Europa futet në lojë, përballja Trump–Putin ndez shpresën për një paqe të brishtë - Business Magazine Albania

Europa futet në lojë, përballja Trump–Putin ndez shpresën për një paqe të brishtë

agresioni i Kremlinit

Liderët europianë kanë deklaruar se janë të gatshëm të mbështesin organizimin e një samiti trepalësh mes SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë, pas informimit që morën nga presidenti amerikan Donald Trump mbi takimin e tij me homologun rus, Vladimir Putin.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar nga Komisioni Europian të shtunën, thuhej:
“Do të jetë Ukraina ajo që do të marrë vendime për territorin e saj. Kufijtë ndërkombëtarë nuk mund të ndryshohen me forcë.”

Deklarata u nënshkrua nga presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti finlandez Alexander Stubb, kryeministri polak Donald Tusk dhe presidenti i Këshillit Europian António Costa.

Samiti i mundshëm dhe koalicioni për Ukrainën

Sipas presidencës franceze, disa prej liderëve të ashtuquajturit “Koalicioni i Vullnetit” do të zhvillojnë një videokonferencë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy të dielën, përpara vizitës së tij në Uashington. Në këtë takim pritet të marrin pjesë Macron, Merz dhe Starmer.

Ky grup prej 31 shtetesh është krijuar për të garantuar një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, pas vendimit të papritur të Trump për të nisur negociata direkte me Putinin, duke e lënë Europën jashtë.

Në deklaratë, liderët thanë se mirëpritën përpjekjet e presidentit Trump për “t’i dhënë fund vrasjeve në Ukrainë, për të ndalur luftën agresive të Rusisë dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”

Ata gjithashtu theksuan se për Ukrainën duhen garanci të forta sigurie, pa asnjë kufizim mbi forcat e saj të armatosura:
“Rusia nuk mund të ketë veto mbi rrugën e Ukrainës drejt BE-së dhe NATO-s.”

Deklarata përsëriti gjithashtu angazhimin për të mbajtur sanksione ndaj Rusisë “për sa kohë që vrasjet në Ukrainë vazhdojnë”.

Lexo edhe: Tarifat e Trump: Logjika ekonomike apo loja politike?

Zelenskyy: Nevojitet “paqe e vërtetë”

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përshëndeti mesazhin europian me një reagim në platformën X, duke bërë thirrje për “paqe të vërtetë dhe jo thjesht një tjetër pauzë mes pushtimeve ruse.”

Ai shtoi se i kishte kërkuar Trump që “sanksionet të forcohen nëse nuk mbahet një takim trepalësh apo nëse Rusia përpiqet të shmangë një përfundim të ndershëm të luftës.”

Zelenskyy nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së liderëve europianë, të cilët nuk ishin të pranishëm në samitin e Alaskës.

Reagime të forta nga vendet e tjera europiane

Reagimet pas takimit të zhvilluar në Anchorage të Alaskës nuk munguan.

Ministri i Jashtëm norvegjez, Espend Barth Eide, tha se deklaratat e Putinit ishin “kod për arsyetimin rus mbi pushtimin e paligjshëm të Ukrainës.”

Ndërkohë, kryeministri çek Petr Fiala u shpreh se “Putin është ende i interesuar vetëm për fitime territoriale sa më të mëdha dhe për ringjalljen e perandorisë sovjetike.”

Kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, theksoi se “realiteti i hidhur është se Rusia nuk ka asnjë qëllim për ta mbyllur këtë luftë së shpejti,” duke shtuar se forcat ruse nisën sulme të reja mbi Ukrainën ndërkohë që delegacionet zhvillonin bisedimet.

“Putin vazhdon të zvarrisë negociatat me shpresën se do t’i shpëtojë përgjegjësisë. Ai u largua nga Anchorage pa marrë asnjë angazhim për t’i dhënë fund vrasjeve,” tha Kallas.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0