Aktorja ikonike Catherine O’Hara, e njohur botërisht për rolet e saj në “Home Alone” dhe “Schitt’s Creek”, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare, konfirmoi menaxheri i saj për Variety. Lajmi ka tronditur industrinë e filmit dhe fansat në mbarë botën, ndërsa bashkëprotagonisti i saj në “Home Alone”, Macaulay Culkin, reagoi me një mesazh emocional në Instagram.
“Mama. Mendova se kishim ende kohë. Doja më shumë. Doja të rrija pranë teje. Të dëgjoja. Të flisja më shumë. Të dua. Do të shihemi sërish,” shkroi Culkin, duke prekur miliona ndjekës.
Shkaku zyrtar i vdekjes nuk është konfirmuar ende. Sipas Page Six, shërbimet emergjente të Los Angeles u thirrën në banesën e saj të premten në mëngjes dhe aktorja u transportua në spital në gjendje të rëndë.
O’Hara, e cila së fundmi ishte pjesë e serialit të vlerësuar nga kritika “The Studio” në Apple TV, kishte një karrierë mbi katër dekada. Ajo fitoi një Golden Globe në vitin 2021 për rolin në “Schitt’s Creek” dhe një çmim Emmy në vitin 2020, ndërsa më herët ishte vlerësuar edhe për punën e saj në serialin legjendar “SCTV”.
Karriera e saj nisi në televizionin kanadez, për t’u shndërruar më pas në një figurë kyçe të komedisë dhe kinemasë amerikane, me role të paharrueshme në filma si “Beetlejuice”. Në vitet e fundit, ajo përjetoi një rikthim të fuqishëm artistik, duke marrë nominime për Emmy edhe për projektet “The Studio” dhe “The Last of Us”.
Reagimet nga Hollywood nuk kanë munguar. Pedro Pascal e cilësoi O’Hara-n si “gjeni”, ndërsa Mike Myers e përshkroi humbjen si “një ditë e trishtë për komedinë dhe për Kanadanë”. Regjisori Ron Howard tha se aktorja “u bë gjithnjë e më brilante me kalimin e viteve”.
Catherine O’Hara lë pas dy fëmijë dhe një trashëgimi artistike që ka ndikuar breza të tërë aktorësh dhe shikuesish, duke u konsoliduar si një nga figurat më të rëndësishme të komedisë moderne.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.