Një bisedë e përgjuar mes Presidentit rus Vladimir Putin dhe Presidentit kinez Xi Jinping ndezi sërish debatin e hershëm mbi mundësinë e jetës së gjatë. “Organet njerëzore mund të transplantohen vazhdimisht. Sa më gjatë të jetosh, aq më i ri bëhesh dhe mund të arrish edhe pavdekësinë,” u dëgjua të thoshte përkthyesi i Putinit. Xi iu përgjigj: “Disa parashikojnë se këtë shekull njeriu mund të jetojë deri në 150 vjeç.” Rekordi aktual mbahet nga francezja Jeanne Calment, e cila vdiq në vitin 1997 në moshën 122 vjeç e 164 ditë, jetëgjatësia më e verifikuar deri sot.
Në dekadat e fundit, kërkimi për jetë më të gjatë është shndërruar në një industri miliardëshe që kombinon:
-
Nanorobotët për shpërndarje të saktë të ilaçeve, zbulim sëmundjesh dhe riparim indesh.
-
Organet e bio-inxhinieruara për transplant pa refuzim imunitar.
-
Klone digjitale me inteligjencë artificiale, që synojnë të “ruajnë” personalitetin edhe pas vdekjes.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se trupi i njeriut ka kufij biologjikë që nuk mund të kapërcehen lehtë. “Për të jetuar 150 vjet, do të duhej të kthenim njerëzit e moshës së mesme në adoleshentë dhe 100-vjeçarët në të rinj. Nuk ka asgjë që e bën këtë të mundur sot,” – thotë profesori i epidemiologjisë S. Jay Olshansky.
Çfarë thonë shifrat?
-
78.4 vjeç ishte jetëgjatësia mesatare në SHBA në vitin 2023.
-
Në vitin 2054 pritet të ketë vetëm 0.1% të popullsisë mbi 100 vjeç.
-
Aktualisht, personi më i moshuar në SHBA është Naomi Whitehead, 115 vjeç.
Sipas profesor Raphael E. Cuomo: “Duhet të parandalojmë njëkohësisht kancerin, sëmundjet e zemrës, neurodegjenerimin, infeksionet dhe dështimin e veshkave. Po ashtu, të riparojmë dëmtimet gjenetike dhe të zëvendësojmë organet pa imunosupresion të përhershëm.”
Lexo edhe:Të ardhurat reale të familjeve në Europë: Cilat vende shënuan rritje dhe cilat rënie?
Teknologjitë kryesore
-
Nanobotët: të premtues në laborator, por jo ende të zbatueshëm në klinika.
-
Organet e bio-inxhinieruara: transplantet nga kafshët e modifikuara gjenetikisht kanë nisur, por mbeten me rreziqe.
-
Terapia me qeliza staminale: mund të rigjenerojë inde, por nuk mund të rindërtojë trupa të tërë. Rreziku: formim tumoresh.
-
Shkëmbimi i plazmës: përdoret për sëmundje të gjakut, por efektet për jetëgjatësi tek njerëzit e shëndetshëm janë ende të paqarta.
-
“Pavdekësia” digjitale me AI: sot e pamundur, pasi shkenca nuk arrin të kopjojë mendjen njerëzore.
Çfarë funksionon realisht?
Dr. Pooja Gidwani thekson se mënyra më realiste për të shtuar 10–20 vite jetë të shëndetshme është:
-
përdorimi i pajisjeve inteligjente që matin shëndetin,
-
kontrolle mjekësore të avancuara për zbulim të hershëm,
-
terapi të personalizuara,
-
ushqyerje e shëndetshme dhe aktivitet fizik.
Kërkimet më të fundit fokusohen tek:
-
Reprogramimi epigjenetik – “rivendosja” e qelizave në një gjendje rinore,
-
Ilaçet senolitike – që eliminojnë qelizat e dëmtuara që nxisin plakjen.
Pavdekshmëria mbetet ëndërr. Por shkenca dhe teknologjia mund të na japin disa dekada shtesë jetë më të shëndetshme, duke shtyrë përpara kufijtë e mundësive njerëzore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto