Kostoja e mbrojtjes dhe mirëmbajtjes së infrastrukturës digjitale në Shqipëri po rritet vit pas viti, duke u kthyer në një barrë gjithnjë e më të rëndësishme për buxhetin e shtetit.
Vetëm për mbrojtjen nga sulmet kibernetike ndaj sistemeve publike, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka kërkuar për vitin 2026 një fond prej 4.2 miliardë lekësh (42 milionë euro). Shuma përbën një nga kërkesat më të mëdha financiare në këtë sektor dhe përbën gati një të tretën e financimeve që vitin e kaluar iu dedikuan platformës e-Albania.
Në detajet e paraqitura nga AKSK, një pjesë e kërkesës buxhetore lidhet me 510 milionë lekë shpenzime korente, të cilat rrjedhin nga zbatimi i ligjit të ri “Për Sigurinë Kibernetike”. Ky fond synon të garantojë mbrojtjen e sistemeve të informacionit dhe të infrastrukturës kritike kombëtare.
Ndërkohë, një tjetër shtesë buxhetore, prej 2.4 miliardë lekësh, i atribuohet zbatimit të kontratës së nënshkruar mes AKSK, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe kompanisë private “First” shpk. Sipas Ministrisë së Financave, këto mjete janë të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve kontraktuale dhe vazhdimin e projekteve ekzistuese.
Lexo edhe: Shqiptarët po heqin dorë nga paraja fizike? Rriten veprimet me karta bankare
Statistikat zyrtare tregojnë se financimet për infrastrukturën digjitale janë në rritje të pandërprerë nga viti në vit. Nga viti 2016 deri në 2024, janë disbursuar mbi 42 miliardë lekë (rreth 400 milionë euro) për zhvillimin e e-Albania dhe sistemeve të lidhura me të. Ky sektor është renditur i katërti për nga niveli i financimeve publike, pas infrastrukturës rrugore, asaj detare dhe investimeve në ujësjellës.
Megjithatë, përballë kësaj rritjeje të shpenzimeve, një pjesë e madhe e qytetarëve shqiptarë nuk kanë aftësitë e nevojshme për të përdorur shërbimet online. Kjo mungesë njohurish shpesh përkthehet në kosto të fshehura, pasi qytetarët paguajnë persona të tretë apo zyra noteriale për të kryer procedurat digjitale.
Ekspertët theksojnë se niveli i ulët i arsimimit dhe plakja e shpejtë e popullsisë e bëjnë më të vështirë adaptimin ndaj teknologjisë. Kjo krijon një paradoks: ndërsa qeveria shpenzon gjithnjë e më shumë për ndërtimin dhe mbrojtjen e infrastrukturës digjitale, një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë shqiptare vazhdon të mos jetë në gjendje ta përdorë atë në mënyrë efektive.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto