Deri në 2033, një e treta e personave mbi 70 vjeç pritet... - Business Magazine Albania

Deri në 2033, një e treta e personave mbi 70 vjeç pritet të jenë ende në punë

Zgjatja e jetës aktive dhe përhapja e teknologjive të reja po transformojnë mënyrën si kompanitë konceptojnë karrierën. Sipas një sondazhi të realizuar nga Korn Ferry, deri në vitin 2033 gati një e treta e personave mbi 70 vjeç pritet të jenë ende pjesë e tregut të punës.

Ky parashikim e vendos biznesin përballë një sfide strukturore: si të menaxhojë një fuqi punëtore me karriera që mund të zgjasin 40 deri në 50 vjet, duke ruajtur motivimin, aftësinë dhe fleksibilitetin e punonjësve.

Megjithatë, pothuajse gjysma e “baby boomers” dhe mbi një e treta e brezit X raportojnë se ndihen të përjashtuar nga mundësitë për të mësuar aftësi të reja, veçanërisht në fushën e teknologjisë. Në një ekonomi të drejtuar nga inteligjenca artificiale dhe transformimi dixhital, modeli tradicional i karrierës,  ku mesi i saj lidhej me menaxhimin dhe fundi me tërheqjen graduale, nuk konsiderohet më funksional.

Lexo gjithashtu: Falë një zbulimi të fundit, mund të marrë fund paraliza tek njerëzit

Sipas Michael Kienle nga L’Oréal, fokusi duhet të zhvendoset nga mosha tek aftësitë. Ai thekson se menaxhimi i talenteve nuk ndalet deri në ditën e fundit të punës dhe se punonjësit kërkojnë të zhvillohen vazhdimisht, edhe përmes roleve të reja që mund të mos perceptohen si ngritje tradicionale në karrierë, por si mundësi për rritje profesionale.

Ekspertët sugjerojnë që kompanitë të ndalojnë së trajtuari punonjësit në mesin apo fundin e karrierës si “produkte të përfunduara”. Nëse një person në të pesëdhjetat ka ende dy dekada pune përpara, investimi në zhvillimin e tij duhet të jetë po aq prioritar sa për talentet e reja. Përvoja po shihet gjithnjë e më shumë si një aset që sjell stabilitet dhe perspektivë në industri me ritme të shpejta ndryshimi.

Një model i ri që po përhapet është mësimi i përhershëm dhe bashkëpunimi ndërbrezor. Punonjësit e rinj ndajnë njohuri mbi teknologjitë më të fundit, ndërsa ata me përvojë kontribuojnë me aftësi në komunikim, menaxhim dhe marrëdhënie me klientët. Kjo qasje synon të zhdukë stigmatizimin e rikualifikimit si diçka që u përket vetëm fillestarëve.

Edhe organizata si Banka e Anglisë po shohin rritje të karrierave të dyta. Shembulli i Kim Aitchison, e cila iu bashkua institucionit në fund të të pesëdhjetave pas një ndërprerjeje 30-vjeçare për të rritur familjen, ilustron këtë realitet të ri. Përmes një programi rikthimi në punë, ajo rifilloi karrierën, fitoi aftësi të reja dixhitale dhe sot mentoron kolegë më të rinj.

Megjithatë, zgjatja e karrierës sjell edhe sfida, pasi pozicionet drejtuese mund të mbahen më gjatë, duke rrezikuar të kufizojnë avancimin e talenteve të reja. Për të balancuar këtë situatë, shumë kompani po investojnë në mentorim të ndërsjellë, programe ndërbrezore dhe trajnime për tranzicionin drejt pensionit.

Në një ekonomi ku njerëzit jetojnë dhe punojnë më gjatë, mesazhi që po fiton terren është i qartë: aftësitë nuk skadojnë me moshën, por kërkojnë përditësim të vazhdueshëm. Sfida për bizneset nuk është mosha e punonjësve, por aftësia për të krijuar mundësi mësimi dhe zhvillimi për të gjithë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0