Ky është çelësi për të zhbllokuar financimin privat për klimën - Business Magazine Albania

Ky është çelësi për të zhbllokuar financimin privat për klimën

Nga Lynn Forester de Rothschild* Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP30), që po zhvillohet në Brazil, shënon një dekadë nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Parisit nga 195 shtete. Por në vend që të jetë një moment festimi, ngjarja po ndikohet nga pasiguria e thellë: boshllëku në financimin klimatik vazhdon të arrijë në triliona dollarë, ndërsa mbështetja politike në vendet e zhvilluara po zbehet.

Kalimi drejt një ekonomie globale me karbon të ulët nuk mund të realizohet pa përfshirjen aktive të sektorit privat. Megjithatë, bizneset dhe investitorët hezitojnë të angazhohen në mungesë të parashikueshmërisë dhe stabilitetit. Ajo që tregjet kërkojnë mbi gjithçka është qartësi: politika të qëndrueshme, sektorë prioritarë të përcaktuar qartë dhe strategji të realizueshme për menaxhimin e rreziqeve financiare, mjedisore dhe sociale.Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, pasiguria politike ka frenuar zhvillimin dhe përdorimin e shumë teknologjive të pastra që mund të ishin zgjeruar në shkallë të gjerë. Përjashtuar fushën e inteligjencës artificiale, financimet e kapitalit sipërmarrës për inovacionin energjetik kanë rënë gjatë viteve 2023–2024. Ndërkohë, shumica e vendeve ende nuk kanë krijuar mekanizmat politikë dhe financiarë që mund të nxisin investime private në përmasa të mëdha.

Por problemi nuk është vetëm financiar apo politik. Një arsye më e thellë për vonesat qëndron në faktin se lëvizja globale për klimën shpesh ka dështuar të përqendrohet te njerëzit që preken drejtpërdrejt nga tranzicioni energjetik: punëtorët, konsumatorët dhe komunitetet lokale.

Që në themelim, Këshilli për Kapitalizëm Përfshirës të cilin e drejtoj ka argumentuar se tranzicionet e mëdha ekonomike ofrojnë një mundësi unike për të ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse. Të frymëzuar nga thirrja e Papa Françeskut për të dëgjuar “klithmën e tokës dhe të varfërve”, kemi krijuar një kornizë bashkëpunimi me kompani energjitike dhe investitorë si BP, Reliance, CalPERS dhe State Street për një tranzicion klimatik të drejtë.

Kjo kornizë vendos njerëzit në qendër të ndryshimit: qasje universale në energji të pastër, vende pune dinjitoze me mundësi ritrajnimi, mbështetje për komunitetet lokale dhe zinxhirë furnizimi më të qëndrueshëm. Ajo kërkon që strategjitë e alokimit të kapitalit të investitorëve të përputhen me këto parime përmes angazhimit të vërtetë me palët e interesuara dhe shkëmbimit të praktikave më të mira.

Lexo edhe: Si mund të harmonizohen raportimet e qëndrueshmërisë në BE

Në të njëjtën kohë, revolucioni i inteligjencës artificiale po riformëson tregun e punës. Për këtë arsye, në bashkëpunim me presidentin e Bankës Botërore, Ajay Banga, organizuam një takim gjatë Javës së Klimës në OKB për të analizuar mënyrat se si mund të shmangen gabimet e tranzicioneve të mëparshme dhe të garantohet që askush të mos mbetet pas.

Për ta kthyer ambicien në veprim, duhen strategji kombëtare të zbatueshme. Kur zbatohen me efikasitet, kontributet e përcaktuara kombëtare (NDCs) mund të shërbejnë jo vetëm si angazhime klimatike, por si udhërrëfyes për transformimin ekonomik. Brazili është një shembull i mirë: një raport i përbashkët i OECD-së dhe UNDP-së vlerëson Bankën Kombëtare të Zhvillimit Ekonomik e Social të vendit si një pionier në krijimin e instrumenteve financiare novatore që tërheqin kapital privat në shkallë të gjerë.

Edhe tregjet në zhvillim po ecin përpara. Energjia e erës dhe diellit po zgjerohet me shpejtësi në Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, ndërsa India pritet të bëhet tregu i dytë më i madh në botë për energjinë e rinovueshme pas Kinës. Për këto vende, rritja gjithëpërfshirëse nuk është thjesht slogan, por domosdoshmëri ekonomike dhe sociale.

Në vendet e zhvilluara, sfidat janë të tjera. Në SHBA, rreth 40% e projekteve energjetike dhe teknologjike të shpallura gjatë administratës Biden kishin vonesa që përpara rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në Britani, kostot e larta të energjisë rrezikojnë tranzicionin drejt neutralitetit klimatik, ndërsa prodhuesit europianë përpiqen të mbeten konkurrues në një treg global që dominohet gjithnjë e më shumë nga kompanitë kineze.

Megjithatë, ka arsye për optimizëm të kujdesshëm. Edhe pse Trump e kishte tërhequr SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit, çmimi i energjisë dhe konkurrueshmëria në AI mbeten prioritete kombëtare. Investitorët institucionalë dhe kapitali privat kanë mundësi reale për të mbështetur teknologjitë e reja, përfshirë energjinë bërthamore pa karbon – që mund të ruajnë balancën midis rritjes ekonomike dhe qëndrueshmërisë.

Udhëheqësit botërorë që janë mbledhur në Brazil për COP30 ndodhen në një pikë vendimtare. Vetëm përmes bashkëpunimit mes qeverive, institucioneve financiare, shoqërisë civile dhe sektorit privat mund të ndërtojmë një të ardhme të drejtë dhe të qëndrueshme. Përqendrimi te njerëzit, punëtorët, komunitetet dhe konsumatorët  është çelësi për ta kthyer ambicien klimatike në progres real që mbron njëkohësisht planetin dhe shoqëritë tona.

*Lynn Forester de Rothschild, CEO e E.L. Rothschild, është themeluese dhe drejtuese ekzekutive e Këshillit për Kapitalizëm Përfshirës.

Copyright: Project Syndicate, 2025 / www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0