A po bie Perëndimi? Analiza e debatit për NATO-n dhe Ukrainën - Business Magazine Albania

A po bie Perëndimi? Analiza e debatit për NATO-n dhe Ukrainën

Europa në shënjestër të Trump-it!

Nga Harold James – Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është një dhunim i rëndë që duhet të marrë fund. Por si? Meqenëse situata në front është thuajse e ngrirë, është normale që palët të kërkojnë zgjidhje politike. Por, duke gjykuar nga plani më i fundit i paqes i administratës Trump, i cili mban të gjitha shenjat e një dokumenti të diktuar nga Kremlini; loja politike po manipulohet haptazi në favor të agresorit.

Plani fillestar dhe i mangët me 28 pika erdhi pas katër zhvillimeve që arritën secili një pikë kritike. Së pari, raportimet për korrupsion në zemër të politikës ukrainase. Të ardhura nga agjencitë kundër korrupsionit të Ukrainës, këto akuza u përdorën për ta diskredituar presidentin Volodymyr Zelensky dhe për të përgatitur terrenin për ndryshim regjimi.

Së dyti, Rusia ka rritur kërcënimet e saj ekstreme për sulme bërthamore ndaj Perëndimit, duke përfshirë testimin e armëve që, sipas pretendimeve, mund të shkaktojnë “cunamë radioaktive” drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të tjera të Evropës Veriore me vijë bregdetare të ulët. Raketa lundruese Burevestnik, thotë Kremlini, nuk mund të ndalet nga asnjë sistem mbrojtjeje ajrore. Qëllimi i kësaj retorike është pengimi i europianëve nga zgjerimi i mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Së treti, partitë populiste anti-sistem në Evropë dhe zëra të ndryshëm në spektrin politik amerikan e kanë vendosur përfundimin e luftës në krye të axhendës së tyre. Dhe kjo po ndodh në një moment kur qeveritë franceze, gjermane dhe britanike duken të brishta, të pafuqishme dhe pa ide mbi ringjalljen e ekonomive të tyre në stanjacion, kapjen e hapit në garën teknologjike dhe rimëkëmbjen e kohezionit social të tyre të polarizuar. Analistët po shpallin një “politikë të re” dhe po parashikojnë një botë ku Rassemblement National i Marine Le Pen, AfD në Gjermani dhe Reform UK i Nigel Farage marrin pushtetin në Paris, Berlin dhe Londër.

Lexo edhe: A po rrezikon Europa objektivat klimatike nga kostot e larta të energjisë?

Së fundi, administrata Trump ka përhapur dezinformim mbi Evropën dhe politikën e saj. Trump ka pretenduar vazhdimisht se Bashkimi Europian po minon sanksionet duke blerë naftë ruse. Në fakt, këto blerje tani kufizohen vetëm te dy vende, Hungaria dhe Sllovakia, të lidhura me degën jugore të tubacionit Druzhba. Republika Çeke, më parë e varur nga furnizimet ruse, e përfundoi këtë vit kalimin e plotë drejt hidrokarbureve jo-ruse përmes tubacionit Transalpine. Fajtori kryesor mbetet Hungaria, qeveria pro-Kremlinit e së cilës i kërkoi Trump-it leje për të vazhduar blerjen e energjisë ruse dhe ai e dha me kënaqësi.

Në qendër të propozimit të fundit amerikan për paqen gjendet një narrativë mashtruese, e përhapur nga disa analistë të politikës së jashtme (përfshirë George Kennan), sipas së cilës NATO paraqet kërcënim për Rusinë dhe garancitë perëndimore të sigurisë për fqinjët e saj përbëjnë shkelje të sovranitetit rus. Sipas këtij interpretimi, zgjerimi i NATO-s në vitet 1990 ishte fitili që hodhi në erë rendin ndërkombëtar të shekullit XXI, duke e shtyrë Rusinë drejt një lufte “mbrojtëse” në vitin 2014 dhe më pas drejt agresionit të vitit 2022.

Natyrisht, ky rrëfim injoron faktin se kundërshtimi real rus ndaj NATO-s nuk filloi në vitet 1990 apo 2000, por në momentin kur Perëndimi dukej se po shpërbëhej: pas krizës financiare globale të 2007-08. Vetëm atëherë argumentohet se tema e NATO-s u përdor si një mjet për të çarë aleancën perëndimore.

Ata që besojnë se zgjerimi i NATO-s e shkaktoi agresionin rus në Ukrainë kanë pranuar narrativën e Kremlinit për “kërcënimin” nga NATO, duke injoruar kërcënimin real për pushtetin rus: lëvizjet e suksesshme pro-demokracisë dhe ato kundër autoritarizmit. Kremlini mbështetet te vlerat e shekullit XIX: ortodoksi, autokraci dhe nacionalitet. Në këtë këndvështrim, sovraniteti rus bëhet e drejtë për të shtypur vetëvendosjen diku tjetër.

A mund të ngrijë konflikti? Një armëpushim efektiv do t’u jepte qytetarëve mundësinë të rindërtojnë jetët, të rikthejnë infrastrukturën jetike dhe të nisin rimëkëmbjen ekonomike. Por nëse një rezultat i tillë vjen si pasojë e kërkesave politike të Rusisë, pasojat për Ukrainën, Evropën dhe botën do të jenë të rënda. Edhe varianti i rishikuar i planit të Trump, i cili nuk jep garanci të qarta të tipit NATO, por vetëm premtime të paqarta për konsultime në rast të sulmeve të reja ruse – mbetet thellësisht i rrezikshëm.

Nga këndvështrimi i Ukrainës, plani i Trump përbënte një “goditje pas shpine”. Edhe pse ushtria ukrainase nuk është mundur në fushëbetejë, vendi do të dilte i mposhtur në luftë. Kjo do të shkaktonte krizë politike të brendshme dhe rrezik të rikthimit drejt autokracisë.

Plani fillestar i Trump do të diskreditonte gjithashtu Evropën, institucionet dhe vizionin e saj për botën. Bashkimi Europian do të paraqitej si një “tigër prej letre”: me fjalë të mëdha, por pa vullnetin dhe fuqinë për t’i zbatuar. Përballë një dështimi të tillë, politikanët europianë do t’i dorëzoheshin më lehtë forcave të ekstremit të djathtë (dhe të majtë) që kërkojnë kthimin te konceptet e vjetra të sovranitetit kombëtar.

Në vendet që kanë udhëhequr projektin europian në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore; Gjermania dhe Franca, një kthesë e tillë do të ishte veçanërisht e rrezikshme. Në rastin më të mirë, kjo do të nënkuptonte ringjalljen e mitit të marshallit Philippe Pétain për “mburojën franceze” në kohë të trazuara; në rastin më të keq, rikthim te pretendimet historike gjermane për epërsi ndaj fqinjëve.

Për pjesën tjetër të botës, përqafimi i hapur i administratës amerikane ndaj narrativës ruse sinjalizon rënien e pakthyeshme të ndikimit amerikan. Mesazhi është i qartë: një Amerikë që nuk qëndron më për asgjë, blihet lehtë.

*Harold James është Profesor i Historisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Princeton dhe autor i librit ‘Seven Crashes: The Economic Crises That Shaped Globalization (2023).’

Copyright: Project Syndicate, 2025 / www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0