Vendimi i fundit i Komisioni Evropian, i cili vlerëson se “dizajni varësues” i TikTok bie ndesh me ligjin e Bashkimit Evropian, ka rihapur debatin: a janë rrjetet sociale të projektuara për të krijuar varësi?
Institucioni evropian identifikoi elementë si rrjedha e pafund e përmbajtjes, nisja automatike e videove, njoftimet e vazhdueshme dhe përmbajtja e personalizuar si potencialisht të dëmshme për mirëqenien mendore dhe fizike të përdoruesve.
Në Shtetet e Bashkuara, një proces gjyqësor në Kaliforni po shqyrton pretendime të ngjashme ndaj platformave të Google dhe Meta. Paditësja argumenton se aplikacione si Instagram janë ndërtuar në mënyrë të tillë që t’i mbajnë veçanërisht të rinjtë të lidhur pas ekranit për periudha të gjata.
A funksionojnë si lojërat e fatit?
Sipas studiuesve, rrjetet sociale operojnë me mekanizma të ngjashëm me makinat elektronike të lojërave të fatit, duke ofruar shpërblime të paparashikueshme dhe reagime të menjëhershme si pëlqime dhe komente.
Butoni i pëlqimit, faqet që rekomandojnë përmbajtje të re dhe rrjedha e pafund e postimeve nxisin përdorim të përsëritur. Çdo reagim pozitiv krijon një ndjesi të këndshme, duke shtyrë përdoruesin të publikojë sërish për të përjetuar të njëjtën ndjesi.
TikTok e përshpejton këtë cikël me video të shkurtra dhe nisje automatike, duke sjellë përmbajtje të re çdo pak sekonda. Truri i njeriut reagon fuqishëm ndaj risisë, çka e bën të vështirë ndërprerjen.
Lexo edhe:Po të ndalosh scroll-in, çfarë fiton? Ja si të rimarrësh kontrollin mbi telefonin
Komisioni Evropian paralajmëroi se përdoruesit mund të bien në një gjendje “automatike”, ku konsumojnë përmbajtje në mënyrë pasive. Ky lloj përdorimi është lidhur me përkeqësim të shëndetit mendor, krahasim të vazhdueshëm me të tjerët, frikë nga humbja e diçkaje, izolim dhe ndjenjë vetmie.
TikTok i ka kundërshtuar këto konstatime, duke deklaruar se ofron mjete për kontrollin e kohës së kaluar në platformë.
Thelbi: modeli i biznesit
Ekspertët theksojnë se problemi lidhet me modelin ekonomik të gjigantëve teknologjikë. Suksesi matet me kohën që përdoruesit kalojnë në platformë, sepse më shumë kohë nënkupton më shumë të ardhura nga reklamat.
Kompanitë argumentojnë se synojnë të rrisin angazhimin, jo të krijojnë varësi. Por në praktikë, maksimizimi i angazhimit shpesh nënkupton zgjatjen e kohës së qëndrimit online.
Një alternativë e propozuar është kalimi drejt modeleve me pagesë mujore. Nëse përdoruesit do të paguanin një tarifë të vogël, platformat nuk do të vareshin nga reklamat dhe mbledhja e të dhënave personale. Megjithatë, shumica e njerëzve nuk janë mësuar të paguajnë për rrjete sociale.
A ekzistojnë alternativa?
Një alternativë ndaj platformave të mëdha është rrjeti i decentralizuar i njohur si Fediverse, që lidh platforma të pavarura pa reklama dhe pa gjurmim të të dhënave.
Pjesë e tij është Mastodon, një alternativë ndaj platformës X. Megjithatë, ndërtimi i platformave që janë njëkohësisht tërheqëse dhe jo varësuese mbetet sfidë e madhe.
Si ta kufizoni përdorimin e tepërt?
Përveç debatit mbi përgjegjësinë e kompanive, përdoruesit mund të ndërmarrin hapa konkretë:
- Vendosini aplikacionet në një dosje në fund të ekranit për t’i bërë më pak të aksesueshme.
- Aktivizoni kufizime për kohën e përdorimit.
- Çaktivizoni njoftimet.
- Fshini aplikacionet nga telefoni dhe përdorini vetëm në kompjuter.
- Përdorni pajisje analoge, si orë dore apo alarm tradicional.
- Mbajeni telefonin jashtë fushës së shikimit në situata të përditshme.
Megjithatë, shumë studiues theksojnë se përgjegjësia nuk duhet të bjerë vetëm mbi përdoruesit. Ndryshimi i vërtetë, sipas tyre, do të vijë vetëm nëse vendosen kufizime të qarta ligjore dhe nëse modeli i biznesit i platformave rishqyrtohet rrënjësisht.
Pyetja mbetet: a mund ta mposhtni algoritmin, apo është ai që po përcakton sjelljen tuaj online?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto