Probleme teknike në minutën e fundit, NASA shtyn misionin histor... - Business Magazine Albania

Probleme teknike në minutën e fundit, NASA shtyn misionin historik drejt Hënës

Misioni historik Artemis 2, që synon rikthimin e njerëzimit pranë Hënës pas më shumë se pesë dekadash, është shtyrë sërish. NASA ka konfirmuar se nisja e misionit të parë me ekuipazh në programin Artemis do të vonohet të paktën një muaj për shkak të problemeve teknike të evidentuara gjatë një prove kritike para lëshimit.

Fillimisht, agjencia amerikane kishte planifikuar nisjen më 8 shkurt, por gjatë një prove gjenerale me lagështirë, një simulim i plotë i procedurës së lëshimit, inxhinierët u përballën me disa vështirësi teknike që kërkojnë analiza të mëtejshme.

NASA bëri të ditur se edhe pse testimi dy-ditor arriti shumicën e objektivave kryesorë, është e nevojshme më shumë kohë për verifikimin e të dhënave dhe përsëritjen e disa fazave të procesit.

Sipas njoftimit zyrtar, data më e hershme e mundshme e nisjes tani është zhvendosur në mars, me disa “dritare lëshimi” të planifikuara më 6, 9 dhe 11 mars nga Qendra Hapësinore Kennedy në Florida. Nëse këto afate nuk realizohen, misioni mund të shtyhet për në prill.

Problemi më serioz u shfaq gjatë mbushjes së rezervuarëve të raketës me mbi 700 mijë gallonë hidrogjen dhe oksigjen të lëngshëm. Inxhinierët zbuluan një rrjedhje hidrogjeni në një lidhje karburanti, një situatë e ngjashme me atë që shkaktoi vonesa edhe gjatë misionit Artemis 1 në vitin 2022. Për shkak të përkeqësimit të rrjedhjeve pak para përfundimit të numërimit mbrapsht, testi u ndërpre vetëm disa minuta para finalizimit.

Për momentin, katër astronautët e Artemis 2, Reed Wiseman, Victor Glover, Christina Koch dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen, nuk do të udhëtojnë drejt Floridës, derisa të përcaktohet një datë përfundimtare e nisjes.

Kur të realizohet, Artemis 2 do të shënojë një moment historik për eksplorimin hapësinor, pasi do të jetë misioni i parë me njerëz përtej orbitës së ulët të Tokës që nga viti 1972, pas Apollo 17, duke hapur rrugën për rikthimin e qëndrueshëm të njerëzimit në Hënë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0