- Business Magazine Albania

Gen Z: Një brez që pi më pak alkool, por duke paguar çmimin e vetmisë?

Turistët nuk po kërkojnë më vetëm detin, diellin apo guidat kulturore. Në valixhen e eksperiencës shqiptare, gjithnjë e më shpesh po futen edhe shijet lokale, nga gota e rakisë tradicionale, te konjaku vendas apo verërat e bardha që po kthehen në pjesë të identitetit gastronomik të destinacionit.

Në një kohë kur turizmi po riformaton konsumin dhe prodhimin vendas, industria e pijeve alkoolike po ndjen drejtpërdrejt efektin e këtij ndryshimi, duke u kthyer në një nga sektorët që po përfiton nga rritja e fluksit të vizitorëve të huaj.

Në këtë sfond, të dhënat tregojnë një rimëkëmbje të prodhimit gjatë vitit 2025, e nxitur kryesisht nga kërkesa në rritje për pijet autoktone shqiptare.

Në vitin 2024, kompanitë vendase prodhuan 268,3 mijë litra alkool sipas të dhënave të Doganave. Krahasuar me periudhën paraardhëse, prodhimi i pijeve alkoolike ra me 28%.

Gjatë 2025, sasia e prodhuar e pijeve alkoolike u rrit ndjeshëm. Sipas të dhënave, për muajt janar–nëntor 2025 u prodhua një sasi prej 315,8 mijë litrash pije alkoolike.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, prodhimi u rrit me 27%.

Në raport me periudhën para pandemisë së Covid-19, prodhimi është pakësuar me 48,4%.

Prodhuesit vendas pohojnë se tendenca rritëse e prodhimit gjatë 2025 është ndikuar nga rritja e kërkesës së turistëve, veçanërisht për pijet autoktone vendase, siç është konjaku, rakia apo vera e bardhë.

Denis Zhilla, drejtor i përgjithshëm i kantinës së pijeve alkoolike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, thotë se rreth 50% e konsumit total të pijeve alkoolike për 2025 u mbështet nga turistët.

Sipas tij, pijet më të preferuara janë konjaku dhe rakia – prodhim tradicional vendas, ndërsa vera, kryesisht e bardhë, pëlqehet më shumë nga moshat e reja.

Zoti Zhilla thotë se, të ndikuar nga rritja e kërkesës së turistëve për pije alkoolike të forta, këtë vit, kantina parashikon të shtojë gamën e prodhimit të pijeve alkoolike, si uiski, xhin apo vodka.

Lexo edhe: “Ta çojmë Plisin Shqiptar në UNESCO”, bëhu pjesë e këtij kapitulli historik

Turizmi rrit importet për uiskin, xhinin, tekilën

Për vitin 2024, importet e pijeve alkoolike – uiski, xhin, vodka, uzo, tekila, konjak – u rritën me rreth 3% në raport me vitin paraardhës. Nga të dhënat rezulton se që prej vitit 2019, importi i pijeve alkoolike ka arritur nivelin më të lartë në vitin 2024.

Rritja e importeve vijoi edhe gjatë 2025-s. Për periudhën janar-nëntor importet u rritën me 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-s. Në raport me periudhën para pandemisë së Covid-19, importet janë rritur rreth 87%.

Përfaqësuesit e kompanive importuese pohojnë se zgjerimi i kërkesës ndikohet nga turizmi, pasi pijet alkoolike konsumohen më tepër në bare dhe restorante. Ata theksojnë se konsumohen më tepër pijet alkoolike me çmime të lira, duke ndikuar në marzhet e fitimeve të kompanive.

Në konsum, tregu dominohet nga pijet alkoolike të huaja

Konsumi i pijeve alkoolike në Shqipëri mbështetet kryesisht në produktet e importuara, ndërkohë që prodhimi vendas po zvogëlohet si pjesë e tregut total. Kjo tregon rritje të varësisë nga importet në sektorin e pijeve alkoolike gjatë këtyre viteve.

Sipas të dhënave të Doganave, në periudhën janar-nëntor 2019, prodhimi vendas përbënte rreth 37% të konsumit total të pijeve alkoolike, ndërsa importi ishte 63%.

Gjatë viteve, prodhimi vendas ka rënë në mënyrë të ndjeshme, duke arritur në 14% në periudhën janar-nëntor 2025. Ndërsa importi është rritur gjatë këtyre viteve, duke përbërë rreth 86% të konsumit për muajt janar-nëntor 2025.

