Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka nisur procedurat për licencimin e një tjetër impianti të madh fotovoltaik në vend. Në mbledhjen e fundit të Bordit, të zhvilluar më 12 gusht 2025, u miratua hapja e procedurës për shoqërinë “Infotelecom-Albsolar 4” shpk, e cila synon të prodhojë energji elektrike nga një central diellor me kapacitet të instaluar prej 35.6 MWac. Projekti do të ndërtohet në rrugën “Gjorica e Poshtme”, në Njësinë Administrative Gjoricë, Bashkia Bulqizë, Qarku Dibër.
Vetëm deri në fund të korrikut, ERE kishte dhënë licenca për të paktën 13 subjekte, një prej tyre me kusht, duke çuar kapacitetin e instaluar të projekteve fotovoltaike të licencuara në 125 MW. Prej tyre, 11 i përkasin kategorisë së impianteve të vegjël, me fuqi deri në 2 MW.
Ndër projektet më të mëdha të licencuara deri tani spikat ai i “Sunny Side Energy” me një kapacitet prej 100 MW, që do të ndërtohet në Darzezë të Fierit.
Interesi për energjinë diellore në Shqipëri mori hov pas vitit 2017, kur u miratua kuadri ligjor për burimet e rinovueshme, por pati një shtysë të fortë gjatë krizës energjetike të viteve 2021-2022. Aktualisht, në vend janë zbatuar disa projekte, kryesisht të vogla, ndërsa më i madhi mbetet impianti i Karavastasë, ndërtuar nga Voltalia dhe funksional prej vitit 2024.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto