Alaska, skena e marrëzisë diplomatike të Trump-it - Business Magazine Albania

Alaska, skena e marrëzisë diplomatike të Trump-it

Nga Timothy Snyder* – Në botën antike, njerëzit flisnin për “Ultima Thule”, një tokë mitike në veri të skajshëm, në fundin e botës. Duke udhëtuar drejt Alaskës për t’u takuar me presidentin rus Vladimir Putin, presidenti amerikan Donald Trump arriti Ultima Thule-n e tij, pikën arktike të një bote imagjinare të politikës së jashtme.

Për Trump-in, liderët e huaj mund të trajtohen si amerikanët, me premtime fantastike dhe me ngacmime arrogante. Por këto fantazi nuk funksionojnë përtej kufijve të Amerikës. Oferta e zbrazët e një të ardhmeje “të bukur” nuk prek diktatorë që kryejnë krime për të realizuar vizionet e tyre, as njerëz që mbrojnë familjet e tyre nga një pushtim kriminal që u grabit tokat e pasuritë, u rrëmben fëmijët dhe torturon e vret civilë.

Putini nuk ka arsye të preferojë vizionin e Trump-it për një të ardhme të bukur, ndaj atij të vetin: një Ukrainë me një qeveri kukull, një popullsi e trembur nga dhuna, patriotë të groposur në varre masive dhe burime të marra nga Rusia.Ashtu si fantazitë e tij, edhe bullizmi i Trump-it nuk funksionon jashtë vendit. Është e vërtetë që shumë amerikanë kanë frikë prej tij. Ai ka pastruar partinë e tij politike, ndërsa kërcënimet me dhunë ndihmojnë për të mbajtur nën kontroll anëtarët republikanë të Kongresit. Ai po e përdor ushtrinë amerikane si një forcë policore, fillimisht në Kaliforni dhe më pas në Washington, DC.

Por armiqtë e jashtëm i perceptojnë ndryshe këto taktika frikësuese. Veprimet që i tronditin amerikanët, kënaqin kundërshtarët e tyre. Në Moskë, dislokimet e trupave brenda Shteteve të Bashkuara duken si shenjë dobësie.

Fjalët e forta mund të tingëllojnë bindshëm në Amerikë, ku shpesh ngatërrojmë fjalët me veprimet. Por për liderët rusë, ato mbulojnë një politikë të jashtme të dobët. Trump ka bërë lëshime të jashtëzakonshme ndaj Rusisë në këmbim të asgjëje. Rusia ia ka shpërblyer duke vazhduar luftën në Ukrainë dhe duke e tallur atë në televizionin shtetëror.

Cilat janë këto lëshime? Vetëm duke u takuar me Putinin në Alaska, Trump i dha fund më shumë se tre viteve të izolimit diplomatik të Kremlinit nga Perëndimi. Duke i shtrënguar dorën një krimineli lufte të akuzuar, Trump dërgoi mesazhin se vrasjet, torturat dhe rrëmbimet në Ukrainë nuk kanë rëndësi.

Edhe vetë zgjedhja e Alaskës ishte një lëshim, madje i çuditshëm. Rusët, përfshirë figura kryesore të mediave shtetërore, pretendojnë rregullisht se Alaska i përket Rusisë. Të ftoje njerëz që pretendojnë territorin tënd brenda bazës kryesore ushtarake në atë territor, për të diskutuar një luftë agresioni që ata nisën, pa ftuar asnjë përfaqësues të vendit të pushtuar – kjo është kulmi i një fantazie të politikës së jashtme. Është Ultima Thule.

Lexo edhe: Europa futet në lojë, përballja Trump–Putin ndez shpresën për një paqe të brishtë

Ishte fundi, sepse Trump kishte lëshuar tashmë në çështjet më themelore. Ai nuk flet për drejtësi për kriminelët e luftës rusë apo për reparacionet që Rusia i detyrohet. Ai i njeh Rusisë të drejtën të përcaktojë politikën e jashtme të Ukrainës dhe të Amerikës në pikën kyçe të anëtarësimit në NATO. Dhe pranon që pushtimet e Rusisë duhet të sjellin jo vetëm ndryshime de facto, por edhe de jure mbi kontrollin sovran të territoreve.

