Pandora kalon nga argjendi te platini, ndërsa çmimet e metaleve të çmuara rriten - Business Magazine Albania

Pandora kalon nga argjendi te platini, ndërsa çmimet e metaleve të çmuara rriten

Kompania daneze e bizhuterive Pandora ka njoftuar se do të nisë kalimin nga argjendi te platini në disa prej linjave të saj të produkteve, si përgjigje ndaj rritjes së fortë të çmimit të argjendit në tregjet ndërkombëtare.

Gjatë vitit të fundit, çmimi i argjendit është më shumë se dyfishuar, ndërsa edhe metalet e tjera të çmuara kanë shënuar rritje të ndjeshme. Aktualisht, Pandora prodhon pjesën më të madhe të bizhuterive të saj nga argjendi, por kompania synon që deri në vitin 2028 ta përfundojë këtë tranzicion drejt përdorimit më të madh të platinës.

Sipas drejtuesve të kompanisë, objektivi nuk është që të gjitha bizhuteritë të jenë prej platini, por që argjendi të përfaqësojë rreth 25% të ofertës totale të produkteve. Kjo lëvizje synon të reduktojë varësinë e kompanisë nga një lëndë e parë e vetme, në një periudhë kur çmimet e metaleve janë të paqëndrueshme.

Drejtuesja ekzekutive e Pandora-s, Berta de Pablos-Barbier, është shprehur për Financial Times se është “zhgënjyese” që kompania perceptohet shpesh si një biznes i varur nga tregtimi i argjendit. Sipas saj, Pandora dëshiron të shkëputet nga imazhi i një marke të lidhur ngushtë me një metal të vetëm dhe të pozicionohet më fort si brand global bizhuterish.

Lexo edhe: Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO

Kompania thekson se platini ofron performancë më të mirë për përdorim të përditshëm krahasuar me argjendin dhe se testimet me konsumatorët kanë treguar një pranueshmëri të lartë për këtë metal më rezistent. Megjithatë, rritja e çmimit të argjendit ka pasur një ndikim të përkohshëm në fitimet e kompanisë, duke rritur kostot e prodhimit.

Pandora është e njohur globalisht për byzylykët e saj me “charms” dhe ka prani në qendra tregtare prestigjioze në shumë vende të botës.

Së fundmi, metalet e çmuara si ari dhe argjendi janë rritur në vlerë, pasi investitorët i shohin ato si strehë të sigurt në një periudhë pasigurie gjeopolitike. Megjithatë, çmimi i argjendit ndikohet edhe nga faktorë të tjerë, pasi ai përdoret gjerësisht në industri.

“Argjendi lidhet ngushtë me shëndetin e ekonomisë globale. Ai përdoret në prodhimin e pajisjeve elektronike dhe mjekësore, paneleve diellore dhe baterive, çka do të thotë se kërkesa për këtë metal ndryshon sipas ritmit të rritjes ekonomike globale,” shpjegon Danni Hewson, drejtuese e analizës financiare në AJ Bell.

Ajo shton se argjendi u shpall mineral kritik nga SHBA në fund të vitit të kaluar dhe se çmimi i tij u rrit ndjeshëm në janar, pasi Kina shtrëngoi kontrollet mbi eksportet, duke shtuar shqetësimet për furnizimet globale tashmë të kufizuara.

BBC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0