Arsyeja befasuese pse ish-CEO i Google nuk është “pro” punës nga shtëpia - Business Magazine Albania

Arsyeja befasuese pse ish-CEO i Google nuk është “pro” punës nga shtëpia

Arsyeja befasuese pse ish-CEO i Google nuk është “pro” punës nga shtëpia

Ish-drejtuesi ekzekutiv i Google, Eric Schmidt, ka deklaruar se puna nga shtëpia është e pranueshme për punonjësit e administratës publike, por në sektorin e teknologjisë kërkohen “sakrifica” nëse dëshiron të fitosh garën.

Në një intervistë të dhënë për podcastin All-In, Schmidt tha se nuk e mbështet punën në distancë sepse kjo ndalon të rinjtë amerikanë të mësojnë dhe të zhvillohen profesionalisht, si dhe dobëson aftësinë e sektorit amerikan të teknologjisë për të konkurruar me Kinën. Sipas tij, të rinjtë në të njëzetat duhet të mësojnë se si funksionon bota reale, edhe nëse kanë një formim të shkëlqyer akademik. “Kur mendoj për atë që kam mësuar tek Sun Microsystems, mjaftonte të dëgjoja kolegë vetëm 5 ose 10 vjet më të mëdhenj se unë duke debatuar mes tyre, ballë për ballë. Si e riprodhon dot këtë gjë me punën në distancë?” – tha Schmidt, i cili ka drejtuar Google për një dekadë në fillim të viteve 2000. Ai shtoi me ironi: “Jam pro ekuilibrit mes punës dhe jetës personale, dhe prandaj njerëzit punojnë për qeverinë”, përpara se të kërkonte falje për batutën.

Lexo edhe: Nga Shqipëria në SHBA, rrefimi i Mea Matës për marketingun dhe brand-et globale

SHBA kundër Kinës në garën teknologjike

Për Schmidt, çështja shkon përtej individit. Ai paralajmëroi se Amerika duhet të ketë parasysh konkurrencën me Kinën, ku modeli i punës shpesh është 9-9-6 – nga ora 9 e mëngjesit deri në 9 të darkës, 6 ditë në javë. “Edhe pse zyrtarisht është shpallur i paligjshëm, në praktikë shumica e ndjekin këtë ritëm. Dhe ky është kundërshtari me të cilin konkurron SHBA,” tha ai. I pyetur për garën teknologjike mes dy fuqive, ai theksoi se të dyja janë në nivele të ngjashme në fushën e inteligjencës artificiale, ndërsa kufizimet e vendosura nga Shtëpia e Bardhë mbi teknologjinë e çipeve po e ngadalësojnë Kinën. Megjithatë, sipas tij, Kina po ndjek një strategji ndryshe nga ajo që pritej: nuk po e ndjek ambiciozisht zhvillimin e inteligjencës artificiale gjenerale (AGI), por po fokusohet te aplikimet praktike, si robotët dhe aplikacionet e përditshme për konsumatorët. “Ne në SHBA mund të përqendrohemi tek AGI, gjë shumë interesante, por njëkohësisht duhet të garojmë me Kinën edhe në produktet e përditshme,” theksoi Schmidt.

Balanca punë-jetë tek Google në ditët e para

Komentet e Schmidt nuk janë të parat që nxisin debat mbi kulturën e punës në Google. Në një ligjëratë në Universitetin e Stanfordit në gusht 2024, ai ishte shprehur se Google, në vitet e para, kishte zgjedhur të favorizonte “ekuilibrin punë-jetë” përpara “fitimit të garës”. “Arsyeja pse startup-et arrijnë sukses është sepse njerëzit punojnë jashtëzakonisht shumë,” tha ai. “Nëse je themelues i një startup-i, nuk do t’i lejosh punonjësit të vijnë në zyrë vetëm një ditë në javë nëse dëshiron të konkurrosh me startup-et e tjera.” Pas kësaj deklarate, një zëdhënës i Google i dërgoi një email Business Insider, duke thënë se Eric “kishte gabuar në interpretim dhe e vinte re këtë keqkuptim.” Megjithatë, Schmidt vazhdon të besojë se puna ballë për ballë është çelësi për ndërtimin e një perandorie teknologjike: “Po të duash të punosh në teknologji dhe të fitosh, do të duhet të bësh disa kompromise.”

BC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0