Erandi Sula: Suksesi pa qëllim është bosh. Solidariteti është kur nuk mbyll sytë! - Business Magazine Albania

Erandi Sula: Suksesi pa qëllim është bosh. Solidariteti është kur nuk mbyll sytë!

Nga Eni Muça- Nuk ka shumë njerëz që mbeten të njëjtë në mënyrën se si japin, me qetësi, vazhdimësi dhe pa zhurmë. Erandi Sula është një prej tyre. Prej vitesh si donator i  Down Syndrome Albania, ai nuk e sheh solidaritetin si akt publik, por si diçka që ndodh natyrshëm, kur nuk bën sikur s’e sheh. Në këtë bisedë, ai flet për arsyet që e mbajnë të lidhur me kauzën, për mënyrën se si e përkufizon përgjegjësinë në biznes, dhe për bindjen se ndikimi i vërtetë fillon pikërisht aty ku mbaron interesi.

Erand, ju jeni një nga mbështetësit më të hershëm dhe më të vazhdueshëm të nismës “Down Syndrome Albania”. Çfarë ju shtyn personalisht të angazhoheni në këto kauza dhe çfarë do të thotë për ju solidariteti në praktikë?

Për mua, solidariteti nuk është as fjalë e madhe, as gjest rastësor, është diçka shumë njerëzore, që ndodh kur nuk mbyll sytë përballë një nevoje. Ka të bëjë me ndjeshmërinë, me dëshirën për t’u afruar, për të qenë pjesë e zgjidhjes dhe jo spektator i problemit. Në rastin e Down Syndrome Albania, më ka frymëzuar forca dhe përkushtimi i prindërve, dashuria që ata japin çdo ditë dhe përpjekja për t’u dhënë fëmijëve mundësinë të jenë pjesë e shoqërisë në mënyrë dinjitoze. Kur sheh këtë përkushtim, është e pamundur të qëndrosh jashtë.
Unë besoj se çdo njeri që ka privilegjin të drejtojë një biznes, një ekip apo të ketë një zë publik, duhet ta përdorë këtë ndikim për të bërë diçka që i shërben të tjerëve. Kjo është, në thelb, për mua kuptimi i përgjegjësisë sociale.

Si sipërmarrës, ju keni jo vetëm kontribuar vetë, por edhe keni motivuar miq e kolegë të bëhen pjesë e fushatave si “Run for DSA” apo “Çorapet Shumëngjyrëshe”. Si e shihni rolin e biznesit privat në përforcimin e një kulture dhurimi dhe përgjegjësie sociale në Shqipëri?

Unë e shoh biznesin si motor të komunitetit, jo thjesht si institucion ekonomik. Kur një kompani ka sukses, ajo fiton jo vetëm para, por edhe ndikim — dhe ky ndikim duhet përdorur me përgjegjësi. Në Shqipëri, po mësojmë dalëngadalë që përgjegjësia sociale nuk është luks, por pjesë e qëndrueshmërisë. Një kompani që kujdeset për njerëzit, për ambientin dhe për komunitetin, fiton besim — dhe ky është kapitali më i vlefshëm që mund të ketë. Në fushata si “Run for DSA” kam parë diçka që më ka bërë shumë përshtypje: solidariteti është ngjitës. Kur njerëzit shohin që ti angazhohesh me zemër, ata duan të jenë pjesë. Miq, kolegë, partnerë të biznesit janë bashkuar jo nga detyrimi, por sepse kanë ndjerë energjinë e mirë që krijohet kur bën diçka për një qëllim më të madh se vetja.

Nëse do t’i drejtoheshit brezit të ri të sipërmarrësve apo profesionistëve shqiptarë, në vend apo në diasporë, cili do të ishte mesazhi juaj për angazhimin përtej biznesit, në mbështetje të komunitetit dhe kauzave sociale?

Do t’u thoja që suksesi personal ka shumë më tepër kuptim kur kthehet në vlerë për të tjerët. Të ndërtosh një biznes është një arritje; por të ndërtosh ndikim, të frymëzosh të tjerët dhe të ngresh komunitetin me vete, kjo është trashëgimi. Në Shqipëri, jemi ende në fillimet e një kulture dhurimi dhe përgjegjësie sociale. Brezi i ri ka mundësinë ta ndryshojë këtë, duke e parë kontributin jo si detyrim, por si pjesë të natyrshme të suksesit. Mund të mos kemi gjithmonë mundësi të dhurojmë shuma të mëdha, por kemi kohë, ide, rrjete, dhe mbi të gjitha,  zë. Unë besoj se çdo biznes, sado i vogël, mund të jetë faktor pozitiv në komunitetin ku operon. Të mbështesësh një kauzë sociale nuk është thjesht bamirësi; është investim në shoqërinë ku jetojmë, ku do të rriten fëmijët tanë dhe ku duam të ndërtojmë të ardhmen.
Në fund, nuk është çfarë ke ndërtuar për vete që do të mbahet mend, por çfarë ke ndihmuar të tjerët të ndërtojnë përmes teje.

Kështu ndërtohet një kulturë e dhurimit, me shembull, me Erandi Sula: Suksesi pa qëllim është bosh. Solidariteti është kur nuk mbyll sytë.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0