Komisioni Europian ka prezantuar një strategji të re për bioekonominë, duke vënë theksin tek produktet natyrore si biokarburantet, bioplastikat, ushqimet bimore, medikamentet natyrale dhe materialet e ndërtimit të bazuara në burime natyrore. Qëllimi është zhvillimi i një ekonomie pa fosile deri në vitin 2040 dhe rritja e konkurrueshmërisë brenda BE-së.
Strategjia thekson potencialin e produkteve bio për një shoqëri dhe ekonomi më të qëndrueshme, pasi nënproduktet e tyre janë shpesh të biodegradueshme ose kompostueshme. Por ekspertët paralajmërojnë se shfrytëzimi i natyrës për të rritur konkurrencën mund të vendosë presion të konsiderueshëm mbi burimet e kufizuara dhe të rezultojë i paqëndrueshëm afatgjatë.Komisionerja për Mjedisin, Jessika Roswall, gjatë prezantimit të planit, deklaroi: “Bioekonomia nuk është fantashkencë,” duke nënvizuar se BE-ja kërkon mënyra për të optimizuar përdorimin e burimeve natyrore për të reduktuar emetimet e gazrave serrë dhe për të rritur konkurrencën.
Strategjia synon të përshpejtojë autorizimet për produktet e reja, të përdorë biomasa sekondare si mbetjet pyjore dhe ushqimore dhe të nxisë bashkëpunimin industrial për të reduktuar mbetjet dhe kostot. Një fokus i veçantë i është dhënë sektorit të ndërtimit, ku produktet bimore mund të ulën kërkesën për energji dhe karbonin e inkorporuar deri në 40%.
Po ashtu, biorefineritë që përpunojnë mbetje bujqësore dhe bio-mbetje mund të prodhojnë alternativa për materiale kritike, përfshirë bateritë e degradueshme, edhe pse investimet fillestare janë të konsiderueshme. Bioplastikat, të prodhuara nga niseshte, lignin ose algat, mund të zvogëlojnë varësinë nga plastikat tradicionale dhe ndotjen plastike.
Lexo edhe: Shqipëria hedh për konsultim publik ‘Planin Kombëtar për Përshtatjen Klimatike 2026-2036’
Aktualisht, 11 vende të BE-së kanë strategji kombëtare për bioekonominë, ndërsa jashtë BE-së, Norvegjia po ndjek model të ngjashëm. Përdorimi i biomasa në Evropë përbëhet kryesisht nga ushqimi për kafshë (38%), energjia (29%), materialet (24%) dhe ushqimi (9%).
Sfidat për qëndrueshmërinë
Grupet mjedisore paralajmërojnë për rrezikun e shfrytëzimit të tepruar të burimeve të brishta, si pyjet, që funksionojnë si rezervuarë karboni. Aline Maigret nga Zero Waste Europe vuri në dukje se promovimi i ambalazheve bimore pa adresuar presionet mjedisore është i papranueshëm. Organizata Fern kërkon udhëzime të qarta për mbrojtjen e natyrës, duke theksuar se shumica e biomasave globale nuk prodhohet në Evropë.
Eva Bille nga European Environment Bureau paralajmëroi se zëvendësimi i konsumit aktual me bio-inpute mund të shkaktojë dëme serioze dhe të menjëhershme për njerëzit dhe natyrën, duke përfshirë sektorin bujqësor të BE-së, që mbi 70% mbështetet në ushqim të importuar për të mbajtur nivelet aktuale të prodhimit.
Shqiptarët dhe bioekonomia
Edhe Shqipëria, me sektorin e saj bujqësor të zhvilluar dhe pyjet që përbëjnë një nga burimet natyrore më të rëndësishme, mund të përfitojë nga strategjitë e bioekonomisë së BE-së. Zbatimi i praktikave të qëndrueshme për përdorimin e biomasave, mbetjeve bujqësore dhe ndërtimit me materiale natyrore mund të rrisë konkurrencën lokale dhe të mbrojë burimet natyrore vendase, duke u harmonizuar me standardet europiane.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.