Një fushatë publicitare e menduar për të spikatur është kthyer në një debat të ashpër publik. Marka amerikane e xhinseve ‘American Eagle’ ka nxitur reagime të forta me reklamën e saj më të fundit, në të cilën shfaqet aktorja e njohur Sydney Sweeney, por jo për arsyet që kompania mund të kishte parashikuar.
Spot-i, që mban titullin “Sydney Sweeney ka jeans (xhinse/gjene) të mrekullueshme”, luan me një lojë fjalësh midis “jeans” dhe “genes” (gjenet), që në anglisht tingëllojnë njësoj. Por kjo zgjedhje stilistike, në vend që të konsiderohej kreative, ka nxitur kritika të ashpra për përçimin e një narrative problematike, atë të idealizimit të tipareve ariane.Në reklamë, Sweeney, e njohur për flokët bjonde, lëkurën e bardhë dhe sytë blu thotë se “gjenet trashëgohen, njësoj si sytë. Të miat janë blu.” Për shumëkënd, kjo fjali, në kontekstin vizual dhe të mesazhit të reklamës, përçon një nëntekst të rrezikshëm që rikujton ideologjitë e epokës naziste për “superioritetin racor”.
Lexo edhe: Reklama që tronditi modën, një modele digjitale në faqet e Vogue
Profesori i marketingut, Marcus Collins, shprehet se mesazhi “mund të jetë fryt i injorancës, përtacisë ose i qëllimshëm, por në çdo rast, është i rrezikshëm.” Ndërkohë, antropologia Shalini Shankar paralajmëron se reklama përforcon një standard të ngushtë dhe të përjashtueshëm bukurie që vë në qendër gruan e bardhë, të hollë dhe bionde, duke përjashtuar shumëkënd tjetër.
Disa ekspertë vënë në dukje se nëse reklama do të përfshinte personazhe me përkatësi të ndryshme racore, ndoshta polemika do të ishte shmangur. Por zgjedhja për të vendosur në qendër vetëm një imazh të bardhë, të përkrahur nga një mesazh i dykuptimtë, ka shkaktuar shqetësim.
Në debat është përfshirë edhe ish-presidenti Donald Trump, i cili në një koment të shkurtër tha: “Nëse Sydney është republikane, reklama është fantastike”, duke kritikuar kulturën “woke”.
Analistët raportojnë gjithashtu një rritje të dukshme të përfaqësimit të vajzave të bardha në reklama, sidomos pas kthimit të Trump në skenën politike dhe tërheqjes nga politikat për diversitetin, barazinë dhe përfshirjen (DEI).
Edhe pse ‘American Eagle’ ende nuk ka reaguar zyrtarisht për këtë valë kritikash, ajo që synohej si një reklamë provokuese dhe “cool” mund të ketë ndezur një zjarr të vështirë për t’u shuar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.