Sasia e prodhimit vendas ka pasur luhatje, duke rënë ndjeshëm në vitet 2023 dhe 2024, por ka pasur rritje prej 25% në muajt janar-nëntor 2025 në raport me të njëjtën periudhë të 2024-s.

Ndërsa importi i pijeve alkoolike në vlerë absolute është rritur vazhdimisht që nga 2019, duke arritur në një sasi mbi 1,9 milionë litra për janar-nëntor 2025, sasia më e lartë e importuar që prej 2019-s.

Prodhuesit vendas pohojnë se një nga arsyet kryesore të humbjes së konkurrueshmërisë është kostoja e lartë e prodhimit, veçanërisht nga akciza e lartë dhe çmimet e shtrenjta të materialeve ambalazhuese. Sipas tyre, rritja e akcizës për pijet alkoolike nga 1 janari 2023 vazhdon të ndikojë negativisht prodhimin. Akciza zë 40% të vlerës për një shishe 700 ml.

“Problem për industrinë vijon të jetë kostoja e lartë e prodhimit për shkak të rritjes së detyrimit për akcizën. Konkretisht, nëse një shishe konjak të sasisë 700 ml shitet me çmim 5.6 euro, rreth 2.4 euro është pagesa për akcizën. Nga taksat e larta, kostoja prodhuese vazhdon të jetë e lartë”, nënvizon z. Zhilla.

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për akcizat” nga 1 janari 2023 u unifikua edhe akciza e pijeve të forta alkoolike me nivel tarife 84,500 lekë për HL alkool. Para ndryshimeve, akciza ishte 65,000 lekë për Hl për prodhuesit vendas dhe të huaj deri në 20,000 hl/vit. Për fashën prodhuese mbi 20,000 hl/vit, akciza ishte 84,500 lekë për Hl.

Në janar 2023, për shkak të ndryshimit të akcizës, prodhuesit vendas shtrenjtuan çmimet e pijeve alkoolike deri në 20%. Shtrenjtimi i çmimeve solli rënie konsumi, duke detyruar prodhuesit të pakësojnë prodhimin.

Për shkak të rënies së kërkesës, sipas Denis Zhillës, drejtues i kantinës së pijeve alkoolike vendase “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, çmimet e shitjes së pijeve alkoolike kanë mbetur të pandryshuara prej vitit 2023.

Z. Zhilla thotë se nuk parashikojnë t’i rrisin çmimet e shitjes edhe gjatë 2026-s, pasi rritja e tyre do të ndikonte negativisht te konsumi.

Lexo edhe: Wi-Fi publik falas në 61 bashki përmes nismës WiFi4WB

Pse po bie konsumi i pijeve alkoolike në botë

Konsumi i pijeve alkoolike në botë po pëson rënie të ndjeshme dhe kjo ndikohet nga parimet që po ndjekin breza të ndryshëm mbi mënyrën e jetesës. Në korrik 2025, revista “Wine Business” publikoi gjetjet e një ankete të saj që tregonin se konsumatorët e moshës mes 20-40 vjeç po pinin më pak verë se më parë.

Anketa tregoi se rënia e konsumit ndikohej sidomos nga ideja e kursimit të këtij grupi, që e konsideronin vlerën e asaj që merrnin më të ulët se çmimi që po paguanin.

Në shtator të vitit të shkuar, edhe “The Guardian”, publikoi një artikull ku shkruhej se ka ndryshuar qasja e brezave ndaj alkoolit, përfshirë verën, ku Gen Z dhe Millennials rendisnin si faktor koston dhe rreziqet e shëndetit dhe prirjen për t’i zëvendësuar këto me kokteje dhe marijuanë.

Revista “Fortune” shkruante pak ditë më parë se Gjenerata Z po pi 20% më pak se Millennials. Teksa këto janë tendencat globale, Shqipëria nuk bën përjashtim në këtë trend.

The Economist në shkrimin me titull “Verë dhe peizazh” ngre problematikën e zhdukjes së vreshtave në zonat jugore të Francës, për shkak të ndryshimeve klimaterike, veçanërisht thatësirës dhe rënies së konsumit te të rinjtë.

Brezi Z, sipas një studimi francez, mendon se vera është “e ndërlikuar” dhe kryesisht për “njerëz të moshuar”. Përveç verës së ftohtë rose gjatë verës, të rinjtë preferojnë pijet e forta, birrën ose pije pa alkool.

Gati një e katërta e të rriturve francezë nën moshën 25 vjeç nuk konsumojnë alkool fare. Pjesa e francezëve të të gjitha moshave që pinë një gotë verë çdo ditë ka rënë nga 51% në vitin 1980 në 11% sot. Në mënyrë paradoksale, verërat e lira kanë vuajtur më shumë. “Njerëzit parapëlqejnë të blejnë një shishe të mirë vere sesa të pinë sasi”, thotë një prodhues vere pranë Baixas.

Sipas “The Economist”, industria po përpiqet të përshtatet me këtë ndryshim konsumi. Prodhuesit e verës po lëvizin drejt segmentit më të shtrenjtë, ose drejt verërave të modës së re “natyrale”, të prodhuara në mënyrë organike dhe natyrale. Disa ish-kultivues të rrushit po orientohen drejt ullinjve, shegëve, fistikëve, piperit dhe kulturave të tjera që i rezistojnë thatësirës.

Për vizitorët, ndryshimi i peizazhit është një humbje. Ndër ata që punojnë tokën, duket se mbizotëron më shumë dorëheqja sesa pendesa. “Pak nga pak, vreshtat do të shkulen, në një mënyrë apo në një tjetër.

Me kalimin e kohës do të mbeten vetëm disa kultivues vere”.

“The Economist” në artikullin mbi industrinë e alkoolit thotë se, edhe pse të rinjtë po pinë më pak dhe ka rritje të ndërgjegjësimit për shëndetin, industria globale e alkoolit vazhdon të zgjerohet. Konsumatorët ndryshojnë mënyrën e pirjes — po pinë më pak sasi, por me cilësi më të lartë, duke përfshirë birra artizanale, verë natyrale, pije të gatshme dhe versione pa alkool.

Tregjet perëndimore po shohin rënie të konsumit, por tregjet në zhvillim, si India, Brazili dhe Afrika e Jugut, po kompensojnë këtë rënie, duke bërë që industria të mbetet e fortë globalisht.

Në një tjetër shkrim për industrinë e alkoolit me titull “Gjysmë bosh apo gjysmë plot” “The Economist” thekson se, edhe pse të rinjtë po pinë më pak, industria globale e alkoolit vazhdon të jetë e fortë dhe në zgjerim.

Në shkrim vërehet se brezat e rinj po ndryshojnë mënyrën e konsumit, por nuk heqin dorë nga alkooli. “Disa vite më parë njerëzit bënin ‘pushim nga alkooli’ vetëm në janar, por tani e praktikojnë gjatë gjithë vitit”, – thotë Nate Roberts, menaxher në pubin Lucky Saint në Londër, ku rreth 15% e shitjeve bëhen me birrë pa alkool.

“The Economist” nënvizon se faktorë të ndryshëm e kanë bërë tregun më sfidues në Perëndim. Politikëbërësit po theksojnë se nuk ka një nivel të sigurt konsumi alkooli, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë e përfshiu alkoolin në të njëjtën kategori me duhanin dhe ushqimet ultra të përpunuara si shkaktar kryesor të sëmundjeve jo të transmetueshme. Artikulli citon se në SHBA vetëm 54% e të anketuarve thanë se konsumonin alkool, niveli më i ulët në pothuajse 90 vjet.

Megjithatë, industria nuk është duke u tkurrur. Artikulli tregon se “shpenzimet për pije alkoolike kanë vazhduar të rriten, dhe njerëzit po zhvendosen drejt pijeve më të shtrenjta”,- duke treguar një transformim në mënyrën e konsumit.

Tregjet në zhvillim, përfshirë Indi, Brazil dhe Afrikën e Jugut, po mbajnë industrinë në rritje, dhe sipas Deutsche Bank, “tregjet në zhvillim kontribuuan me mbi 65% të fitimeve operative të kompanive të mëdha të birrës.”

“The Economist” gjithashtu përmend ndryshimet në zakonet e konsumit: njerëzit po pinë më pak por me më shumë cilësi, për shembull birra artizanale, verë natyrale dhe pije të gatshme.

Edhe versionet pa alkool po rriten, siç shihet nga shitjet e Heineken 0.0 dhe Guinness 0.0, dhe parashikohet që shitjet globale të birrës pa alkool të arrijnë 28,6 miliardë dollarë, mbi 11% më shumë se në vitin e kaluar.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Përpiqu të mos bëhesh një njeri i suksesit, por një njeri i vlerave.”
— Albert Einstein
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0