Shkencëtarët thyejnë murin e bakterieve vdekjeprurëse, AI krijon antibiotikë të rinj - Business Magazine Albania

Shkencëtarët thyejnë murin e bakterieve vdekjeprurëse, AI krijon antibiotikë të rinj

Shkencëtarët nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT) kanë përdorur inteligjencën artificiale (AI) për të zhvilluar molekula të reja kimike që mund të kthehen në ilaçe të fuqishme kundër “supermikrobeve” – infeksioneve bakteriale rezistente që shpëtojnë trajtimit me antibiotikë ekzistues.

Ky është një hap i madh përpara në luftën kundër rezistencës antimikrobike (AMR), fenomen që ndodh kur bakteret, viruset, kërpudhat apo parazitët përshtaten në atë masë sa ilaçet nuk arrijnë më t’i shkatërrojnë, duke i bërë infeksionet shumë më të vështira për t’u trajtuar.

Objektivi: antibiotikë krejtësisht të rinj

Ndryshe nga përpjekjet tradicionale, ekipi i MIT përdori algoritme gjenerative të AI-së për të krijuar mbi 36 milionë molekula të mundshme kimike, shumë prej tyre as që ekzistonin më parë. Nga kjo bibliotekë digjitale, shkencëtarët përzgjodhën kandidaturat më premtuese për të luftuar bakteret rezistente.

Ata u fokusuan veçanërisht tek:

Gonorrea rezistente ndaj trajtimeve, e cilësuar nga autoritetet amerikane si “kërcënim urgjent për shëndetin publik”;

Staphylococcus aureus rezistent ndaj shumë ilaçeve (MDRSA), që përfshin edhe MRSA, bakter që shpesh përhapet përmes kontakteve ose pajisjeve mjekësore të ndotura.

“Synimi ynë ishte të shmangnim çdo gjë që i ngjante një antibiotiku ekzistues, për të adresuar krizën e AMR në një mënyrë krejtësisht ndryshe,” – tha në një deklaratë Aarti Krishnan, një nga studiueset e MIT.

Nga laboratorët digjitalë te përbërjet reale

Pas testimeve, shkencëtarët identifikuan një fragment kimik që funksiononte mirë kundër bakterit të gonorresë. Pas disa përpunimeve shtesë, ata zhvilluan dy përbërje konkrete, njëra prej të cilave – e quajtur NG1 – tregoi efektshmëri të lartë si në laborator, ashtu edhe në testime me minj.

Në rastin e MDRSA, procesi çoi në gjashtë molekula që treguan aftësi për të vrarë bakteret në kushte laboratorike.

Rezultatet, të botuara në revistën Cell, hapin rrugën për zhvillimin e antibiotikëve të rinj që mund të përdoren edhe kundër specieve të tjera bakteriale.

Një armë e re kundër një kërcënimi global

Rezistenca ndaj antibiotikëve është një kërcënim serioz për shëndetin publik global. Vetëm në vitin 2021, infeksionet bakteriale rezistente kontribuan në 4,71 milionë vdekje në mbarë botën dhe shkencëtarët paralajmërojnë se ky numër pritet të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme.

“Puna jonë tregon fuqinë e AI-së në dizajnimin e barnave dhe na mundëson të eksplorojmë hapësira kimike shumë më të gjera, të cilat më parë ishin të paarritshme,” – u shpreh James Collins, profesor në MIT dhe bashkautor i studimit.

Aktualisht, ekipi po bashkëpunon me Phare Bio, një organizatë bioteknologjike jofitimprurëse, për të vazhduar testimet laboratorike. Nëse përbërjet vazhdojnë të japin rezultate premtuese, ato mund të testohen në prova klinike tek njerëzit.

“Jemi të entuziazmuar për mundësitë e reja që ky projekt hap për zhvillimin e antibiotikëve,” – shtoi Collins.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0