BKT drejtoi panelin “Anëtarësimi i Shqipërisë në BE: A është sistemi financiar gati? ’’Në forumin për Evropën Qendrore dhe Lindore të Financial Times - Business Magazine Albania

BKT drejtoi panelin “Anëtarësimi i Shqipërisë në BE: A është sistemi financiar gati? ’’Në forumin për Evropën Qendrore dhe Lindore të Financial Times

Dëgjo këtë artikull
AI Generated
0:00 / 0:00

Forumi për Evropën Qendrore dhe Lindore, i organizuar nga Financial Times, u rikthye në Vjenë më 13 dhe 14 janar për edicionin e tij të 31-të, duke mbledhur ministra të financave, guvernatorë të bankave qendrore, banka lidere, korporata dhe investitorë globalë. Forumi shërben për të ndërlidhur aktorët kryesorë, për të shkëmbyer ide dhe për të formësuar drejtimin e financimit dhe investimeve në të gjithë rajonin e EQL-së.

Në këtë platformë prestigjioze ndërkombëtare, Banka Kombëtare Tregtare organizoi për herë të gjashtë një panel të dedikuar për Shqipërinë. Këtë vit tema e diskutimit ishte “Anëtarësimi i Shqipërisë në BE: A është sistemi financiar gati?”, duke riafirmuar rolin e saj si një zë institucional kyç i Shqipërisë në arenën financiare ndërkombëtare. Përmes këtij organizimi, BKT vepron si një urë e rëndësishme lidhëse mes Shqipërisë dhe tregjeve globale, duke mbështetur axhendën e integrimit evropian të vendit, duke nxitur dialogun me investitorë dhe institucione ndërkombëtare dhe duke pozicionuar Shqipërinë si një destinacion investimi i besueshëm dhe konkurrues.

Lexo edhe: Guvernatori Sejko: Shqipëria në të njëjtin nivel me tregun evropian të pagesave

Paneli i diskutimit u moderua nga z. Seyhan Pencablıgil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit të BKT-së, me pjesëmarrjen e z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë, znj. Delina Ibrahimaj, Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, si dhe znj. Adela Xhemali, Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Në fjalën e tij hapëse, z. Pencablıgil theksoi se viti 2025 shënoi një pikë kthese për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si “Viti i Integrimit”, një vit në të cilin vendi kaloi me vendosmëri nga faza e përgatitjes në përafrimin praktik me Bashkimin Evropian.

Ai nënvizoi dy momente kyçe me rëndësi strategjike: hapjen e të 33 kapitujve të negociatave të BE-së dhe anëtarësimin zyrtar të Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) në tetor 2025. Sipas z. Pencablıgil, këto zhvillime tregojnë se sistemi financiar shqiptar nuk është më vetëm në proces konvergjence me Evropën, por tashmë po operon brenda infrastrukturës financiare evropiane.

Guvernatori z. Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, duke theksuar rëndësinë e investimeve të huaja direkte në mbështetje të rritjes ekonomike. Ai u ndal gjithashtu në zhvillimet në sektorin bankar shqiptar, duke theksuar se treguesit financiarë dëshmojnë për një sistem bankar të shëndetshëm, rezistent ndaj goditjeve dhe të aftë të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në drejtim të modernizimit të infrastrukturës financiare ashtu edhe të avancimit të agjendës së integrimit evropian. Aderimi i Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), e pozicionon vendin tonë në të njëjtin nivel funksional me tregun evropian të pagesave.

Znj. Ibrahimaj theksoi rolin qendror të sektorit financiar në strategjinë e Shqipërisë për anëtarësim në BE, duke vënë në pah fokusin e qeverisë në dixhitalizim, inovacion dhe rritjen e produktivitetit.

Ajo shpjegoi se Shqipëria po zbaton në mënyrë aktive Planin e Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke e përdorur atë si një instrument financiar dhe strategjik për të përshpejtuar konvergjencën me BE-në dhe për të tërhequr investime të huaja direkte me vlerë të lartë, veçanërisht në sektorët FinTech dhe ata të drejtuar nga inovacioni.

Në fjalën e saj, znj. Xhemali vuri në dukje rëndësinë kyçe të mbikëqyrjes së tregut financiar jobankar, në përputhje me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian, si dhe nevojën për rritjen e standardeve të transparencës dhe forcimin e besimit institucional.

Ajo prezantoi për të pranishmit tre komponentët themelorë të kuadrit Solvency II, të cilët përfshijnë kërkesat sasiore lidhur me mjaftueshmërinë e kapitalit dhe aftësinë paguese, standardet për qeverisjen korporative dhe menaxhimin e rrezikut, si edhe detyrimet për raportim, publikim informacioni dhe transparencë. Zbatimi i këtij kuadri pritet të sjellë përgjegjësi dhe kërkesa të shtuara, si për autoritetin mbikëqyrës, ashtu edhe për subjektet që veprojnë në sektorin e sigurimeve.

Procesi i kalimit drejt këtij regjimi të ri mbikëqyrës është planifikuar të realizohet në disa etapa, duke përfshirë fazën përgatitore, miratimin e ndryshimeve të nevojshme ligjore dhe rregullatore, si edhe zbatimin e plotë të tij.

BKT është banka më e madhe në Shqipëri me një total aktivi prej rreth 8 miliardë dollarë në baza të konsoliduara grupi bankar në fund të dhjetorit 2025, duke zotëruar gjithashtu 25% të aseteve totale të sistemit bankar në Shqipëri. Ajo operon në Shqipëri nëpërmjet 62 degëve dhe agjencive dhe u shërben më shumë se 850,000 klientëve me produkte dhe shërbime novatore. Grupi BKT përfshin Bankën Kombëtare Tregtare Kosovë me 25 degë dhe Institucionin e Parasë Elektronike BKT Pay.

Në sajë të performancës së saj të lartë BKT është vlerësuar ndër vite me çmime të ndryshme prestigjioze si “Banka më e Mirë në Shqipëri” nga institucione të mirënjohura në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar si The Banker, Global Finance, Euromoney, Emea Finance, Finance Central Europe etj. Vlerësime pozitive ka patur gjithashtu edhe nga agjenci të mirënjohura vlerësimi të kreditit si S&P Global Ratings dhe JCR Eurasia Rating apo banka korrespondente si Deutsche Bank.  Aksionari i vetëm i bankës është Çalık Holding, themeluar në vitin 1981 në Stamboll që operon në sektorë të ndryshëm duke përfshirë atë të energjisë, ndërtimit, tekstileve, minierave dhe financës.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0