Drejtori Ekzekutiv i Meta Platforms, Mark Zuckerberg, mohoi gjatë një gjyqi të rëndësishëm në Los Angeles se Facebook dhe Instagram synojnë fëmijët nën moshën 13 vjeç, pavarësisht se në sallën e gjyqit u paraqitën dokumente të brendshme që sugjerojnë se kjo grupmoshë ka qenë pjesë e strategjisë së rritjes së kompanisë.
Zuckerberg u thirr si dëshmitar në një proces gjyqësor ku një grua nga Kalifornia padit Instagramin dhe YouTube-in e Google, duke pretenduar se këto platforma i kanë shkaktuar dëme serioze në shëndetin mendor gjatë fëmijërisë së saj. Ajo pretendon se kompanitë kanë kërkuar të përfitojnë financiarisht duke “varur” fëmijët pas rrjeteve sociale, ndonëse kanë qenë të vetëdijshme për pasojat negative që këto platforma mund të kenë në shëndetin mendor të të rinjve.
Avokati i paditëses, Mark Lanier, e përballi Zuckerberg-un me deklaratat e tij të mëparshme në Kongres në vitin 2024, ku ai kishte thënë se përdoruesit nën 13 vjeç nuk lejohen në Instagram. Në gjyq u shfaqën dokumente të brendshme të Meta-s që tregonin diskutime strategjike për tërheqjen e përdoruesve shumë të rinj.
“Nëse duam të fitojmë vërtet me adoleshentët, duhet t’i sjellim që në moshën ‘tween’,” thuhej në një prezantim të brendshëm të Instagram-it nga viti 2018. “Dhe megjithatë ju thoni se nuk do ta bënim kurrë këtë,” iu drejtua Lanier Zuckerberg-ut.
Zuckerberg u përgjigj se deklaratat e avokatit po “keqinterpretonin” fjalët e tij, duke theksuar se Meta ka diskutuar ndër vite për mënyra se si fëmijët mund të përdorin shërbime më të sigurta, përfshirë idenë e një versioni të Instagram për fëmijët nën 13 vjeç, por që nuk u realizua kurrë.
Nëse humbet këtë çështje, Meta rrezikon të përballet me dëmshpërblime të mëdha. Procesi është pjesë e një vale padish kundër kompanive të rrjeteve sociale në SHBA, që lidhen me ndikimin e platformave tek shëndeti mendor i të rinjve. Ndërkohë, Snap dhe TikTok kanë arritur marrëveshje me paditësen para fillimit të gjyqit.
Në një email të brendshëm, Nick Clegg, ish-zv.president i Meta-s për çështjet globale, shkruante se “kufijtë e moshës janë të pazbatuar (apo të pazbatueshëm?)” dhe se politikat e ndryshme mes Instagramit dhe Facebook-ut e bëjnë të vështirë të pretendohet se kompania po bën gjithçka që mundet për mbrojtjen e të miturve. Zuckerberg deklaroi se verifikimi i moshës së përdoruesve është i vështirë për aplikacionet dhe se përgjegjësia duhet të jetë kryesisht e prodhuesve të pajisjeve mobile. Ai shtoi se adoleshentët në Instagram përbëjnë më pak se 1% të të ardhurave të kompanisë.
Lexo edhe:Tregu hyn në fazën: Ka punë, por nuk ka punonjës
Maksimizimi i kohës në platformë
Zuckerberg u pyet gjithashtu për deklaratën e tij në Kongres në vitin 2021, ku kishte thënë se nuk u kishte vendosur ekipeve të Instagram-it objektivin për të maksimizuar kohën që përdoruesit kalojnë në aplikacion. Avokati i paditëses paraqiti email-e nga vitet 2014 dhe 2015 ku Zuckerberg fliste për synimin e rritjes me përqindje dyshifrore të kohës së përdorimit. Zuckerberg pranoi se në të kaluarën kompania ka pasur objektiva të lidhura me rritjen e kohës së përdorimit, por theksoi se qasja ka ndryshuar ndër vite.
Juristët panë gjithashtu një dokument nga viti 2022 ku parashikohej rritja graduale e kohës mesatare ditore në Instagram nga 40 minuta në 2023 në 46 minuta në 2026. Zuckerberg tha se këto nuk janë “qëllime”, por thjesht një vlerësim orientues për menaxhmentin. Në mbrojtje të kompanisë, avokati i Meta-s argumentoi se objektivi kryesor është përvoja e mirë e përdoruesve dhe se rritja e përdorimit vjen si pasojë e kësaj.
Një çështje testuese për industrinë e teknologjisë
Kjo padi konsiderohet si një rast testues për mijëra procese të tjera gjyqësore në SHBA kundër Meta-s, Google, Snap dhe TikTok, të ngritura nga familje, shkolla dhe autoritete shtetërore që i akuzojnë këto kompani për nxitjen e krizës së shëndetit mendor tek të rinjtë.
Një vendim kundër kompanive të teknologjisë mund të dobësojë mbrojtjen ligjore tradicionale të Big Tech ndaj padive për dëme të shkaktuara nga përdorimi i platformave. Ndryshe nga rastet e mëparshme që lidhen me përmbajtjen e publikuar nga përdoruesit, këto procese fokusohen në mënyrën se si janë dizajnuar dhe operuar platformat.
Ndër vite, raportime investigative kanë zbuluar se brenda Meta-s ka pasur njohuri për rreziqet ndaj shëndetit mendor të të rinjve. Studime të brendshme kanë treguar se Instagram mund të ndikojë negativisht në imazhin e trupit tek disa adoleshentë dhe t’i ekspozojë ata më shpesh ndaj përmbajtjeve të lidhura me çrregullimet e të ushqyerit.
Në një kontekst më të gjerë global, disa shtete kanë filluar të kufizojnë aksesin e të miturve në rrjetet sociale. Australia ka ndaluar përdorimin e platformave sociale për nën 16-vjeçarët, ndërsa shtete të tjera po shqyrtojnë masa të ngjashme. Në SHBA, Florida ka ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 14 vjeç, megjithëse ligji po sfidohet në gjykatë nga grupet e industrisë së teknologjisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto