Industria globale e gaming-ut ka nisur të vërë më shumë vëmendje tek tregimet dhe mitologjitë e kulturave më pak të përfaqësuara. Në këtë frymë, Tika Studios, një studio shqiptare e pavarur e themeluar në vitin 2024 , ka publikuar Teaser Trailer-in e parë për projektin e tyre më të ri: “Fatebound”, një Action Role-Playing Game e ndërtuar mbi folklorin dhe simbolikën e Europës Juglindore.
Projekti sjell në qendër një prej trashëgimive më të pasura kulturore të rajonit, të cilat rrallë herë janë përfshirë në mënyrë të strukturuar në industrinë globale të video-lojërave. “Fatebound” ndjek historinë e Eldinës, një protagoniste që përballet me dilema të fatit, humbjes dhe trashëgimisë, duke u vendosur në një botë ku mitet e lashta takojnë narrativat emocionale dhe moderne të RPG-ve.
Një qasje e re për tregun e RPG-ve
Publikimi i teaser-it vjen në një moment kur zhanri i RPG-ve po njeh rritje të vazhdueshme, ndërsa lojtarët kërkojnë univers më autentike dhe eksperienca që dalin jashtë tropeve të zakonshme perëndimore. Me Fatebound, Tika Studios synon të pozicionohet në këtë hapësirë duke ofruar një botë të frymëzuar nga besëtytnitë dhe rrëfimet tradicionale të rajonit, të ndërthurura me mekanika moderne në gameplay.
Projekti dhe faza aktuale e zhvillimit
Sipas Tika Studios, teaser-i shërben si prezantim i parë vizual për lojën, duke ofruar elementet kryesore atmosferike, stilin artistik dhe tonin narrativ. Demo-ja e parë e Fatebound parashikohet të publikohet gjatë vitit 2026, ndërsa lançimi i plotë synohet për periudhën 2028–2029.
Një element interesant është se studioja po ndjek modelin që përdorin shumë zhvillues indie në Evropë dhe SHBA: angazhimin e komunitetit në fazat e hershme të zhvillimit. Përmes një fushate mbështetjeje online, studioja u ofron lojtarëve mundësinë të kontribuojnë në ndërtimin e projektit që synon të përfaqësojë mitologjinë e rajonit në arenën ndërkombëtare. Kjo praktikë është e zakonshme për studio të mesme dhe të vogla që synojnë të mbajnë pavarësinë kreative dhe të ndërtojnë komunitet rreth projektit që në fillim.
Linku i fushatës së mbështetjes është publikuar nga studioja në faqen zyrtare të projektit: https://tikastudios.al/crowdfunding/help-us-in-shaping-our-story
Lexo edhe:“Rikthim në socializëm”/ Bie biznesi, shteti mban në këmbë ekonominë
Një hap i rëndësishëm për ekosistemin lokal të gaming-ut
Tika Studios është pjesë e një vale të re iniciativash të zhvillimit të lojërave në Shqipëri, ku talentet lokale po ndërtojnë projekte me ambicie ndërkombëtare. Studioja ka debutuar më herët me “Carnival of Souls”, një lojë indie e publikuar në Steam në vitin 2024. Me Fatebound, ekipi synon të krijojë një shembull referencë për mënyrën si një studio e vogël shqiptare mund të pozicionohet në tregun global.
Nëse projekti arrin objektivat e tij, Fatebound mund të shërbejë si një rast studimi për zhvillimin e industrisë kreative në Shqipëri, jo vetëm si lojë, por si produkt kulturor që eksporton identitetin rajonal në format digjital.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

