Bill Gates paralajmëron: AI mund të përdoret si armë bioterroriste, një rrezik më i madh se COVID-19 - Business Magazine Albania

Bill Gates paralajmëron: AI mund të përdoret si armë bioterroriste, një rrezik më i madh se COVID-19

Bill Gates paralajmëron: AI mund të përdoret si armë bioterroriste, një rrezik më i madh se COVID-19

Bill Gates beson se asnjë shpikje njerëzore, as rrota, as interneti, as makina dhe as energjia elektrike, nuk do ta ndryshojë shoqërinë aq thellë sa inteligjenca artificiale. Në letrën e tij vjetore, të publikuar sot, bashkëthemeluesi i Microsoft shkruan: “Nga të gjitha gjërat që njerëzit kanë krijuar ndonjëherë, AI do ta transformojë shoqërinë më shumë se çdo tjetër.”

Por ky transformim nuk vjen vetëm me përfitime. Sipas Gates, teknologjia mbart edhe rreziqe serioze, sidomos nëse bie në duart e gabuara. Ai prej vitesh është një nga mbështetësit më të fortë të potencialit të AI-së, veçanërisht në shëndetësi dhe arsim. Megjithatë, ai thekson se ekziston edhe një anë e errët e këtij revolucioni teknologjik. “Në vitin 2015 mbajta një fjalim në TED ku paralajmërova se bota nuk ishte e përgatitur për një pandemi. Po të kishim qenë më të përgatitur për COVID-19, vuajtjet njerëzore do të kishin qenë shumë më të vogla,” shkruan Gates. Sot, sipas tij, rreziku është edhe më i madh: “Një kërcënim edhe më serioz se një pandemi natyrore është mundësia që një grup jo-shtetëror të përdorë mjetet e hapura të AI-së për të krijuar një armë bioterroriste.”

Gates thekson se shoqëria nuk është ende gati për epokën e AI-së dhe se përgatitjet aktuale janë të pamjaftueshme. Ai identifikon dy rreziqe kryesore:

  1. Përdorimin e inteligjencës artificiale nga aktorë keqdashës
  2. Tronditjen e tregut të punës

“Të dyja janë rreziqe reale që duhet t’i menaxhojmë shumë më mirë,” shkruan ai. “Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të qëllimshëm në mënyrën si kjo teknologji zhvillohet, qeveriset dhe përdoret.” Ky shqetësim nuk është teorik. Vetëm këtë javë, ministrja britanike e teknologjisë Liz Kendall i kërkoi kompanisë xAI të Elon Musk të ndërhyjë urgjentisht pas një vale imazhesh seksuale të grave dhe fëmijëve të krijuara pa pëlqim nga mjeti i saj AI, Grok – i cili tashmë është kufizuar pjesërisht.

Lexo edhe:Ke fëmijë nën 18 vjeç? Ja si përfiton 100 mijë lekë rimbursim

Askush nuk është plotësisht dakord se sa thellë do ta trondisë AI tregun e punës. Kreu i Rezervës Federale të SHBA-së, Jerome Powell, ka deklaruar se po i ndjek me kujdes të dhënat për të parë nëse teknologjia po zëvendëson punëtorët. Nga ana tjetër, një raport i Oxford Economics sugjeron se kompanitë nuk po i zëvendësojnë masivisht punonjësit me AI, por po i përdorin këto narrativa për të justifikuar shkurtime që lidhen me mbipunësimin e viteve të fundit.

“Dyshojmë se disa kompani po përpiqen t’i paraqesin pushimet nga puna si një histori pozitive, në vend të një problemi,” thuhet në raport. Gates ofron një pamje më komplekse të së ardhmes së punës. Sipas tij, në shumë raste kompanitë mund të mos pushojnë njerëz nga puna, por të ulin orët e punës ose të vendosin që disa fusha të mos automatizohen fare.

“Ne tashmë po shohim ndikimin e AI në tregun e punës dhe ky ndikim do të rritet gjatë pesë viteve të ardhshme,” shkruan Gates. “Edhe nëse tranzicioni është më i ngadalshëm nga sa pres, duhet ta përdorim vitin 2026 për t’u përgatitur seriozisht për këto ndryshime – duke menduar se cilat politika do të ndihmojnë për shpërndarje më të drejtë të pasurisë dhe për të ruajtur rolin që puna ka në shoqëri.”

Sipas tij, partitë politike do të ofrojnë zgjidhje të ndryshme, por një gjë është e qartë: epoka e AI po vjen dhe bota duhet të përgatitet – jo vetëm teknologjikisht, por edhe shoqërisht, ekonomikisht dhe etikisht.

 

fortune

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0