iran.
Përvoja ndërkombëtare tregon se ndryshimi i regjimit përmes bombardimeve ajrore rrallë funksionon. Ndërhyrja e NATO-s në Libi në vitin 2011 apo luftërat në Afganistan dhe Irak tregojnë se rrëzimi i një regjimi nuk garanton stabilitet apo demokraci. Në disa raste, regjimi që pason mund të jetë po aq autoritar sa ai që u rrëzua.
Në Iran ekziston pakënaqësi e madhe mes popullsisë, por ende nuk ka një udhëheqje të organizuar opozitare që mund ta kanalizojë këtë energji në një ndryshim politik. Nëse strukturat ushtarake dhe aparati i sigurisë nuk shpërbëhen nga brenda, protestat popullore mund të përballen me represion edhe më të ashpër.
Ekziston edhe një problem tjetër: respekti ndaj ligjit ndërkombëtar. Në rastin e Kosovës, vendet që ndërhynë e pranuan se po shkelin rregullat e OKB-së, por argumentuan se kjo bëhej për arsye të jashtëzakonshme humanitare. Rreziku për rendin ndërkombëtar nuk qëndron vetëm te shkelja e ligjit, por te shpërfillja e tij totale.
Dhe pikërisht kjo është ajo që kanë bërë shpesh Trump dhe Netanyahu në retorikën dhe veprimet e tyre. Vetë Trump ka deklaruar publikisht se nuk ka nevojë për ligjin ndërkombëtar dhe se kufizimi i vetëm për vendimet e tij është morali personal.
Në këto kushte, lufta kundër Iranit vështirë se mund të konsiderohet një rast ku një veprim i paligjshëm është moralisht i justifikueshëm. Deri tani nuk janë plotësuar kushtet që do ta bënin atë të pranueshme në planin moral. Dhe bazuar në zhvillimet aktuale, argumentimi i një justifikimi të tillë do të jetë shumë i vështirë.
Gareth Evans ka shërbyer si ministër i Jashtëm i Australisë nga viti 1988 deri në vitin 1996, president i International Crisis Group gjatë periudhës 2000–2009 dhe kancelar i Australian National University nga viti 2010 deri në vitin 2019.
Ai është autor i disa librave mbi politikën ndërkombëtare dhe diplomacinë, ndër të cilët më i fundit është “Good International Citizenship: The Case for Decency”, botuar nga Monash University Publishing në vitin 2022.
Copyright: Project Syndicate, 2026.
www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto