Çfarë është modeli i Singaporit? Zhvillimi përballë mungesës së burimeve - Business Magazine Albania

Çfarë është modeli i Singaporit? Zhvillimi përballë mungesës së burimeve

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Nga Geron Kamberi* – Shteti ishullor i Singaporit konsiderohet një nga historitë më të mëdha të suksesit në Azinë Juglindore. Vendi, i cili në vitet ’60 të shekullit XX nisi rrugëtimin e pavarësisë me shumë pak mundësi financiare dhe me problematika të shumta zhvillimi, ka ndërtuar tashmë një model që e ka shndërruar në një nga qytetet më të zhvilluara në nivel global.

Është një qytet-shtet ku janë gërshetuar elemente të kapitalizmit klasik me politika sociale, veçanërisht në fushën e strehimit dhe shëndetësisë, të cilat kanë sjellë begati ekonomike dhe stabilitet shoqëror.

Suksesi i jashtëzakonshëm i modelit të Singaporit mund të ilustrohet me një statistikë të thjeshtë: një vend me rreth 1% të popullsisë së Kinës arrin të prodhojë afërsisht 11% të PBB-së së saj, duke pasur një nga sektorët më të fuqishëm të eksportit në botë. Ky sektor eksporti ka bërë që Singapori të renditet ndër 10 vendet me rezervat valutore më të mëdha globalisht.

Përtej traditës, historisë, rrethanave, kulturës së punës dhe tolerancës zero ndaj korrupsionit, historia e suksesit të këtij vendi është interesante jo vetëm si fakt apo kuriozitet, por si një mësim për të shmangur alibitë tona për dështimin, kur të tjerët kanë arritur sukses pa pasur burime natyrore, por falë vullnetit, vizionit dhe disiplinës.

Historia dhe gjeografia: mes fatit dhe fatalitetit

Singapori, zyrtarisht Republika e Singaporit, është një shtet ishullor dhe qytet-shtet në Azinë Juglindore, me një sipërfaqe prej vetëm 734 km² dhe rreth 5.7 milionë banorë. I ndodhur në një pozicion strategjik detar, ai kufizohet me Ngushticën e Malakës në perëndim, Ngushticën e Singaporit në jug, Detin e Kinës Jugore në lindje dhe Ngushticën e Johorit në veri.

Territori përfshin një ishull kryesor – Pulau Ujong – si dhe 63 ishuj satelitorë dhe periferikë, ndër të cilët Jurong, Pulau Tekong, Pulau Ubin dhe Sentosa janë më të mëdhenjtë. Pika më e lartë natyrore është kodra Bukit Timah, 166 metra mbi nivelin e detit.

Klima është tropikale, pa dallime të theksuara mes stinëve, me reshje të shpeshta pasdite. Sipërfaqja e përgjithshme është rritur me rreth 25% që nga pavarësia, falë projekteve të bonifikimit të tokës.

Popullsia përbëhet nga 75.2% kinezë, 13.6% malajzianë, 8.8% indianë dhe 2.4% euroaziatikë e grupe të tjera. Singapori është vendi i dytë në botë për nga dendësia e popullsisë, pas Monakos, pa llogaritur Hong Kongun dhe Makaon. Megjithatë, përmes planifikimit urban të kujdesshëm, ai ruan hapësira të shumta të gjelbra dhe rekreative.

Lexo edhe: Si u krijuan guidat dhe yjet Michelin për restorantet

Ka katër gjuhë zyrtare: anglishten, malajzishten, mandarinishten dhe tamilishten. Anglishtja është lingua franca dhe përdoret gjerësisht në administratë, arsim dhe shërbime publike. Karakteri multietnik është i sanksionuar në Kushtetutë dhe ndikon drejtpërdrejt në politikat e arsimit, strehimit dhe përfaqësimit politik.

Historia moderne e Singaporit fillon në vitin 1819, kur Stamford Raffles e themeloi si pikë tregtare të Perandorisë Britanike. Pas Luftës së Dytë Botërore dhe një periudhe të shkurtër brenda Federatës së Malajzisë, Singapori u bë shtet i pavarur më 9 gusht 1965, nën drejtimin e Lee Kuan Yew.

Singapori pas Luftës së Dytë Botërore: identitet drejt pavarësisë

Pas Luftës së Dytë Botërore, infrastruktura ishte shkatërruar pothuajse plotësisht. Mungesa e ushqimit solli kequshqyerje, sëmundje, rritje të krimit dhe trazira sociale. Në zgjedhjet e vitit 1959 fitoi Partia e Veprimit Popullor (PAP), e cila mbetet në pushtet deri sot.

Theksi mbi industrializimin e shpejtë, disiplinën fiskale, investimet e huaja direkte dhe kontrollin e korrupsionit shndërruan Singaporin nga një vend në zhvillim në një ekonomi me të ardhura të larta brenda pak dekadash.

Ai u bë një nga “Katër Tigrat Aziatikë”, së bashku me Hong Kongun, Korenë e Jugut dhe Tajvanin.

Lee Kuan Yew: arkitekti i transformimit

Themeluesi dhe kryeministri i parë, Lee Kuan Yew, shërbeu për 31 vite (1959–1990). Ai u përball me papunësi të lartë, mungesë strehimi, tensione etnike dhe kërcënime të jashtme.

Përmes krijimit të Bordit të Zhvillimit Ekonomik (EDB), tërheqjes së korporatave shumëkombëshe si Texas Instruments, Hewlett-Packard dhe General Electric, si dhe përmes një legjislacioni të ashpër kundër korrupsionit, ai vendosi themelet e një shteti funksional dhe konkurrues.

Byroja e Hetimit të Praktikave Korruptive (CPIB) mori kompetenca të zgjeruara hetimore, ndërsa pagat e larta për zyrtarët publikë u konsideruan mjet për të garantuar integritetin institucional.

Një model i përzier që funksionon

Modeli i Singaporit është një përzierje pragmatike mes kapitalizmit të hapur dhe ndërhyrjes së fortë shtetërore në fusha strategjike.

• 90% e popullsisë zotëron shtëpinë e vet përmes projekteve publike të strehimit (HDB).
• Sistemi shëndetësor është i subvencionuar dhe mbështetet nga skema e kursimeve të detyruara Medisave.
• Taksat janë të ulëta (17% për korporatat).
• Shpenzimet qeveritare mbahen nën 20% të PBB-së.
• Pagat e burokratëve janë të lidhura me performancën ekonomike.

Në thelb, Singapori ndërtoi një sistem ku tregu i lirë, disiplinimi shtetëror, meritokracia dhe politikat sociale bashkëjetojnë.

Modeli i Singaporit nuk është thjesht histori suksesi ekonomik. Është një dëshmi se mungesa e burimeve natyrore nuk është pengesë fatale nëse ekziston vizion, disiplinë institucionale dhe tolerancë zero ndaj korrupsionit.

Është një model që sfidon justifikimet e zakonshme të vendeve të vogla dhe dëshmon se zhvillimi është çështje zgjedhjeje strategjike, jo thjesht fati.

*Geron Kamberi është studiues i Asociuar për Politikat Europiane pranë Qendrës për Studimin e Demokracisë e Qeverisjes (CSDG). Që nga viti 2007, ai  është angazhuar si studiues i asociuar pranë disa think tanke shqiptare, të fokusuar në analizën e politikave publike dhe veçanërisht në çështjet e lidhura me integrimin europian.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0