Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor (WBDS) 2025 do të zhvillohet më 1–2 tetor 2025 në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, i bashkëorganizuar nga Ministria për Transformimin Digjital të Maqedonisë së Veriut dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Ngjarja do të mbledhë qeveritë e rajonit, komunitetin e biznesit, akademinë dhe partnerët ndërkombëtarë për të përshpejtuar transformimin digjital të rajonit.
I organizuar në dy pjesë– Kryesore dhe Teknologji – WBDS 2025 do të fokusohet në tre fusha prioritare:
• Portofoli digjital: qasje e sigurt dhe e thjeshtë në shërbime publike dhe private
• Interoperabilitet: lidhja e sistemeve dhe regjistrave për të mundësuar shërbime digjitale në nivel rajonal
• Siguri kibernetike: mbrojtja e të dhënave personale dhe infrastrukturës kritike
Skena e Teknologjisë do të përmbajë sesione mbi inteligjencën artificiale, infrastrukturën 5G dhe optike, aftësitë digjitale dhe qasjen e kompanive rajonale në tregun unik digjital të BE-së.
Pritet të marrin pjesë më shumë se 800 pjesëmarrës dhe folës, përfshirë përfaqësues të lartë të ekonomive të Ballkanit Perëndimor, Komisionit Evropian, RCC-së, Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), si dhe liderë nga sektori privat.
Samiti gjithashtu do të nxjerrë në pah përpjekjet e përbashkëta të palëve të interesuara, të mbështetura nga RCC, për të diskutuar hapat e ardhshëm drejt uljes së kostove të roaming-ut midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, duke punuar drejt një modeli të ngjashëm me “roaming si në shtëpi”.
Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor është platforma kryesore rajonale për bashkëpunimin digjital, e nisur në prill 2018. Samiti i parë u mbajt në Shkup më 18–19 prill 2018, dhe që atëherë WBDS zhvillohet çdo vit në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor, duke mbledhur qeveri, bizneset, akademitë dhe partnerë ndërkombëtarë për të ndarë njohuri dhe për të përshpejtuar transformimin digjital – nga arritja e roaming-ut falas në rajon te avancimet në interoperabilitet, aftësi digjitale dhe e-shërbime. WBDS është një nismë që bën pjesë në Agjendën Digjitale brenda Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM) dhe bashkë–financohet nga Bashkimi Evropian.
Regjistrimi është i hapur: vizitoni digitalsummitwb6.com për t’u regjistruar dhe për të mësuar më shumë mbi agjendën dhe folësit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto