Pak metra larg dritave verbuese të kazinove dhe ajrit të rënduar nga tymi i cigareve në Las Vegas, mijëra njerëz të fiksuar pas shëndetit u mblodhën në një sallë konferencash për të ndarë dhe testuar “sekretet” e tyre për një jetë më të gjatë. Disa infuzuan ozon në gjak, të tjerë qëndruan mbi platforma vibruese, provuan suplemente të ndryshme apo bënë skanime të organeve të brendshme, si mëlçia.
Ky takim i operatorëve të klinikave wellness, mjekëve dhe entuziastëve të anti-plakjes ofroi një pamje të qartë të një industrie në rritje të shpejtë, e ndërtuar mbi premtimin e një jete më të gjatë, më të shëndetshme dhe më energjike. Në qendër të saj janë klientë të zhgënjyer ose skeptikë ndaj sistemit tradicional të kujdesit shëndetësor, të gatshëm të marrin rreziqe me trajtime ende të paprovuara shkencërisht dhe të shpenzojnë shuma të jashtëzakonshme parash për të zgjatur jetën. “Gjithmonë ka diçka të re në biznesin e jetëgjatësisë,” thotë Veronica Zarco, partnere në një klinikë në Miami Beach, pasi testoi një shtrat me dritë që kushton rreth 60 mijë dollarë. “Duam të jemi gjithmonë një hap përpara.” Mjekësia e jetëgjatësisë është futur fuqishëm në rrjedhën kryesore vitet e fundit, e nxitur nga miliarda dollarë investime private, mbështetje nga figura me ndikim politik dhe lobim aktiv në nivel shtetëror dhe federal. Megjithatë, entuziazmi për këtë industri ka ecur më shpejt se provat shkencore dhe rregulloret federale që do të garantonin standarde bazë sigurie dhe efikasiteti.
Në thelb, mjekësia anti-plakje bazohet në një realitet të thjeshtë biologjik: sa më shumë plakemi, aq më të dobëta bëhen zemra, kockat dhe sistemi ynë imunitar, duke rritur rrezikun për sëmundje si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe demenca. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, amerikani mesatar vdes rreth moshës 76-vjeçare, me dekadën e fundit të jetës shpesh të shoqëruar nga shëndet i dobët. Ekspertët e jetëgjatësisë besojnë se nëse procesi i plakjes mund të ngadalësohet, shumë nga këto sëmundje mund të shmangen dhe vitet e jetës të jenë më cilësore.
Studimi i plakjes njerëzore po merr gjithnjë e më shumë vëmendje akademike, me universitete prestigjioze që kërkojnë mënyra për të ngadalësuar apo kthyer pas rënien natyrore të funksioneve trupore. Paralelisht, kritikët paralajmërojnë se mjekësia e jetëgjatësisë funksionon në një zonë gri rregullatore, ku influencuesit promovojnë protokolle të rrezikshme dhe klinikat shpesh ekzagjerojnë përfitimet e trajtimeve.
Lexo edhe: 90 mijë bileta të Eurovision shiten me shpejtësi rekord!
“Një pjesë e madhe e kësaj hapësire dominohet nga influencues mjekësorë, jo nga shkencëtarë,” shprehet Douglas Vaughan, drejtor i një instituti të jetëgjatësisë pranë Northwestern Medicine. Sipas tij, shkenca është ende në fazën e zbulimit dhe synimi duhet të jetë gjetja e ndërhyrjeve që janë të sigurta, efektive dhe të përballueshme për shumicën e popullsisë.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave nuk e klasifikon plakjen si sëmundje, por si një proces natyror universal. Për pasojë, nuk ekziston një rrugë e qartë rregullatore për miratimin e barnave që synojnë drejtpërdrejt plakjen. Megjithatë, kapitali vazhdon të rrjedhë me ritme rekord. Investimet globale në kompani të fokusuar në jetëgjatësi arritën mbi 8 miliardë dollarë në vitin 2024, një rritje dramatike krahasuar me vitin e mëparshëm. Tregu global i shërbimeve dhe produkteve që synojnë zgjatjen e jetës pritet të afrohet drejt dy trilionë dollarëve brenda dekadës së ardhshme.
Figura të njohura nga Silicon Valley kanë qenë në krye të disa prej investimeve më të mëdha, duke financuar startup-e që synojnë rinimin e qelizave apo shtimin e viteve të shëndetshme të jetës njerëzore. Ndërkohë, ndikimi politik i industrisë është rritur ndjeshëm, me mbështetës të saj që tashmë mbajnë poste të rëndësishme në qeveri dhe promovojnë një qasje më të lirshme ndaj përdorimit të trajtimeve eksperimentale.
Kërkesa në rritje nga konsumatorët ka sjellë hapjen e qindra klinikave të jetëgjatësisë në SHBA, të cilat shpesh tarifojnë dhjetëra mijëra dollarë për një vizitë të vetme. Trajtimet më të zakonshme përfshijnë infuzione të molekulës NAD+, dhoma oksigjeni me presion të lartë dhe terapi për largimin e metaleve të rënda nga trupi. Asnjë prej këtyre metodave nuk është provuar në studime të gjera klinike si zgjidhje për ngadalësimin e plakjes.
Për shumë klientë, tërheqja ndaj këtyre trajtimeve vjen nga pakënaqësia me sistemin tradicional të shëndetësisë, i cili fokusohet më shumë në trajtimin e sëmundjes sesa në parandalimin e rënies fizike. Disa janë të vetëdijshëm se efektet mund të jenë placebo, por për ta, ndjesia e mirëqenies dhe “gëzimi për të jetuar” janë vlera të mjaftueshme.
Ndërsa industria vazhdon të rritet me shpejtësi, ekspertët paralajmërojnë se pa rregullim dhe prova shkencore të forta, kufiri mes inovacionit dhe rrezikut mbetet i paqartë. Megjithatë, përkrahësit e saj janë të bindur se jemi në prag të një epoke të re, ku mosha 60-vjeçare do të perceptohet si 40 dhe jeta e gjatë do të jetë jo përjashtim, por standard i ri.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.