CEO i Ryanair, Michael O’Leary, për përplasjen publike me Elon Musk: “Na ka rritur shitjet” - Business Magazine Albania

CEO i Ryanair, Michael O’Leary, për përplasjen publike me Elon Musk: “Na ka rritur shitjet”

CEO i Ryanair, Michael O’Leary, për përplasjen publike me Elon Musk: “Na ka rritur shitjet”

Michael O’Leary, CEO i kompanisë ajrore më të madhe në Europë, Ryanair, thotë se përplasja e tij publike me miliarderin e teknologjisë Elon Musk ka ndikuar pozitivisht në shitjen e biletave të kompanisë low-cost.

“Është shumë e mirë për rezervimet tona,” u shpreh O’Leary gjatë një konference për shtyp në Dublin të mërkurën, duke shtuar se Ryanair ka lançuar ditët e fundit një fushatë promocionale të quajtur “Big Idiot Seat Sale”. “Ne i duam këto përplasje PR-i që rrisin rezervimet te Ryanair,” tha ai, duke shtuar me humor se kompania do t’i ofronte Musk-ut edhe një biletë falas.

Përplasja nisi më 14 janar, pasi O’Leary deklaroi se Ryanair nuk ka ndërmend të instalojë teknologjinë satelitore të internetit Starlink, e zhvilluar nga kompania e Musk-ut SpaceX, për shkak të shqetësimeve mbi rezistencën aerodinamike dhe rritjen e kostove të karburantit. Në një postim në platformën X po atë ditë, Musk reagoi duke thënë se O’Leary ishte “i keqinformuar”, duke shtuar se “dyshon që ata mund ta matin saktë diferencën e konsumit të karburantit”. Ai e quajti më pas O’Leary-n “një idiot i plotë”, duke përdorur edhe gjuhë fyese.

Të premten, O’Leary iu përgjigj gjatë një interviste për radion irlandeze Newstalk: “Nuk do t’i kushtoja asnjë vëmendje Elon Musk-ut. Ai është idiot, shumë i pasur, por prapë idiot. Ajo që Elon Musk di për fluturimet dhe rezistencën aerodinamike është zero.” Megjithatë, O’Leary tha se nuk ishte fyer nga komentet: “Çdokush që ka fëmijë adoleshentë e di që shpesh të quajnë idiot apo budalla në shtëpi. Nuk kam nevojë të dal jashtë për t’u ofenduar.”

Lexo edhe: Milano, destinacioni urban më në trend për pushimet e shkurtra në 2026

Ai dha edhe më shumë detaje mbi vendimin për të mos ofruar internet Starlink në avionët e Ryanair, në një kohë kur gjithnjë e më shumë linja ajrore po e adoptojnë këtë shërbim. “Është një sistem shumë i mirë,” tha O’Leary. “Problemi është se, sapo e instalon në avion, ka kosto.”

Sipas tij, instalimi dhe kostot shtesë operative për shkak të rritjes së konsumit të karburantit nga dy antenat e nevojshme në çdo avion do t’i kushtonin Ryanair rreth 200–250 milionë dollarë në vit, për flotën prej 643 avionësh. O’Leary theksoi se këto kosto nuk mund të rikuperohen duke tarifuar pasagjerët për internetin. Edhe pse Starlink pretendon se rreth 90% e pasagjerëve janë të gatshëm të paguajnë për internet në bord, Ryanair ka konstatuar se më pak se 10% do ta bënin këtë.

Ai shprehu gjithashtu habinë që vendimi kishte çuar në një përplasje publike, e cila përfshiu edhe aludime nga Musk për blerjen e Ryanair.

“A duhet ta blej Ryanair dhe të vendos dikë që quhet realisht Ryan në krye?” shkroi Musk të premten. “Nga ana tjetër, sa do të kushtonte të të bleja?” shtoi ai në një tjetër reagim. Të mërkurën, O’Leary tha se edhe pse qytetarët jashtë Bashkimit Europian nuk mund të zotërojnë një paketë shumice në linjat ajrore europiane, ai do ta mirëpriste një investim nga Musk. “Do të ishte një investim shumë i mirë, sigurisht shumë më i mirë sesa kthimet financiare që po merr aktualisht nga X,” u shpreh ai. “Dhe e falënderojmë sinqerisht për gjithë publicitetin shtesë.”

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0