Nvidia bëhet kompania e parë publike me vlerë 5 trilionë dollarë - Business Magazine Albania

Nvidia bëhet kompania e parë publike me vlerë 5 trilionë dollarë

Gjiganti i teknologjisë Nvidia, përfituesi më i madh i bumit të Inteligjencës Artificiale, ka arritur një tjetër rekord historik, duke u bërë kompania e parë publike në botë që kalon kufirin e 5 trilionë dollarëve në vlerë tregu.

Aksionet e kompanisë u rritën me mbi 5.6% të mërkurën, duke arritur në 212.19 dollarë për aksion, pas lajmit se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të diskutojë me Presidentin kinez Xi Jinping mbi çipat Blackwell të Nvidia-s gjatë një takimi të enjten.

Investitorët janë gjithashtu të entuziazmuar nga deklaratat e CEO-së së Nvidia-s, Jensen Huang, i cili tha të martën se kompania pret të arrijë 500 miliardë dollarë shitje nga çipat e AI-së, dhe se po ndërton shtatë superkompjuterë të rinj për SHBA-në në fusha si siguria, energjia dhe shkenca, të cilat do të kërkojnë mijëra GPU Nvidia. Po ashtu, kompania njoftoi se ka investuar 1 miliard dollarë në Nokia, duke synuar të ndihmojë operatorët e komunikimit të lansojnë rrjete 5G-Advanced dhe 6G me bazë në platformat e Nvidia-s.

Lexo edhe:A po zbrazet Ballkani nga talentet për shkak të integrimit europian?

Ky moment historik vjen vetëm tre muaj pasi Nvidia kaloi kufirin e 4 trilionë dollarëve, ndërsa vlera e aksioneve të saj është rritur me mbi 50% vetëm këtë vit, falë kërkesës së jashtëzakonshme për GPU-të e saj, çipa grafikë që përdoren gjerësisht në qendrat e të dhënave për trajnimin e modeleve të mëdha të gjuhës (LLM), për inferencë dhe aplikime të tjera të AI-së.

GPU-të e Nvidia-s janë të vlefshme sepse janë të rralla, dhe kompania po siguron që të mbeten të tilla duke i kanalizuar drejtpërdrejt në infrastrukturën e zgjeruar të qendrave të të dhënave që po krijohen anembanë botës. Në mënyrë më të gjerë, aksionet e teknologjisë kanë pësuar rritje të fuqishme këtë vit, të nxitura nga optimizmi se teknologjitë e AI-së do të revolucionarizojnë industrinë globale, njësoj siç bëri dikur interneti. Gjatë vitit të fundit, investitorët janë inkurajuar nga një seri marrëveshjesh shumëmiliardëshe, ku Nvidia shpesh ka qenë në qendër, për të zhvilluar qendra të dhënash dhe infrastrukturë të re që mbështet modelet e avancuara të AI-së. Në shtator, kompania njoftoi se do të investojë deri në 100 miliardë dollarë në OpenAI gjatë viteve të ardhshme. Të dy kompanitë thanë se synojnë të vendosin 10 gigavat sisteme Nvidia për të fuqizuar platformat e OpenAI-t. Me një kapitalizim tregu prej 5 trilionë dollarësh, Nvidia tani vlen më shumë se të gjitha tregjet e bursës së vendeve të tjera të botës, përveç SHBA-së, Kinës dhe Japonisë.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0