Mustafa Suleyman: A po shkojmë drejt superinteligjencës njerëzore? - Business Magazine Albania

Mustafa Suleyman: A po shkojmë drejt superinteligjencës njerëzore?

Mustafa Suleyman: A po shkojmë drejt superinteligjencës njerëzore?

Për dekada me radhë, testi i Turingut ishte ylli polar i studiuesve të inteligjencës artificiale. Sot, ai është tejkaluar në heshtje. Me lindjen e modeleve të arsyetimit dhe aftësive agjentike, dhe me ritmin gjithnjë e më të lartë të ndërtimit të infrastrukturës së AI-së, kemi kaluar një pikë kthese në udhëtimin drejt superinteligjencës: momentin kur AI tejkalon performancën njerëzore në çdo detyrë.

Në fakt, pyetja më e rëndësishme e kohës sonë nuk është nëse AI do të na tejkalojë – sepse në disa aspekte tashmë e ka bërë (provojeni të mundni një AI në njohuri të përgjithshme), në shumë të tjera do ta bëjë, dhe në disa mënyra ne do të mbetemi gjithmonë unikë. Pyetja e vërtetë është nëse mund ta formësojmë AI-në për të përparuar mirëqenien njerëzore, në vend që ta minojë atë. Kjo është sfida më e madhe e kohës sonë. Është e kuptueshme që shumëkush është lodhur nga buja rreth AI-së. E kuptoj. Por pesha e saj është e jashtëzakonshme. Shkenca dhe teknologjia kanë qenë gjithmonë motori më i fuqishëm i përparimit njerëzor. Gjatë 250 viteve të fundit, ky motor ka dyfishuar jetëgjatësinë, ka nxjerrë miliarda njerëz nga varfëria dhe na ka dhënë antibiotikët, energjinë elektrike dhe komunikimin e menjëhershëm global. AI është kapitulli i ardhshëm i kësaj historie. Ajo përfaqëson mundësinë tonë më të mirë për të përshpejtuar zbulimet shkencore, rritjen ekonomike dhe mirëqenien njerëzore. Sa herë që dëgjoni për AI, mbani mend këtë potencial. Por shfrytëzimi i këtij potenciali do të ketë sukses vetëm nëse ndërtojmë AI-në në mënyrën e duhur. Kostoja e gabimeve do të ishte kolosale. Ende askush nuk ka përgjigje qetësuese për mënyrën si mund të kontrollohen apo përputhen këto sisteme me vlerat tona. Jemi në një moment të çuditshëm historik, përballë teknologjive më të fuqishme që njerëzimi ka njohur ndonjëherë, dhe ende të pasigurt nëse mund t’i kontrollojmë ose nëse do të mbeten të dobishme për ne.

Lexo edhe: Studimi i ri: Inteligjenca e vërtetë vjen me moshën

Në thelb, mund ta kuptojmë kështu: AI, si çdo teknologji tjetër, duhet gjykuar me një provë të thjeshtë, a përmirëson jetën njerëzore? A i shërben njerëzve? Ndërsa hyjmë në fazën e ardhshme të AI-së, përgjigjja qëndron në atë që unë e quaj Superinteligjencë Humaniste (HSI): një AI e avancuar, e krijuar për të mbetur e kontrollueshme, e përputhur me vlerat njerëzore dhe në shërbim të njerëzimit. Ky projekt synon, mbi të gjitha, të shmangë krijimin e një entiteti të pakufizuar me autonomi totale.Në vend të kësaj, duhet të përqendrohemi tek superinteligjenca e specializuar sipas fushave. Në vend që të ndërtojmë një sistem që mund të vetëpërmirësohet pafundësisht dhe të marrë drejtim më vete, qëllimi themelor duhet të jetë ofrimi i përfitimeve praktike dhe reale për miliarda njerëz. Ai duhet të mbetet përjetësisht nën autoritetin e njerëzimit. Kjo është vizioni i ekipit tonë të Superinteligjencës në Microsoft, ku misioni ynë bazë është të mbajmë njerëzimin të sigurt dhe në kontroll.

Pse humanizëm? Sepse historia ka treguar fuqinë e qëndrueshme të traditës humaniste në ruajtjen e dinjitetit njerëzor. Një AI e ndërtuar në këtë frymë mund të sjellë përfitime të jashtëzakonshme duke shmangur rreziqe katastrofike. Na duhet një vizion i AI-së që mbështet njerëzimin, nxit krijimtarinë dhe mbron mjedisin tonë të brishtë – jo një AI që na lë mënjanë. Shpërblimi për njerëzimin është i madh: një botë me përparim të shpejtë në standardet e jetesës dhe në shkencë, një epokë e re arti, kulture dhe rritjeje. Është një mision frymëzues që më ka motivuar për dekada. Duhet ta festojmë dhe ta përshpejtojmë teknologjinë si motorin më të madh të përparimit që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Dhe për këtë, na duhet shumë më tepër prej saj. HSI ofron një rrugë më të sigurt përpara. Qëndrimi i përqendruar në përparime të specializuara me ndikim të thellë shoqëror është një shembull i kësaj. Imagjinoni shokë dixhitalë që lehtësojnë ngarkesën mendore të përditshme, rrisin produktivitetin dhe transformojnë arsimin përmes të nxënit adaptiv dhe individual. Imagjinoni një superinteligjencë mjekësore që ofron diagnoza të sakta, të përballueshme dhe të nivelit ekspert, duke revolucionarizuar kujdesin shëndetësor global, aftësi që tashmë janë demonstruar nga ekipi ynë i Microsoft AI për shëndetësinë. Dhe mendoni për potencialin e përparimeve të AI-së në energjinë e pastër, që mundësojnë prodhim, ruajtje dhe heqje të karbonit me kosto të ulët, për të përmbushur kërkesën në rritje duke mbrojtur planetin.

Me HSI, këto nuk janë ëndrra spekulative. Janë qëllime të arritshme që mund të përmirësojnë realisht jetën e njerëzve anembanë botës. Duke e thënë thjesht: njerëzit janë më të rëndësishëm se teknologjia apo AI. Superinteligjenca mund të jetë shpikja më e madhe ndonjëherë, por vetëm nëse qëndron besnike ndaj këtij parimi. Kjo do të thotë të garantojmë llogaridhënie dhe transparencë, dhe të vendosim sigurinë si përparësi kryesore. Qëllimi ynë nuk është të ndërtojmë superinteligjencë me çdo kusht, por të ndjekim një rrugë të kujdesshme drejt një sistemi të kufizuar, të përputhur me vlerat njerëzore dhe të përqendruar gjithmonë tek mirëqenia e njeriut. Çdokush duhet të pyesë veten: çfarë lloj AI-je duam vërtet? Përgjigjja do të formësojë të ardhmen e qytetërimit. Për mua, ajo përgjigje është Superinteligjenca Humaniste.

— Mustafa Suleyman, CEO i Microsoft AI dhe autor i librit The Coming Wave: Technology, Power, and the Twenty-First Century’s Greatest Dilemma (Crown, 2023). Më parë bashkëthemelues i Inflection AI dhe DeepMind.
© Project Syndicate 1995–2025

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0