Eksod luksi nga Dubai, 90 mijë euro për një fluturim drejt Europës - Business Magazine Albania

Eksod luksi nga Dubai, 90 mijë euro për një fluturim drejt Europës

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Sulmet iraniane ndaj Dubait dhe mbyllja e aeroportit të tij kanë shkaktuar një eksod të shpejtë të elitës ekonomike globale, që po kërkon rrugë alternative larg Emirateve përmes avionëve privatë.

Qyteti i njohur për luksin; strehë miliarderësh, influencerësh dhe miliona turistësh është në tension pasi dronë dhe raketa, të lëshuara si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikano-izraelite kundër Iranit, dëmtuan aeroportin dhe goditën hotele e pika simbolike.

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se kishte vijuar të identifikonte në hapësirën e saj ajrore raketa dhe dronë, ndërsa vendi njoftoi mbylljen e ambasadës në Teheran.

Shumë persona janë nisur me makinë drejt Omanit, rreth katër orë e gjysmë larg ku aeroporti i Muskatit vijon të operojë, megjithëse me vonesa.

Fluturimet komerciale nga Muskati drejt Europës janë pothuajse të gjitha të rezervuara deri në fund të javës. Një turiste ruse, Alexandra Vavilova, tha se kishte arritur të siguronte një nga biletat e fundit: një fluturim nga Muskati drejt Kolombos, Sri Lanka.

Të tjerë kanë zgjedhur një udhëtim 10-orësh drejt Riadit, në Arabinë Saudite, ku aeroporti mbetet funksional.

90 mijë euro për një fluturim

Ndërkohë, çmimet e avionëve privatë janë trefishuar. JetVip, një broker me bazë në Muskat, tha se një fluturim me një avion të vogël tip Nextant drejt Stambollit tashmë kushton rreth 85 mijë euro, rreth tre herë më shumë se normalisht. Vendet në charter privat drejt Moskës po shiten me rreth 20 mijë euro për person.

Kompania austriake AlbaJet konfirmoi se disponueshmëria është “jashtëzakonisht e kufizuar”, me fluturime drejt Europës që arrijnë në 90 mijë euro. Shumë operatorë refuzojnë të fluturojnë për shkak të kërkesave të sigurimit dhe rrezikut në rajon. Sipas raportimeve, fluturimet private nga Riadi drejt Europës kanë arritur deri në 350 mijë dollarë.

Lexo edhe: Sulmi i Trump ndaj Iranit dhe skenari i ndryshimit të regjimit. Sa i rrezikshëm është ky bast?

Stuhi politike në Itali

Kriza ka ndezur polemika në Itali pasi ministri i Mbrojtjes Guido Crosetto u kthye në Romë me një avion qeveritar, ndërkohë që qindra italianë mbetën të bllokuar në Dubai.

Ai u akuzua se ndodhej me pushime kur shpërtheu lufta SHBA-Izrael kundër Iranit. Për të zbutur reagimet, u kthye vetëm, duke lënë familjen në Dubai, dhe deklaroi se kishte paguar vetë për fluturimin.

Turistët të bllokuar në hotele dhe kroçera

Për shumicën e turistëve, alternativa e vetme është të presin. Ka pasur konfuzion mbi operacionet në aeroportet e Dubait dhe Abu Dhabit. Kompani si Emirates, flydubai dhe Etihad Airways njoftuan rifillim të kufizuar fluturimesh, kryesisht për riatdhesim.

Bordi i turizmit në Dubai ka udhëzuar hotelet të mos dëbojnë turistët që nuk mund të largohen për shkak të anulimeve masive, duke u zgjatur qëndrimin me të njëjtat kushte rezervimi. Megjithatë, disa turistë rusë kanë raportuar online se u është kërkuar të paguajnë shtesë ose të largohen. Në det, mijëra turistë perëndimorë mbeten të bllokuar në anije kroçerash përgjatë Gjirit. Të paktën gjashtë anije të mëdha janë ankoruar pranë porteve, me pasagjerë të kufizuar në kabina.

Pasagjerë në kroçerën Mein Schiff 4 panë re të zeza tymi mbi portin Zayed në Abu Dhabi pas shpërthimeve të shkaktuara nga dronët iranianë. Ndërsa në MSC Euribia, kartat e dhomave janë zgjatur deri më 6 mars, duke sinjalizuar se largimi nuk pritet së shpejti.

Dubai, simbol i stabilitetit dhe luksit në Gjirin Persik, është kthyer brenda pak ditësh në një qytet në pritje, mes avionëve privatë që fluturojnë për ata që munden dhe mijëra turistëve që presin qartësi.

The Guardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0