Nga Fatima Gorezi– Këtë mëngjes shtatori në oborrin e shkollës ” Bajram Curri” , tingulli i ziles që lajmëron fillimin e mësimit është më i zbehtë se dikur. Nuk është pamjaftueshmëri e zhurmës që vjen nga zila; është mungesë nxënësish.
Shqipëria numëron sot në bankat e shkollës 112 mijë nxënës më pak sesa një dekadë më parë, referuar shifrave të INSTAT. Shkaku? Faktorët e këtij ndryshimi janë krejt të hamendshëm për çdo shqiptar të zakonshëm: emigracioni dhe ulja e lindshmërisë, të cilat në vetvete nuk janë asgjë tjetër veçse pasoja e pasqyrë e kushteve ekonomike që i detyrojnë shqiptarët të përplasen në dyert e Europës dhe botës Perëndimore në kërkim të sigurimit të një jetese më të mirë. Ata që vendosin të qendrojnë më Shqipëri u duhet që ta planifikojnë me kujdes familjen. Në më të shumtën e rasteve çiftet e reja nuk planifikojnë ta shtojnë famijen me më shumë se dy fëmijë, jo nga mungesa e dëshirës, por sepse kushtet ekonomike nuk ua mundësojnë një fëmijë të tretë apo të katërt.
Shumë prindër rrëfejnë realitetin e tyre. “Nuk është se nuk duam fëmijë të tjerë,” thotë Ermelinda, një infermiere 35- vjeçare dhe nënë e dy fëmijëve, “por kostoja është e madhe. Një fëmijë tjetër do të ishte një barrë që nuk mund ta përballojmë.” Për çiftet e reja, realiteti është i njëjtë: ekonomia nuk ua lejon luksin e një fëmije të tretë apo të katërt.
Rritja e çmimeve të pronave (qira dhe blerje), rritja e çmimeve të ushqimit përfshi atyre të shportës, çmimet e larta të çerdheve dhe kopështeve, por edhe të qendrave ‘after school’ ku zakonisht fëmijët qendrojnë pas shkolle (pasi shkolla mbaron rreth ores 12:00 për fëmijët e fillores dhe rreth ores 13:30 për ata në 9-vjeçare; orare kur prindërit janë kryesisht në punë) e bën edhe më të vështirë barrën e kostos ekonomike për prindërit.
Kostoja për një fëmijë në një kopësht-çerdhe në Tiranë varion mesatarisht nga 18 000 – 30 000 Lekë në varësi të zonës dhe kushteve, ndërsa kostoja për qendrat ‘after school’ shkon nga 12 000 në 30 000 Lekë mesatarisht.
Nga ana tjetër Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë për të ardhurat dhe fuqinë blerëse, çka do të thotë se qytetarët shqiptarë me të njëjtën sasi të ardhurash blejnë më pak sesa familjet në shtetet e tjera të rajonit, përveç faktit që ata paguhen më pak se homologët në rajon. Çmimet në Shqipëri sipas Eurostat janë sa 62.9% e mesatares së BE-së në 2024-n, më të shtrenjtat në rajon, të ndjekura nga Serbia (61.4%), Bosnjë Hercegovina (59.7%), Mali i Zi (57.9), Maqedonia e Veriut (49.6%).
Për çdokend është e qartë se më pak nxënës në bankat e shkolës sot, do të thotë më pak studentë nesër ( duke marr parasysh që një pjesë e studentëve gjithmonë zgjedhin të studiojnë jashtë e ta ndërtojnë atje karrierën dhe punën e tyre duke mos u kthyer më në Shqipëri). Më pak studentë nesër do të thotë më pak ‘tru’ në shërbim të vendit, më pak itelektualë, më pak mësues, doktorë e inxhinierë.
Lexo edhe: (Mos) kthimi në shkolla, 112 mijë nxënës më pak në një dekadë
Në mungesë të një strategjie reale kombëtare për frenimin e emigracionit dhe mbështetjen e familjeve të reja, rënia e popullsisë së shkollave është vetëm maja e ajsbergut. Për fat të keq edhe cilësia e arsimit nuk po jep shenja të mëdha shprese. Shqipëria shënoi rënien më të madhe në botë në testimet ndërkombëtare PISA, duke humbur terren në matematikë, lexim dhe shkencë.
Arsimi teknologjik gjithashtu po ngec, me mungesë të theksuar infrastrukture dhe pabarazi të thellë mes shkollave urbane dhe atyre rurale. Një nxënës në Tiranë nuk ka të njëjtin akses me një nxënës në Skrapar, Kukës apo Përmet. Mungon trajnimi i mësuesve për ta kuptuar dhe më pas edhe përfshirë teknologjinë në mësimdhënie. Në këto kushte brezi i ri, në mungesë të mundësive, ikën ose rritet në një sistem që nuk e përgatit siç duhet për jetën dhe punën e ardhshme.
Në oborrin e shkollës ku filluam këtë reportazh, nxënësit janë duke luajtur. Disa buzëqeshin, të tjerë janë të hutuar duke folur mes shokësh për pushimet. Por ajo që mbetet shqetësim është numri i tyre që zvogëlohet dhe sfida për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Në këtë skenë të vogël duket e qartë se investimi në arsim dhe mbështetja për familjet janë domosdoshmëri për të ardhmen e Shqipërisë.
Arsimi është baza mbi të cilin ngrihen themelet e një vendi. Nuk ka komb pa njerëz të arsimuar, ashtu sikundër nuk ka ekonomi dhe të ardhme pa një arsim cilësor. Nëse nuk e vendosim arsimin në qendër të politikave tona publike, Shqipëria rrezikon shumë shpejt të prodhojë edhe më shumë varfëri, pabarazi dhe një të ardhme edhe më të brishtë dhe të pashpresë.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto