Microsoft prezanton planin e ri të rikthimit në zyrë - Business Magazine Albania

Microsoft prezanton planin e ri të rikthimit në zyrë

Microsoft prezanton planin e ri të rikthimit në zyrë

Microsoft ka njoftuar se duke nisur nga janari 2026, të gjithë punonjësit që jetojnë brenda një rrezeje prej 50 miljesh nga selia e kompanisë në Redmond do të detyrohen të punojnë nga zyra të paktën tre ditë në javë. Vendimi e vendos gjigantin e teknologjisë në të njëjtën linjë me kompani të tjera si Amazon, Google dhe Meta, të cilat kanë forcuar politikat e tyre mbi punën hibride dhe rikthimin fizik në ambiente pune.

Sipas raportimeve të Business Insider, disa ekipe mund të përballen edhe me kërkesa më të rrepta – katër ose pesë ditë në javë – në varësi të vendimeve të ekzekutivëve. Kompania pritet ta bëjë publik njoftimin në muajin shtator, duke i lënë punonjësve disa muaj kohë për t’u përshtatur me pritshmëritë e reja. Microsoft do të lejojë aplikime për përjashtime, por kriteret dhe procesi i miratimit mbeten ende të paqartë. Ky ndryshim paraqet një kthesë të fortë nga politika e fleksibilitetit gjatë pandemisë, kur punonjësit mund të kalonin deri në gjysmën e kohës së tyre të punës nga distanca pa miratimin e menaxherit. Madje, shumë prej tyre vijuan të punonin nga shtëpia edhe më shpesh, për shkak të interpretimit të lirë të politikave të brendshme.

Lexo edhe:ChatGPT gjeneron 2 miliardë dollarë të ardhura

Pjesë e valës së rikthimit në zyrë të Big Tech

Vendimi i Microsoft vjen në një moment kur kompanitë më të mëdha të teknologjisë po tërhiqen nga modeli i plotë i punës hibride. Amazon tashmë kërkon pesë ditë të plota në zyrë, ndërsa Google dhe Meta kanë përcaktuar tre ditë të detyrueshme. Sipas The Verge, ky ndryshim përkon me një periudhë të ndjeshme brenda kompanisë, pas valës së shkurtimeve që prekën rreth 15,000 punonjës këtë vit, pavarësisht se Microsoft raportoi 27 miliardë dollarë fitime tremujore. Kjo ka bërë që shumë analistë dhe vetë punonjësit ta shohin masën si një formë “shkarkimi të fshehtë”, duke i shtyrë të largohen ata që nuk janë të gatshëm të përmbushin kërkesat e reja. Ky vendim krijon gjithashtu një kontradiktë të dukshme: Microsoft prej vitesh promovon zgjidhje softuerike që mundësojnë bashkëpunimin në distancë dhe ka qenë një prej mbështetësve kryesorë të modelit hibrid të punës si mënyrë për të rritur produktivitetin dhe për të mbajtur të motivuar stafin.

Përtej aspektit kulturor, zbatimi i planit pritet të përballet me sfida logjistike. Burime të brendshme raportojnë se hapësirat në kampusin e Microsoft janë të kufizuara, me mungesë dhomash takimi, problematika energjie dhe infrastrukturë të pamjaftueshme – pavarësisht një investimi prej 5 miliardë dollarësh për zgjerimin e tij.

TOI

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0