Të pranosh që pushtimi mund të ndryshojë kufijtë në mënyrë ligjore është rrëzimi i rendit botëror. T’i japësh Rusisë të drejtën të vendosë për politikën e jashtme të vendeve të tjera, nxit agresione të reja. Të braktisësh përgjigjet ligjore dhe historike ndaj luftërave kriminale – reparacionet dhe gjyqet – është inkurajim për luftë në përgjithësi.

Trump flet me zë të lartë dhe mban një shkop të vogël. Ideja se fjalët mjaftojnë, e ka çuar Trump-in në pozitën që fjalët e Putinit kanë peshë, prandaj ai duhej të shkonte në Alaska për një “ushtrim dëgjimi.” Karriera e tij ka qenë e mbushur me dëgjime të Putinit dhe më pas me përsëritje të asaj që ai thotë.

Të dy burrat nxiten nga perceptimi i ardhshëm i madhështisë së tyre. Putini beson se kjo arrihet përmes luftës, ku një element është manipulimi i presidentit amerikan. Trump beson se trashëgimia e tij mund të sigurohet duke u lidhur me paqen, gjë që, për sa kohë nuk bën vetë politikë, e lë nën pushtetin e luftënxitësit.

Putini nuk shtyhet të ndalë luftën kur propagandën e tij e përsërit presidenti amerikan. Ai nuk mund të joshet nga një vizion i paqartë i një bote më të mirë, sepse ai ka në mendje mizorinë e tij konkrete.

Në Alaska, Trump arriti Ultima Thule-n e tij personale, kufijtë e botës së tij magjike të fjalëve. Ai u përball me një pyetje shumë të thjeshtë: A do të pranonte Putini një armëpushim të pakushtëzuar apo jo, siç kishte kërkuar ai?

Putini e refuzoi një gjë të tillë, dhe e bëri sërish në Alaska. Rusët propozuan një kundër-ofertë qesharake e provokuese: Ukraina duhet t’i dorëzojë tani Rusisë territore që ajo as nuk i kontrollon, toka mbi të cilat ka ndërtuar mbrojtjet e saj. Dhe më pas Rusia, sigurisht, mund të sulmojë përsëri, nga një pozicion shumë më i favorshëm.

Putini e di se Trump kërkon Çmimin Nobel për Paqe, ndaj lëvizja e tij e qartë është t’i sugjerojë Trump-it se lufta do të mbarojë një ditë, dhe ai do të marrë lavdinë, për sa kohë që të dy thjesht vazhdojnë të flasin – “Herën tjetër në Moskë?” e pyeti ai përpara se të largohej nga Alaska – ndërkohë që Rusia vazhdon bombardimet.

Tani që Trump dështoi të sigurojë një armëpushim të pakushtëzuar rus, ka dy rrugë që mund të ndjekë. Ai mund të vazhdojë fantazinë, edhe pse do të bëhet gjithnjë e më e dukshme, madje edhe për miqtë dhe mbështetësit e tij, se kjo është fantazia e Putinit. Ose mund ta bëjë luftën më të vështirë për Putinin dhe kështu ta afrojë fundin e saj.

Shtetet e Bashkuara nuk i kanë formalizuar ende lëshimet e tyre të çuditshme ndaj Rusisë, dhe Trump mund t’i tërheqë ato me një konferencë shtypi. Amerika ka instrumentet e politikës për të ndryshuar drejtimin e luftës në Ukrainë dhe mund t’i përdorë ato.

Trump ka kërcënuar me “pasoja të rënda” nëse Putini nuk do të pranonte një armëpushim të pakushtëzuar. Janë vetëm fjalë, dhe deri tani, pasojat e fjalëve të Trump-it, për Rusinë, kanë qenë thjesht më shumë fjalë. Kjo bëhet e qartë tani, në Ultima Thule. Trump ka arritur kufirin e botës së tij të fantazisë. Ku do të shkojë më tej?

*Timothy Snyder, autor dhe redaktor i 20 librave, mban katedrën e parë në Historinë Moderne Europiane në Munk School of Global Affairs and Public Policy në Universitetin e Torontos dhe është anëtar i përhershëm i Institutit për Shkencat Humane në Vjenë.

Copyright: Project Syndicate, 2025. www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0