Cilat vende europiane po ndërtojnë AI-në e tyre sovrane? Gara e re me SHBA - Business Magazine Albania

Cilat vende europiane po ndërtojnë AI-në e tyre sovrane? Gara e re me SHBA

Tre vite pasi ChatGPT solli inteligjencën artificiale në qendër të vëmendjes globale, vendet kryesore europiane kanë hyrë në një fazë të re strategjike: ndërtimin e AI-ve sovrane. Objektivi është një; reduktimi i varësisë nga modelet e zhvilluara në SHBA dhe krijimi i kapaciteteve vendase që respektojnë vlerat, ligjet dhe interesat kombëtare.

Koncepti i “AI-së sovrane” nënkupton aftësinë e një shteti për të zhvilluar, trajnuar, hostuar dhe operuar sisteme inteligjente brenda territorit të tij, pa u kushtëzuar nga infrastruktura cloud ose modelet e huaja.

Parlamenti Europian, në një raport të qershorit, pranoi qartë se BE-ja është “thellësisht e varur nga teknologjitë amerikane”, një varësi që rrezikon aftësinë e saj për të prodhuar kampionë teknologjikë. Dhe ndërsa SHBA po investon afro 500 miliardë dollarë në AI brenda vendit, Europa kërkon të ndërtojë ekosistemet e saj kombëtare.

Këto janë vendet që po udhëheqin garën për sovranitetin europian të AI-së.

Gjermania: SOOFI, supermodeli i ri europian me 100 miliardë parametra

Gjermania është lojtari më i fundit që hyn fuqishëm në skenë me projektin SOOFI (Sovereign Open Source Foundation Models), një model themelor “AI i avancuar”, i hapur për përdorim dhe përshtatim nga industria europiane.

  • Synon të ndërtojë një model me 100 miliardë parametra

  • Mbështetet nga Deutsche Telekom, T-Systems, TU Darmstadt dhe universitete kryesore

  • Do të fuqizohet nga 130 çipa NVIDIA dhe mbi 1,000 GPU deri në mars të vitit të ardhshëm

SOOFI synon aplikime në robotikë, administratë publike, mjekësi dhe prodhim, gjithnjë duke respektuar vlerat dhe standardet europiane.

Zvicra: Apertus, modeli i parë shumëgjuhësh i hapur

Në shtator, nisma zvicerane e AI-së prezantoi Apertus, modelin e parë të madh shumëgjuhësh, tërësisht të hapur për publikun, akademinë dhe bizneset.

  • Trajnuar me 15 trilionë “token”

  • Mbulon mbi 1,000 gjuhë, përfshirë dialektet zvicerane

  • E hapur në të gjitha aspektet: arkitekturë, dataset-e, kod burimor, “weights”

Apertus është ngarkuar në platformën Public AI, ku mund të përdoret globalisht. Zvicra planifikon modele të specializuara për ligjin, klimën, shëndetin dhe arsimin.

Polonia: PLLuM dhe ekosistemi Hive AI për administratën publike

Polonia lançoi LLM-në e saj kombëtare PLLuM, të dizajnuar specifikisht për gjuhën polake dhe strukturën e saj komplekse.

Aplikimet përfshijnë:

  • Asistentë virtualë për qytetarët

  • Zyrë “inteligjente” për automatizimin e dokumenteve

  • Mjete për studentët dhe shkollat

  • Gjenerim teksti, përmbledhje, planifikim udhëtimesh etj.

Qeveria e Polonisë e konsideron PLLuM “investim në shtetin digjital”. Hapi i radhës është zgjerimi drejt projektit më të madh Hive AI, që do të integrohet në administratë.

Spanja: Alia dhe transformimi e-superkompjuterit MareNostrum 5

Në janar, Qendra e Superkompjuterëve e Barcelonës prezantoi Alia, infrastrukturën e parë europiane të hapur dhe shumëgjuhëshe për AI të përgjegjshme.

  • Përdor fuqinë e MareNostrum 5, një nga superkompjuterët më të avancuar në botë

  • Ofron dataset-e, modele dhe mjete integrimi në spanjisht, baskisht, katalanisht dhe galicisht

Spanja planifikon të ndërtojë mbi këtë sukses, me:

  • Një chatbot për agjencinë tatimore

  • Një aplikacion që diagnostikon dështimin e zemrës

  • Projektet Ilena dhe Aina që ofrojnë qindra resurse gjuhësore për bizneset vendase

Holanda: GPT-NL, modeli që ushqehet me të dhëna të licencuara nga mediat vendase

Tre organizata jofitimprurëse po zhvillojnë GPT-NL, një model të hapur për gjuhën dhe kulturën holandeze.

  • Trajnohet me kombinim të të dhënave publike, të gjeneruara dhe të licencuara nga mediat holandeze

  • Botuesit përfitojnë pjesë të fitimeve kur LLM të dalë në treg

  • I dedikuar për aplikime në shëndetësi, arsim dhe shërbime publike

Versioni i parë pritet të dalë para fundit të vitit 2025.

Portugalia: Amalia, modeli kombëtar që flet portugalishten lokale

Që nga 2024, Portugalia po zhvillon modelin Amalia, i aftë të:

  • Gjenerojë kod

  • Përmbledhë tekste

  • Shpjegojë koncepte

  • Japë përgjigje me kontekst lokal në portugalisht

Versioni beta është testuar në shtator, ndërsa lançimi publik synohet për mesin e vitit 2026.

Nga robotika gjermane te shumëgjuhësia zvicerane, nga administrata polake te superkompjuterët spanjollë, Europa po krijon një hartë të re sovraniteti teknologjik. Edhe pse rruga drejt konkurrencës me Big Tech amerikan është e gjatë, blloku ka filluar qartësisht të ndërtojë një infrastrukturë të tijën…të hapur, të shumëllojshme dhe të përqendruar te besueshmëria.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecën, sa kohë që nuk ndalesh.”
— Konfuci
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0