Samsung Electronics planifikon të dyfishojë gjatë këtij viti numrin e pajisjeve të saj mobile me veçori “Galaxy AI”, të mbështetura kryesisht nga Google Gemini, deklaroi bashkë-CEO i kompanisë për Reuters. Ky hap pritet t’i japë kompanisë amerikane Google një avantazh të rëndësishëm ndaj rivalëve, në një kohë kur gara globale në inteligjencën artificiale po intensifikohet.
Kompania koreano-jugore, e cila deri vitin e kaluar kishte implementuar veçoritë e AI të mbështetura nga Gemini në rreth 400 milionë produkte mobile, përfshirë smartfonë dhe tableta, synon ta çojë këtë shifër në 800 milionë pajisje në vitin 2026. “Do ta aplikojmë AI-në në të gjitha produktet, të gjitha funksionet dhe të gjitha shërbimet, sa më shpejt të jetë e mundur,” tha TM Roh në intervistën e tij të parë që nga marrja e postit të bashkë-CEO të Samsung Electronics në nëntor. Si mbështetësi më i madh në botë i platformës Android të Google, ky plan i Samsung pritet t’i japë një shtysë të fortë zhvilluesit amerikan, i cili aktualisht është i përfshirë në një garë të fortë me OpenAI dhe aktorë të tjerë për tërheqjen e përdoruesve të AI-së. Samsung synon të rikthejë kryesimin ndaj Apple në tregun e smartfonëve dhe të përballojë konkurrencën e fortë nga prodhuesit kinezë, jo vetëm në telefonat mobile, por edhe në televizorë dhe pajisje shtëpiake. Kompania do të ofrojë shërbime të integruara të AI-së në të gjitha produktet e konsumit, për të zgjeruar avantazhin e saj ndaj Apple në këtë drejtim, edhe pse kjo e fundit pritet të jetë prodhuesi më i madh i smartfonëve për vitin e kaluar, sipas Counterpoint.
Lexo edhe: Si mund ta “rindezë” bota doktrinën America First!
Gara në inteligjencën artificiale
Alphabet Google lançoi në nëntor versionin më të fundit të Gemini, duke theksuar se Gemini 3 kryeson në disa tregues kyç të performancës së modeleve të AI-së. Në përgjigje të Gemini 3, CEO i OpenAI, Sam Altman, raportohet se shpalli një “code red” të brendshëm, duke pezulluar projekte jo-thelbësore dhe duke ridrejtuar ekipet për të përshpejtuar zhvillimin. Vetëm disa javë më pas, OpenAI lançoi modelin GPT-5.2. Roh pret që adoptimi i AI-së të përshpejtohet ndjeshëm. Sipas tij, ndërgjegjësimi për markën Galaxy AI në sondazhet e Samsung është rritur nga rreth 30% në 80% brenda vetëm një viti. “Edhe pse teknologjia e AI-së mund të duket ende e pasigurt sot, brenda gjashtë muajve deri në një vit ajo do të bëhet shumë më e përhapur,” u shpreh ai.
Roh nuk përjashtoi mundësinë e rritjes së çmimeve të produkteve, duke thënë se ndikimi nga rritja e çmimeve të çipave të memories është “i pashmangshëm”. Megjithatë, Samsung – prodhuesi numër një i televizorëve në botë – po punon me partnerët e saj për strategji afatgjata që të minimizojë këtë ndikim. Sipas parashikimeve të IDC dhe Counterpoint, tregu global i smartfonëve pritet të tkurret vitin e ardhshëm, për shkak të mungesës së çipave të memories që rrezikon të rrisë çmimet e telefonave.
Telefonat e palosshëm
Roh pranoi se tregu i telefonave të palosshëm, të cilin Samsung e pionieroi në vitin 2019, është rritur më ngadalë sesa pritej. Ai e lidhi këtë me kompleksitetin inxhinierik dhe mungesën e aplikacioneve të përshtatura për këtë dizajn, por shprehu besimin se ky segment do të bëhet “mainstream” në dy ose tre vitet e ardhshme. Një përqindje “shumë e lartë” e përdoruesve të telefonave të palosshëm zgjedhin sërish të njëjtin segment në blerjen e ardhshme, tha ai, pa dhënë detaje të tjera.
Sipas Counterpoint, Samsung kontrollonte gati dy të tretat e tregut global të smartfonëve të palosshëm në tremujorin e tretë të vitit 2025. Megjithatë, kompania përballet me konkurrencë të fortë nga prodhues kinezë si Huawei, si dhe nga Apple, e cila pritet të lançojë telefonin e saj të parë të palosshëm gjatë këtij viti.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto