Kripto-asetet/ Shqipëria përgatit kuadrin ligjor për BE-në, ja si do funksionojë - Business Magazine Albania

Kripto-asetet/ Shqipëria përgatit kuadrin ligjor për BE-në, ja si do funksionojë

kriptomonedhave

Qeveria shqiptare po përgatit projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, me qëllim vendosjen e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për emetimin e kripto-aseteve dhe ofrimin e shërbimeve të lidhura me to. Ky projektligj synon përafrimin e plotë me acquis-in e Bashkimit Evropian në fushën e financave digjitale, duke përmbushur detyrimet e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE.

Projektligji do të transpozojë Rregulloren e BE 2023/1114/EU, e njohur si MiCA, duke harmonizuar kuadrin ligjor për shërbimet e investimit, pagesave dhe parasë elektronike. Sipas autoriteteve, kjo do të sigurojë siguri juridike, koherencë rregullatore, standarde të larta mbrojtjeje për investitorët dhe do të forcojë kredibilitetin e vendit në raport me proceset ndërkombëtare të vlerësimit.

Në prill 2025, Shqipëria hapi zyrtarisht Grupkapitullin 2 “Tregu i Brendshëm” në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, ku Kapitulli 9 , “Shërbimet Financiare” drejtohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Përafrimi me kuadrin evropian për financat digjitale, përfshirë kripto-asetet, është pjesë e piketave mbyllëse të këtij kapitulli.

Projektligji synon të rregullojë aktivitetet e emetimit të kripto-aseteve dhe tokenave të parasë elektronike, si dhe veprimtaritë e ndërmjetësimit, përfshirë operimin e platformave tregtare, këmbimin, kujdestarinë, ekzekutimin e urdhrave dhe menaxhimin e portofolëve. Subjektet do të duhet të përmbushin kërkesa për kapital minimal, qeverisje korporative, menaxhimin e konfliktit të interesit, sigurinë kibernetike, mbrojtjen e konsumatorit, parandalimin e abuzimit me tregun dhe politikat kundër pastrimit të parave.

Ky kuadër rregullator është në përputhje me Direktivën 2014/65/EU (MIFID II) dhe Direktivën 2009/110/EC (EMD2), duke vendosur për emetuesit dhe ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve standardet e njëjta me ato të instrumenteve financiarë dhe parasë elektronike.

Lexo edhe: Pse po bie kriptomonedha, kush po humbet dhe a do të zgjasë?

Projektligji garanton gjithashtu standarde të larta mbrojtjeje për investitorët dhe integritet të tregut, përmes kërkesave prudenciale, qeverisjes korporative, sigurisë kibernetike dhe transparencës së dokumenteve informuese. Zbatimi dhe mbikëqyrja e këtyre rregullave do të kryhet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë, duke rritur besimin e konsumatorëve dhe stabilitetin e sistemit financiar.

Sipas autoriteteve, kuadri ligjor i propozuar krijon një mjedis të qëndrueshëm për bizneset inovative shqiptare, duke u ofruar atyre rregulla të qarta dhe të harmonizuara me BE-në. Kjo pritet të lehtësojë konkurrueshmërinë, tërheqjen e investimeve dhe integrimin e ekosistemit vendas të kripto-aseteve në zinxhirët evropianë të vlerës, duke ruajtur ekuilibrin midis mbrojtjes së konsumatorit dhe nxitjes së inovacionit.

Projektligji do të jetë në konsultim publik deri më 29 dhjetor  2025. Shiko projektligjin këtu

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0