Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në një kapitull të ri të historisë së saj financiare. Sot u krye transaksioni i parë në euro përmes Zonës Unike të Pagesave në Euro (SEPA), duke shënuar një moment historik për tregun financiar vendas dhe një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit me infrastrukturën financiare të Bashkimit Evropian.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha në ceremoninë e kryerjes të transaksionit të parë SEPA, se ky zhvillim i kombinuar me zgjerimin e pagesave dixhitale, pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë euro në vitin e parë, me rritje progresive në vijim.Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, finalizuar në nëntor 2024, është rezultat i një pune shumëvjeçare dhe bashkëpunimi të ngushtë midis Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë dhe institucioneve financiare vendase. Sot, të gjitha 11 bankat që operojnë në vend janë të gatshme të ofrojnë shërbime SEPA për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Sipas Bankës së Shqipërisë, përfitimet për qytetarët dhe bizneset janë të menjëhershme dhe të prekshme:
- Tarifa shumë më të ulëta – transferimet drejt vendeve të SEPA-s kushtojnë deri në pesë herë më pak se më parë;
- Pagesa më të shpejta dhe më të sigurta, falë standardizimit të procedurave digjitale;
- Transparencë dhe barazi në kosto, ku një transfertë nga Tirana në Romë do të ketë të njëjtin komision si një pagesë brenda vendit.
Ky standard evropian pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë eurosh vetëm gjatë vitit të parë dhe të përshpejtojë digjitalizimin e pagesave në nivel kombëtar. Për analogji, sistemi AIPS Euro, që funksionon që nga viti 2022, i ka kursyer tregut shqiptar mbi 140 milionë euro – çka tregon potencialin e madh të përfitimeve që SEPA do të sjellë në ekonominë vendase.
Lexo edhe: Fund tarifave të larta, prej sot Shqipëria nis zyrtarisht transfertat në SEPA
” Ky është një standard evropian që sot bëhet realitet për Shqipërinë, duke e vendosur infrastrukturën tonë të pagesave në të njëjtin nivel me vendet e BE-së. Integrimi në SEPA, i kombinuar me zgjerimin e pagesave digjitale, pritet të gjenerojë kursime prej rreth 20 milionë euro në vitin e parë, me rritje progresive në vijim. Për analogji, sistemi AIPS Euro i Bankës së Shqipërisë, i cili operon që nga janari 2022, i ka kursyer tregut vendas rreth 140 milionë euro. Kjo tregon se ndikimi i SEPA-s do të jetë edhe më i gjerë, duke përfshirë uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit operativ për qytetarët dhe bizneset.” – u shpreh guvernatori Sejko
Në një plan më të gjerë, integrimi në SEPA përkthehet në përfitime shoqërore e rajonale: nga ulja e informalitetit dhe kostove të dërgesave, te rritja e përfshirjes financiare dhe konvergjenca me tregun evropian:
Banka e Shqipërisë falënderoi Komisionin Evropian, Këshillin Evropian të Pagesave, Bankën Botërore dhe partnerët vendas për mbështetjen në këtë proces, si dhe bankat tregtare që investuan në modernizimin e sistemeve dhe përgatitjen e tregut.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto