Etleva Pushi: Pse AI në përkthime sjell rreziqe për bizneset shqiptare - Business Magazine Albania

Etleva Pushi: Pse AI në përkthime sjell rreziqe për bizneset shqiptare

Nga Fatima Gorezi – Në Shqipëri, ku proceset e integrimit në Bashkimin Evropian po sjellin rritje të ndjeshme të nevojës për përkthime juridike, diplomatike dhe teknike, përdorimi i Inteligjencës Artificiale është shfaqur si një mjet ndihmës i vlefshëm, por që sigurisht duhet trajtuar me kujdes pasi mbrat me vete rreziqe etike dhe ligjore.
Etleva Pushi, përkthyese e licencuar e gjuhës angleze me mbi 25 vite përvojë e sheh Inteligjencën Artificiale si një bashkëpunëtor që rrit produktivitetin dhe kursen kohë, veçanërisht në përkthime voluminoze apo procese harmonizimi ligjesh me ato të BE-së. Megjithatë, pikërisht aty ku pasaktësia kushton miliona, Inteligjenca Artificiale paraqet edhe rreziqe serioze. Një përkthim i gabuar i një klauzole kontraktuale, i një direktive biznesi apo i një dokumenti tenderi mund të çojë në pasoja të rënda ekonomike e ligjore, siç kanë treguar edhe rastet në vendet fqinje që Pushi na rrefen në intervistën e saj.Në këtë kuptim, AI është një mjet i fuqishëm, por jo i pagabueshëm. AI nuk zotëron as nuanca kulturore, as përgjegjësi ligjore, as detyrimin moral për ruajtjen e sekretit profesional. Përkthyesi zyrtar mbetet hallka kryesore që garanton cilësi dhe siguri në proces, duke ditur kur të përdorë mjetet teknologjike dhe kur të ndërhyjë me përvojën e tij njerëzore. Prandaj, në realitetin shqiptar, përdorimi i AI duhet parë si ndihmës, jo si zëvendësues i profesionistit.

A mund të konsiderohen AI dhe mjetet e përkthimit automatik si një kërcënim për punën e përkthyesve zyrtarë? Çfarë kufizimesh dhe avantazhesh kanë mjetet e përkthimit me AI në krahasim me përkthimin profesional njerëzor?

Është shumë i rëndësishëm cilësimi në pyetjen tuaj i “përkthyesit zyrtar”. Përkthyesit, zyrtarë apo jozyrtarë, kanë sot luksin të jenë edhe më efikasë: të përkthejnë më shumë tekst, të lodhen më pak, të kenë qasje në shumë burime dhe referenca. Në këtë proces, Inteligjenca Artificiale mund të shërbejë si një mjet ndihmës i çmuar, si një bashkëpunëtor që kursen kohë dhe rrit produktivitetin.
Avantazhet e Inteligjencës Artificiale janë të qarta: nuk lodhet kurrë, nuk ka orar 8 me 4, nuk ka ditë të mira dhe ditë të këqija dhe, siç themi ne në shqip, “te vjen gjithmonë pas avazit”. Megjithatë, ka edhe kufizime po aq të qarta. Në përkthimet zyrtare, për shembull, Inteligjenca Artificiale mund të mos shquajë gjithmonë saktë nuancat kulturore, dallimet e imëta në tekste juridike, gjyqësore, apo procedurale. Në përkthime voluminoze madje, mund edhe ta “humbasë fillin” rrugës, duke cenuar rrjedhshmërinë dhe vijueshmërinë e tekstit.
Në përkthime zyrtare, gjëra shumë të vogla mund të kenë kosto të jashtëzakonshme. Kam pasur së fundmi përvojë si përkthyese në disa çështje që janë gjykuar në arbitrazh ndërkombëtar. Me hyrjen në Bashkimin Evropian, gjasat janë që të kemi edhe më shumë çështje të tilla sidomos në fushën e biznesit. Përkthimi i pasaktë në çështje të tilla kushton jashtëzakonisht shumë. Duhet tashmë jo thjesht “përkthyes për faqe”, por përkthyes që e ka shumë të qartë rolin e vet në proces, që e di kur duhet të marrë mend e të bashkëpunojë me specialistët e fushave përkatëse. Një tjetër shembull që tregon se sa kushton përkthimi i pasaktë vjen nga rajoni, një nga vendet tona fqinjë. Përkthimi i gabuar në specifikimet teknike të një tenderi të një pjese këmbimi për makina i kushtoi miliona euro dëm këtij vendi. Ky shembull tregon edhe rëndësinë e procesit të përkthimit në tërësi. Është një proces që si shumë të tjerë kërkojnë atë që prej vitesh mbetet kryefjalë e çdo diskursi në vend: bashkëpunim.
Si përfundim, Inteligjenca Artificiale është një bashkëpunëtor i çmuar për përkthyesit, por në çështje gjyqësore dhe biznesi, ku një pasaktësi kushton miliona, roli i përkthyesit zyrtar mbetet vendimtar.

