CEO i Nvidia, Jensen Huang, ka mohuar kategorikisht zërat se investimi i kompanisë së tij në OpenAI, me vlerë deri në 100 miliardë dollarë, është vënë në pikëpyetje.
Deklarata e Huang erdhi pasi The Wall Street Journal publikoi të premten vonë një artikull ku pretendohej se Nvidia po shqyrtonte mundësinë e reduktimit të angazhimit të saj financiar ndaj OpenAI. Sipas raportit, edhe pse në shtator të vitit të kaluar dy kompanitë njoftuan një plan ambicioz, ku Nvidia do të investonte deri në 100 miliardë dollarë dhe do të ndërtonte 10 gigavat infrastrukturë kompjuterike për OpenAI, marrëveshja nuk ishte detyruese dhe së fundmi është vënë në diskutim.
WSJ shkruante gjithashtu se Huang ka shprehur privatisht kritika ndaj strategjisë së biznesit të OpenAI, si dhe shqetësime lidhur me konkurrencën në rritje nga kompani si Anthropic dhe Google. Sipas raportit, dy kompanitë po rishikojnë marrëdhënien e tyre, por jo domosdoshmërisht duke e ndërprerë atë, diskutimet e fundit thuhet se janë përqendruar në një investim më modest, prej disa dhjetëra miliardë dollarësh.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i OpenAI i tha WSJ-së se kompanitë janë “duke punuar aktivisht për detajet e partneritetit”, duke theksuar se Nvidia “ka qenë thelbësore për arritjet tona që nga fillimi, fuqizon sistemet tona sot dhe do të mbetet qendrore teksa ne zgjerohemi në të ardhmen”.
Sipas Bloomberg, gazetarët e pyetën Jensen Huang lidhur me këto raportime gjatë një vizite të tij në Taipei. Ai i quajti pretendimet “absurde” dhe këmbënguli se Nvidia do të marrë pjesë patjetër në raundin e ri të financimit të OpenAI.
“Ne patjetër do të investojmë, sepse është një investim shumë i mirë,” u shpreh Huang. “Unë besoj te OpenAI. Puna që ata bëjnë është e jashtëzakonshme. Ata janë një nga kompanitë më të rëndësishme të kohës sonë.” Ai nuk pranoi të specifikojë shumën konkrete të investimit, duke shtuar se kjo është në dorën e CEO-s së OpenAI, Sam Altman. “Le ta shpallë ai sa do të mbledhë, është vendimi i tij,” tha Huang.
Në dhjetor, The Wall Street Journal raportoi se OpenAI synon të mbledhë një raund financimi prej rreth 100 miliardë dollarësh, ndërsa The New York Times raportoi këtë javë se Nvidia, Amazon, Microsoft dhe SoftBank janë në diskutime për investime të mundshme.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.