Startupi që mblodhi 60 milion dollarë për të freskuar artificialisht planetin tonë! - Business Magazine Albania

Startupi që mblodhi 60 milion dollarë për të freskuar artificialisht planetin tonë!

Startup-i i inxhinierisë gjeologjike Stardust Solutions ka siguruar 60 milionë dollarë për të zhvilluar teknologji që potencialisht mund të zbehë rrezet e Diellit, raporton Heatmap News.

Koncepti i “geoengineering” është njëkohësisht i thjeshtë dhe shumë i debatueshëm në botën shkencore. Duke spërkatur grimca aerosoli në atmosferë nga avionë apo balona meteorologjike, një grup gjithnjë e më i madh studiuesish besojnë se mund të ulin temperaturën globale për të luftuar ngrohjen klimatike. Sipas Politico, ky është raundi më i madh i financimit që ka marrë ndonjëherë një kompani në këtë sektor. Investitorët përfshijnë figura të njohura të Silicon Valley dhe një dinasti industriale italiane. Duke pasur parasysh përshkallëzimin e krizës klimatike, CEO i Stardust Solutions, dhe ish-fizikan i lartë në qeverinë izraelite, Yanai Yedvab pranon se devijimi i rrezeve të Diellit përmes “menaxhimit të rrezatimit diellor” është vetëm një fillim dhe nuk mund t’i eliminojë të gjitha rreziqet. “Në planet do të ketë sërish fenomene ekstreme të motit,” tha ai për Heatmap. “Ne nuk po i parandalojmë ato plotësisht.” Rundi i financimit është veçanërisht domethënës pasi Stardust Solutions është një entitet plotësisht privat, ndërkohë që nisma të ngjashme deri më sot janë udhëhequr kryesisht nga universitete dhe organizata jofitimprurëse.

Lexo edhe: Bill Gates thotë se ndryshimet klimatike “nuk janë dhe aq të këqija”

Shkencëtarët kanë shpresuar se duke lëshuar në atmosferë grimca si aerosolët e sulfurit, mund të imitojnë efektet e shpërthimeve të mëdha vullkanike, të cilat dihet se e ftohin sipërfaqen e Tokës për vite me radhë. Megjithatë, Yedvab thekson se sulfurët janë një “opsion i dobët”, për shkak të ndotjes së madhe ekzistuese që vështirëson monitorimin dhe për shkak se mund të dëmtojnë shtresën e ozonit. Në vend të tyre, kompania po zhvillon një grimcë të re, “të shkallëzueshme dhe realiste, që mund të prodhohet në miliona tonë” dhe me kosto të ulët, “po aq e sigurt sa mielli,” siç thotë ai për Heatmap. Stardust Solutions aktualisht po kërkon patentë për këtë lloj grimce. Sipas Politico, kompania synon të nisë “eksperimente të kontrolluara në mjedis të hapur” që në prill, duke lëshuar grimcat nga një avion i modifikuar në një lartësi prej rreth 11 miljesh.

Por koncepti vazhdon të shkaktojë skepticizëm. Kritikët ngrenë pikëpyetje të mëdha mbi qeverisjen: kush vendos se ku hidhen këto grimca? Të tjerë paralajmërojnë për rreziqet e panjohura që mund të tejkalojnë përfitimet. Ky është një drejtim jashtëzakonisht i debatueshëm në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Vitin e kaluar, zyrtarët e qytetit Alameda në Kaliforni urdhëruan ndalimin e një eksperimenti të padeklaruar të Universitetit të Washington që synonte të injektonte grimca ndriçuese në re. Edhe studiuesit e Harvardit e ndërprenë një projekt të ngjashëm pas presionit publik.

Shumë shkencëtarë mbeten skeptikë. Profesori i Universitetit të Çikagos, David Keith, tha se është e pamundur të zhvillohet një grimcë e padëmshme “më e mirë se sulfurët”, duke pasur parasysh dekadat e kërkimeve ekzistuese. Ndërsa ekonomisti i klimës në Columbia Business School, Gernot Wagner, u shpreh për Politico: “Ata kanë bindur investitorët në Silicon Valley t’u japin shumë para — por unë mendoj se s’duhej ta kishin bërë.” Ai shtoi se është e paarsyeshme të besohet se një qeveri do të blejë teknologjinë e Stardust për miliarda e të sjellë fitime të mëdha për investitorët. Megjithatë, Yedvab thotë se kompania do të marrë pjesë në zbatim vetëm “nën qeverisjen e duhur të udhëhequr nga qeveritë”. “Kur merresh me çështje të tilla, duhet të kesh parime shumë të qarta,” tha ai për Heatmap.

futurism

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0