Lexo edhe: “Raporti Global i Nomadëve Digjitalë 2025”, nga nënkulturë në politikë zhvillimi!

A ka ndikim AI në cilësinë e përkthimeve ligjore, diplomatike ose teknike?
Po, Inteligjenca Artificiale padyshim ndikon edhe në përkthimet ligjore, diplomatike dhe teknike. Mes entuziazmit për ndihmën që ajo jep duke rritur shpejtësinë dhe efikasitetin në procese voluminoze përkthimi, edhe vetë Kryeministri e ka promovuar, për shembull, përdorimin e saj në procesin e harmonizimit të legjislacionit vendas me atë të BE-së. Tashmë, pyetja nuk është nëse na garanton apo jo cilësi Inteligjenca Artificiale. Tashmë të gjithë i dimë kufizimet e saj. Ndryshe nga secili nga ne, që mbart me vete dije dhe informacione të lidhura ngushtë me kulturën, të shkuarën dhe të tashmen e vendit ku jetojmë, në trurin e Inteligjencës Artificiale mund të mos jenë ngarkuar ende gjëra që ne i dimë pikërisht se truri ynë ngarkohet edhe vetvetiu, pa paguar operatorë që përzgjedhin se çfarë të fusin e çfarë të mos e fusin në trurin tonë.
Nëse, për shembull, i kërkoj Inteligjencës Artificiale të ma bëjë gati transpozimin e një direktive të BE-së që prek biznesin, ajo edhe mund të ngatërrohet. Mund ta bëjë, për shembull, njësoj si për Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, apo për ndonjë vend tjetër fqinjë. Përkthimi i gabuar nga Inteligjenca Artificiale ose, edhe më keq akoma, ndërhyrja e gabuar e njeriut, mund të bëjë që diçka që në BE lejohet, këtu të ndalohet. Pra, saktësia në fund, jo vetëm që varet nga njeriu, por lënia në dorë të AI-së të një pjese të madhe të procesit (për arsye plotësisht të kuptueshme: kursim kohe, ulje kostosh), kërkon që ata pak njerëz që bëjnë në fund kontrollin, jo vetëm të kenë aftësi shumë të mira profesionale, por të kenë edhe sy shqiponje.
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale është një proces relativisht i ri. Si çdo proces, do të kërkojë kohën e vet. Në fund të fundit, është thjesht një mjet më shumë. Garantimi i cilësisë vazhdon të mbetet përgjegjësia jonë.

Sipas mendimit tuaj, a ka rreziqe etike e ligjore qe lidhen me përdorimin e AI ne përkthime zyrtare?
Po, përdorimi i Inteligjencës Artificiale mbart rreziqe të qarta etike dhe ligjore. Rreziku më i madh është ai i rrjedhjes së mundshme të informacioneve konfidenciale. Në kushtet e një ndërgjegjësimi të dobët për privatësinë e të dhënave, problemeve me zbatimin e ligjit dhe sidomos incidenteve serioze të rrjedhjes masive të të dhënave konfidenciale, këto rreziqe bëhen edhe më të vështira për t’u parandaluar apo menaxhuar.
Biznesi është veçanërisht i ndjeshëm kur vjen fjala te siguria e informacionit. Cenimi i kësaj sigurie mund t’i shkaktojë dëme miliona euroshe. Çdo përkthyes zyrtar i kontraktuar prej tyre e ka të qartë detyrimin ligjor dhe moral të ruajtjes së sekretit. Megjithatë, bizneseve mund t’u duhet të jenë më të vëmendshëm e të investojnë më shumë për të garantuar sigurinë e informacioneve dhe sistemeve ku qarkullon informacioni.
Përfundimisht, Inteligjenca Artificiale nuk ka përgjegjësi ligjore; përgjegjësia vazhdon të mbetet mbi përkthyesin zyrtar dhe institucionet apo bizneset që e përdorin.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0