Të rezistosh ndaj rendit botëror të Trumpit - Business Magazine Albania

Të rezistosh ndaj rendit botëror të Trumpit

Nga Thomas Bernt Henriksen* – Imazhi i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fushën e golfit të Trump-it në Turnberry, Skoci, nuk ishte thjesht një shtrëngim duarsh për të vulosur një marrëveshje tregtare. Ai përfaqësonte një simbol të ndarjes historike të administratës Trump me vetë historinë dhe parimet themeluese të Amerikës, një ndarje me pasoja të thella për ekonominë globale dhe sigurinë ndërkombëtare.

Nga Evropa, është e çuditshme të shohësh një vend që për 249 vjet ka shpallur me krenari besimin e tij te koncepti “ne, populli”, fjalët hapëse të Kushtetutës së SHBA-së, të humbasë papritur besimin te institucionet e veta, ndërsa udhëheqësi i saj i zgjedhur në mënyrë legjitime i shpërbën me shpejtësi.

Por të fajësosh vetëm Trump-in për këtë tradhti ndaj vetvetes do të ishte një shpjegim shumë sipërfaqësor për transformimin që po ndodh në SHBA. Diçka më e thellë dhe më shqetësuese po ndodh.Kontributi i Amerikës në botë, që nga Lufta e Parë Botërore dhe me më shumë sukses pas Luftës së Dytë Botërore, ka qenë përpjekja për të ndërtuar një botë bazuar në historinë e saj. SHBA-ja synoi krijimin e institucioneve, rregullave dhe normave thelbësore që do t’i mundësonin botës të rregullohej në mënyrë të parashikueshme.

Pika e 14-të e famshme e Presidentit Woodrow Wilson, e shpallur në janar 1918, viti i fundit i Luftës së Parë Botërore mund të konsiderohet si akti i lindjes së ideve që formësuan epokën pas Luftës së Dytë Botërore. Ajo thoshte: “Duhet të krijohet një shoqatë e përgjithshme e kombeve, nën marrëveshje specifike, për të ofruar garanci të ndërsjella për pavarësinë politike dhe integritetin territorial të shteteve të mëdha e të vogla njësoj.”

Shtetet e mëdha dhe të vogla duhej të respektonin pavarësinë politike dhe integritetin territorial të njëri-tjetrit. Por sot, ky parim themelor nuk duket më të jetë i pranuar. Pushtimi i Ukrainës nga Presidenti rus Vladimir Putin e dëmtoi rëndë atë, por refuzimi publik i Trump-it për të përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të marrë Grenlandën apo Kanalin e Panamasë mund të ketë qenë goditja fatale. Po ashtu, përdorimi i tarifave tregtare kundër Brazilit si ndëshkim për ndjekjen penale të ish-presidentit Jair Bolsonaro tregon mungesën e respektit të Trump-it ndaj pavarësisë politike të Brazilit.

Marrëveshja tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian shkon edhe më tej. Ajo heq dorë krejtësisht nga rregullat.

Qëllimi i institucioneve dhe rregullave të pasluftës ishte të përcaktonin sjelljet e pranueshme dhe të papranueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke siguruar që shumica e shteteve, shumicën e kohës, të silleshin në mënyrë të parashikueshme. Trump, përkundrazi, po institucionalizon sjelljen e paparashikueshme si normë të re të sjelljes ndërkombëtare të Amerikës.

Rreth Trump-it me siguri ka njerëz që besojnë në atë që ai po bën, ose që përpiqen ta paraqesin administratën si të mbështetur në një plan të qartë dhe racional pas retorikës bombastike për “ta bërë Amerikën madhështore sërish”. Por në të vërtetë, veprimet e Trump-it mund të kuptohen vetëm përmes dy këndvështrimesh të tjera.

Së pari, sjellja e paparashikueshme e Trump-it është një mjet për të testuar sistematikisht kufijtë e pushtetit të tij politik në raport me të gjitha institucionet e tjera të SHBA-së, përfshirë jo vetëm Kongresin, gjykatat dhe qeveritë shtetërore, por edhe universitetet elitare, mediat kryesore dhe firmat më të fuqishme ligjore. Po kështu, politika e tij tregtare nuk ka asnjë bazë në parime, teori ekonomike apo institucione; ajo është krejtësisht arbitrare dhe subjektive dhe kjo është pikërisht qëllimi.

Së dyti, motivi parësor i Trump-it është eliminimi i çdo kufizimi ndaj hapësirës së tij për veprim politik. Kjo u pa qartë në shtrëngimin e duarve me von der Leyen. “Marrëveshja” SHBA-BE ratifikon idenë se Trump mund të bëjë çfarë të dojë, duke shpërfillur parimet themelore të Organizatës Botërore të Tregtisë: mosdiskriminimi mes partnerëve tregtarë dhe mes mallrave vendase e të huaja; ulja e barrierave tregtare përmes negociatave; rregullimi jo arbitrar i tarifave; dhe përdorimi i tregtisë ndërkombëtare si mjet për të ndihmuar vendet në zhvillim.

Lexo edhe: Rreth 26 kompani teknologjike nënshkruajnë Kodin e BE-së për Inteligjencën Artificiale

Edhe pse do të ketë padi dhe ndonjë rezistencë nga gjykatat më të ulëta në SHBA, askush nuk duhet të ushqejë iluzione se tarifat do të zhduken. Nuk ka asgjë më joshëse për politikanët se të ardhura të papritura dhe të qëndrueshme (veçanërisht kur paratë nevojiten), dhe sipas të dhënave të Thesarit Amerikan, të ardhurat nga tarifat janë rritur ndjeshëm.

Në politikë, një burim i sigurt të ardhurash afatshkurtra gjithmonë fiton ndaj një humbjeje të pasigurt afatgjatë në pasuri. Duke i dhënë Trump-it pushtet të pakufizuar mbi politikën tregtare të SHBA-së, një Kongres që do të dëshironte të ulte tarifat do të duhej t’u shpjegonte qytetarëve amerikanë se ku do të gjente burime të reja të ardhurash dhe për SHBA-në, rritja e përgjithshme e taksave duket ende një temë tabu. Për këto arsye, shkëputja e Amerikës nga e kaluara e saj ka shumë gjasa të vazhdojë.

Çfarë nënkupton kjo për Amerikën dhe për botën? Siç tregojnë Daron Acemoglu dhe James A. Robinson, institucionet ekonomike dhe politike janë faktori kyç që përcakton nëse kombet arrijnë sukses apo dështojnë. Në thelb të argumentit të tyre qëndron aftësia e institucioneve për të mbrojtur të drejtat pronësore dhe për të krijuar stimuj për rritje ekonomike.

Megjithëse institucionet ndërkombëtare dhe ato amerikane janë nën trysni, ato ende mund të mbrohen nëse të tjerët ndërmarrin hapa për t’i ruajtur nga përpjekjet e vazhdueshme të Trump-it për të zgjeruar pushtetin e tij personal. Fatkeqësisht, BE-ja, e udhëhequr nga arsye pragmatiste por afatshkurtra, zgjodhi të pranojë botën sipas rregullave të Trump-it, ku të gjitha parimet e qeverisjes globale zëvendësohen nga tekat e një njeriu të vetëm.

*Thomas Bernt Henriksen është komentatori kryesor i çështjeve ekonomike në gazetën Berlingske dhe ish-drejtor i Këshillit të Ekonomistëve pranë The Conference Board.

© www.project-syndicate.org / E drejta ekskluzive publikimit në shqip: Businessmag.al

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0