Bashkimi Europian po shqyrton masa të përkohshme për të mbrojtur konkurrencën efektive në fushën e inteligjencës artificiale, duke ndaluar Meta-n të kufizojë aksesin e konkurrentëve në WhatsApp. “Ne duhet të mbrojmë konkurrencën efektive në këtë sektor të gjallë, që do të thotë se nuk mund të lejojmë që kompanitë dominuese teknologjike të shfrytëzojnë dominimin e tyre për të përfituar padrejtësisht,” tha kreu i antitrustit të BE-së, Teresa Ribera.
“Për këtë arsye, po konsiderojmë të vendosim shpejt masa të përkohshme ndaj Meta-s, për të ruajtur aksesin e konkurrentëve në WhatsApp gjatë hetimit dhe për të parandaluar që politika e re e Meta-s të dëmtojë konkurrencën në Evropë në mënyrë të pakthyeshme.”
Meta tha se nuk ka arsye që BE-ja të ndërhyjë. “Ka shumë opsione të AI-së dhe njerëzit mund t’i përdorin ato përmes dyqaneve të aplikacioneve, sistemeve operative, pajisjeve, faqeve të internetit dhe partneriteteve industriale,” tha një zëdhënës i Meta-s në një email. “Logjika e Komisionit supozon gabimisht se WhatsApp Business API (softueri) është një kanal kyç për shpërndarjen e këtyre chatbot-eve.”
Meta zbatonte politikën e saj që nga 15 janari, duke lejuar vetëm asistentin e saj Meta AI në WhatsApp.
Vendimi i Komisionit për vendosjen e masave të përkohshme do të varet nga përgjigjja e Meta-s dhe respektimi i të drejtave të saj për mbrojtje, tha rregullatori.
Ky hetim i BE-së nënvizon vendosmërinë e bllokut për të zbatuar rregullat e tij të antitrustit, pavarësisht kritikave nga Shtetet e Bashkuara mbi veprimet europiane kundër kompanive të mëdha teknologjike amerikane.
Një gjykatë braziliane muajin e kaluar suspendoi një masë të përkohshme të agjencisë antitrust të vendit kundër Meta-s për të njëjtin çështje.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.