Influenceri i shëndetit dhe sipërmarrësi i teknologjisë Bryan Johnson, i njohur mes ndjekësve si “milioneri i anti-plakjes”, ka ndërprerë përdorimin e një ilaçi që dikur e promovonte si çelës për jetëgjatësinë, pasi zbuloi se mund t’i ketë përshpejtuar plakjen biologjike.
Johnson, i cili prej vitesh eksperimenton me mënyra për të ngadalësuar dhe kthyer mbrapsht procesin e plakjes, zbuloi së fundmi në një video në YouTube se ka ndaluar së përdoruri rapamicinën, një imunosupresant. Fillimisht i zhvilluar për pacientët e transplantit të organeve, ilaçi ka fituar popullaritet në rrethet e anti-plakjes.
Johnson e përfshiu rapamicinën në regjimin e tij të anti-plakjes për pesë vite, i frymëzuar nga një studim i vitit 2009 që tregonte se ky ilaç zgjaste jetën e minjve deri në 14%. Një provë klinike tek njerëzit në vitin 2023, ku 65% e pjesëmarrësve raportuan përmirësime shëndetësore, i shtoi më shumë besim. Megjithatë, efektet anësore nuk e kënaqën: ulçera në gojë, shërim i ngadaltë i plagëve, kolesterol i lartë dhe rritje të niveleve të sheqerit në gjak. Ajo që e shqetësoi më shumë ishte rritja e ritmit të zemrës në pushim, një tregues që Johnson e konsideron thelbësor për rikuperimin dhe cilësinë e gjumit.
Lexo edhe:Bryan Johnson – Njeriu që dëshiron të jetojë përgjithmonë!
Dyshimet e tij u forcuan edhe nga një studim i fundit i Universitetit Yale, i cili sfidoi reputacionin e rapamicinës si “ilaç jetëgjatësie”. Studimi identifikoi 16 efekte negative mbi markerët epigjenetikë, tregues biologjikë të lidhur me plakjen, duke sugjeruar se ky ilaç mund ta përshpejtojë procesin e plakjes. “A më shkaktoi rapamicina dëme afatgjata? Ndoshta… Nuk e di. Shumë njerëz mendojnë se unë marr rreziqe të tepërta duke bërë këto eksperimente, por unë gjithmonë i kujtoj atyre se edhe ata marrin rreziqe kur hanë ushqim të shpejtë apo kur flenë vonë. Edhe këto përshpejtojnë plakjen tuaj. Jemi duke luajtur një lojë, duke u përpjekur të kuptojmë me shkencë e të dhëna se cilat gjëra ngadalësojnë realisht plakjen dhe cilat e shpejtojnë atë. Për mua është pjesë e metodës shkencore, dhe e pranoj rezultatin, cilido qoftë ai,” tha Johnson.
Johnson e pranoi edhe ironinë e situatës: “Për ata që po qeshin nga shtëpia, jam edhe unë duke qeshur bashkë me ju. Ironia është gjuha e dashurisë së universit. Përfundimi nuk është që të mos provosh gjëra të reja, por që t’i ndajmë përvojat – qofshin ato të suksesshme apo jo. Vetëm kështu mësojmë të gjithë.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto