Fluturimi u anulua? Këto platforma rezervimi premtojnë rimbursim brenda 14 ditëve - Business Magazine Albania

Fluturimi u anulua? Këto platforma rezervimi premtojnë rimbursim brenda 14 ditëve

Shumë udhëtarë përballen me vonesa të gjata në kthimin e parave kur fluturimet e tyre anulohen, veçanërisht në rastet kur biletat janë blerë përmes palëve të treta, si platformat online të rezervimeve të udhëtimeve. Tashmë, Expedia dhe Lastminute.com, dy nga platformat më të mëdha të rezervimeve në Evropë janë zotuar të përmirësojnë procesin e rimbursimeve dhe të ofrojnë informacion më të qartë mbi të drejtat e pasagjerëve.
Ky ndryshim synon t’u japë mundësi pasagjerëve të kërkojnë më lehtë rimbursim nga këto platforma të ndërmjetme, në rast se fluturimi i tyre anulohet nga linjat ajrore, si dhe të kuptojnë më mirë të drejtat që u garanton ligji i Bashkimit Evropian.Ky zotim vjen pas bisedimeve me Komisionin Evropian dhe Rrjetin e Bashkëpunimit për Mbrojtjen e Konsumatorëve (CPC), një rrjet agjencish kombëtare përgjegjëse për zbatimin e ligjeve të BE-së për mbrojtjen e konsumatorëve.

Çfarë ndryshon për udhëtarët?
Nëse rezervoni një fluturim përmes Expedia ose Lastminute.com dhe linja ajrore e anulon, ju tashmë keni të drejtë të merrni rimbursim brenda 14 ditëve.
Konkretisht: linja ajrore ka deri në 7 ditë kohë për t’i kthyer paratë agjencisë së udhëtimit, dhe më pas kjo e fundit ka edhe 7 ditë të tjera për t’jua transferuar juve.

Më herët, shumë udhëtarë përjetonin vonesa të gjata, ndonjëherë me muaj përpara se të merrnin paratë nga fluturimet e anuluara. Të dy kompanitë kanë deklaruar se tani kanë përfunduar përpunimin e të gjitha kërkesave të prapambetura për rimbursim.

Për më tepër, tashmë do të jetë më e lehtë për pasagjerët të kontaktojnë këto dy platforma udhëtimi. Të dhënat e kontaktit, përfshirë numrat e telefonit dhe adresat e emailit do të jenë të listuara në seksionet e ndihmës ose kontakto me ne në faqet e tyre zyrtare.

Gjithashtu, të dyja kompanitë janë zotuar të shpjegojnë në mënyrë të qartë të drejtat e pasagjerëve në rast anulimi të fluturimeve. Kjo përfshin të drejtën për të zgjedhur mes riprogramimit të fluturimit ose rimbursimit të plotë, sipas rregullave të BE-së për të drejtat e pasagjerëve ajrorë.

Do të jeni gjithashtu të informuar në mënyrë transparente mbi ndikimin që mund të ketë blerja e fluturimeve me linja të ndryshme ajrore, veçanërisht në rastin e itinerarëve kompleksë apo me buxhet të ulët, në mundësinë për të kërkuar kompensim nëse një segment anulohet.

Lexo edhe: Si të kuptoni nëse një këngë është krijuar nga AI?

Kur hyjnë në fuqi ndryshimet?
Lastminute.com ka bërë të ditur se ka nisur zbatimin e masave të reja që nga 1 korriku 2025, ndërsa zbatimi i plotë do të përfundojë deri më 1 shtator 2025.
Nga ana tjetër, Expedia thotë se praktikat e saj aktuale tashmë përputhen me angazhimet e reja të ndërmarra.

Këto ndryshime janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të BE-së për të rritur mbrojtjen e konsumatorëve në sektorin e udhëtimeve. Expedia dhe Lastminute.com i bashkohen kështu edhe Edreams ODIGEO, Etraveli Group dhe Kiwi.com, të cilat që në vitin 2023 kishin pranuar të ndjekin të njëjtat praktika më të mira.

Cilat janë të drejtat tuaja për rimbursim, sipas ligjit të BE-së?
Sipas rregullave aktuale të BE-së, nëse linja ajrore anulon një fluturim, pasagjeri ka të drejtë të kërkojë riprogramim ose rimbursim të plotë brenda 7 ditëve nga momenti i kërkesës.
Në disa raste, në varësi të shkakut të anulimit, pasagjeri mund të ketë të drejtë edhe për kompensim monetar.

Megjithatë, kur fluturimi është rezervuar përmes një platforme ndërmjetëse, siç është një agjenci online, procesi i rimbursimit mund të bëhet më kompleks. Angazhimi i Expedia dhe Lastminute.com synon të mbyllë këtë hendek, duke garantuar se edhe në rast të përfshirjes së një pale të tretë, maksimumi i kohës së pritjes nuk do të kalojë 14 ditë.

Çfarë tjetër po ndryshon në udhëtimet në BE?
Në vitin 2023, Komisioni Evropian propozoi rregulla të reja për udhëtimet që përfshijnë më shumë se një mjet transporti,për shembull një udhëtim që kombinon tren dhe autobus.
Nëse miratohen, këto rregulla do të përcaktojnë të njëjtën afat rimbursimi përmes ndërmjetësve në rast anulimi, sikurse për fluturimet.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0